KEK-u shpalosi projektin gjigant të parkut më të madh solar në rajon
Gjiganti energjetik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), së shpejti fillon projektin me ambicioz në vend të prodhimit të energjisë elektrike nga panele solare.
KEK-u ka disa muaj që ka filluar këtë projekt gjigant dhe tani është në fazën përfundimtare të tij, kur edhe do të shpalos detajet e kapaciteteve dhe investimet milionëshe në këtë projekt.
Kujtojmë se edhe drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi në shumë paraqitje publike të mëparshme e ka përmendur se shumë shpejtë pritet të fillojë së implementuari projekti në fjalë.
Zona e paraparë ku do të krijohet parku më i madh solar, që sipas informatave brenda KEK-ut, do të jetë më i madhi në rajon, është paraparë të jetë në tokat e ashtuquajtura të degraduara, ku deri më tash është nxjerrë thëngjilli.
Këto qindra hektarë tokë të cilat asnjëherë nuk janë shfrytëzuar plotësojnë kushtet ideale për të ngritur parkun më të madh solar.
Projekti që quhet “Muri i Gjelbër” e që do të ndërtohet në partneritet me Komunën e Obiliqit, do të mbulojë gjithë tokat me gjelbërim dhe panele solare.
“KEK-u i ka të gjitha kushtet ideale për të rritur kapacitetet e energjisë elektrike me panele solare. E kemi token tonë, rrjetin, shpërndarjen dhe gjithë infrastrukturën dhe eksperiencën e nevojshme. E mirë e kësaj ideje është se KEK-u është ndërmarrje publike dhe në këtë rast sikur edhe prodhimi që e kemi nga thëngjilli e që qytetarëve tanë i shitet me çmim shumëfish më të lirë sesa çmimi i tregut edhe kjo energji mund t’i shpërndahet qytetarëve me kosto shumëfish më të lirë sesa qe është çmimi i energjisë solare në treg”, bëhet e ditur nga KEK-u.
Sipas tij, brenda pak ditësh do të shpalosen me shumë informata rreth këtij investimi.
Ndryshe, sipas ueb faqeve on-line, çmimi i energjisë solare në treg aktualisht është rreth 160 euro megavati, ndërsa çmimi që aktualisht KEK-u e shet për konsumatorët e brendshëm është vetëm 29 euro megavati.
Duhet theksuar se edhe njohës të fushës së energjisë së ripërtërishme kanë deklaruar se Kosova është vend i përshtatshëm për prodhim të energjisë elektrike dhe termike nga ajo solare. Madje sipas tyre, Kosova hyn në zonën e dytë me potencialin më të madh solar në vendet e Evropës.