KEK-u paralajmëron masa për shkeljet e dyshuara në punësime
Në njoftimin për media kanë thënë se janë duke e përcjellë me vëmendje publikimin e këtij skandali dhe se i inkurajojnë të gjithë aplikantët që të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.
Tutje në njoftimin e KEK-ut thuhet se do të merren masa ndaj kujtdo që ka bërë shkelje komfor ligjeve në fuqi.
“Pavarësisht faktit se KEK ka bërë përpjekje për të respektuar kriteret e shpalljes publike si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të Punës në fuqi dhe detyrimeve ligjore të dala nga aktet nënligjore për çështjen e rekrutimit të punëmarrësve, KEK është duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit.
Në këtë drejtim, KEK ju siguron se të gjithë ankesat do të shqyrtohen me kujdesin më të madh, duke rishikuar procesin, do të korrigjohen gabimet e evidentuara si dhe do të merren masa adekuate konform ligjit, kudo që do të ketë pasur shkelje në proces.
Lidhur me këtë, KEK inkurajon çdo aplikues që konsideron se i janë shkelur të drejtat e garantuara me dispozita ligjore, të parashtroj ankesë brenda afatit ligjor në komisionin e ankesave”, thuhet në njoftim.