Kelmendi: Duhet të rriten rrogat që të mos largohet rinia
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se ikja e të rinjve ka impakt negativ në ekonominë e Kosovës dhe bizneseve.
Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe punëtorët nga kompania e tij po e lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë.
“Njerëzit që kanë rroga 400-500 euro e lëshojnë Kosovën, e lëshojnë vendin e punës me paralajmërim për një jetë më të mirë. Është iluzion të mendohet që t’iu kërkosh atyre të jenë patriotë e të mos e lëshojnë Kosovës”, ka thënë Kelmendi. Afaristi ka thënë se punëtorët nga Kosova po përshtaten mirë në tregun e punës në Gjermani, pasi sipas tij, rinia e Kosovës është e shëndoshë dhe nuk konsumon alkool e substanca tjera në sasi të madhe.
“Kam qenë edhe në Poloni e Gjermani. Kur bëhet vikendi pjesa më e madhe e tyre janë të dehur plotësisht”. Deputeti i LDK-së ka thënë se ky largim i të rinjve nga Kosova ka efektin edhe në konsumin e brendshëm duke dëmtuar ekonominë.
“Një furraxhi që kam takuar një ditë më tha: Kam menduar se mua nuk do të më bjerë puna se shes bukë. Tash jo që më ka rënë puna, por jam afër mbylljes së furrës. E dini që nëse dalin 170 mijë banorë, i bjerë 170 mijë bukë në ditë më pakë. Ata mund të kthehen e të bien para në Kosovë, por bukën e kanë ngrënë në Gjermani e Zvicër”.
Kelmendi ka thënë se është e nevojshme që të rritet edhe rroga mesatare në sektorin privat, ndërsa nuk ka ngurruar të tregojë edhe pagat në biznesin e tij. “Rroga mesatare në kompaninë time është diku 500 euro. Shitësit e kanë diku 350 euro…Rrogë në kompaninë time ka deri në gjashtë mijë euro, rrogat te unë jam shumë më të larta se në kompanitë tjera”, ka deklaruar Kelmendi.