KEK-u paguan 637 mijë euro për magazinimin e pjesëve, lidh kontratë njëburimore për një vit

23 gusht 2024 | 01:03

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të shpenzojë 637,200 euro për magazinimin e pjesëve për një vit. Me këto mjete financiare, KEK-u mund të kishte bërë një zgjidhje brenda hapësirave të saj, raporton Demokracia.

Korporata, e udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv, Bekir Gërguri, ka lidhur një kontratë njëvjeçare me kompaninë “GE STEAM POWER FRANCE BRANCH IN KOSOVO” për tenderin “Magazinimi i pjesëve për 1 vit në depo”.


Ky tender është realizuar pa konkurrencë, pasi ftesa për pjesëmarrje i është bërë vetëm kësaj kompanie. Kështu, procedura është ndjekur me negocim pa publikim të njoftimit të kontratës, një metodë që zakonisht përdoret në raste emergjente.

KEK-u e ka arsyetuar këtë lëvizje duke deklaruar se, nga ana teknike, Termocentrali Kosova B nuk ka kapacitet për magazinimin e shtypjes së lartë dhe të ulët dhe pjesëve të tjera rezervë për blloqet B1 dhe B2. Korporata thekson se për ruajtjen e këtyre pjesëve kërkohet një hapësirë dhe ambient i përshtatshëm, gjë që mungon në Termocentralin B.

“Nëse këto pjesë do të magazinoheshin në Termocentralin B, e vetmja hapësirë e mundshme do të ishte ‘kuota zero’ në sallën e makinave B1 dhe B2. Megjithatë, kjo do të shkelte rregulloren e sigurisë, pasi do të pengonte hyrje-daljen në sallë në rast zjarri. Gjithashtu, ambienti nuk është i përshtatshëm për magazinim të pjesëve. Për më tepër, duke pasur parasysh dinamikën e punës në termocentrale, këto pjesë janë të ekspozuara ndaj dëmtimeve të mundshme, të cilat do të rëndonin përgjegjësinë mbi KEK-un dhe jo mbi GE-në. Kjo shkakton pasiguri të madhe, duke marrë parasysh kostot e larta dhe kohën e gjatë të prodhimit të këtyre pjesëve. Për këto arsye, pjesët duhet të magazinohen në depot e përcaktuara të GE-së, ku cilësia dhe ruajtja e tyre janë të garantuara”, thuhet në arsyetimin e dosjes së tenderit të cilën e ka parë Demokracia.com.

Kompania më të cilën do të lidhë kontratë KEK-u shpërblehet me kontrata të negociuara në vazhdimësi nga kjo kompani.

Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vend të një procedure të hapur ku do të mund të ftoheshin shumë kompani të marrin pjesë, ngre dyshime për transparencën dhe konkurrencën në këtë rast. Në situata të tilla, kur konkurrenca është e kufizuar dhe vetëm një kompani ftohet të marrë pjesë, rreziku për keqpërdorim dhe përzgjedhje jo optimale është më i lartë. Po ashtu edhe ekonomiciteti (çmimi) rritet nga kompania në garë. Kjo mund të thuhet edhe për faktin se KEK ka vendosur një shifër prej 637,200 euro, si dhe fiks në këtë shifër ka garuar edhe kompania. Në konkurrencë çmimi do të mund të ishte shumë më i ulët, sepse bëhet fjalë vetëm për ruajtjen e pjesëve në magazinë për një vit. Kjo procedurë përdoret zakonisht në raste emergjente, por në mungesë të arsyetimeve të qarta dhe të forta, mund të interpretohet si një veprim që shkel parimet e prokurimit të hapur dhe të drejtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Shqiptari Ali Ahmeti është i fundit nga gjenerata…