Kelmendi e quan ‘Mashtrimi i madh’ fushatën e disa partive politike
Kryetari i Partisë FJALA, Gëzim Kelmendi, ka reaguar rreth fushatës që janë duke bërë partitë politike.
Ai përmes një reagimi për media e ka quajtur ‘Mashtrimi i madh’ fushatën e disa partive politike.
Sipas Kelmendit, PDK-ja po bën fushatë kundër korrupsionit, por korrupsionin e ka ngulitur thellë në themelet e shtetit të Kosovës. “PDK-ja ka përfshi në listë për deputetë kandidate me mbulesë, por kjo PDK-ja në vitin 2010 ka ndaluar mbulesën në shkolla dhe shumë vajza i ka lënë jashtë dyerve të shkollave. Slogani ‘Dekada e re’ tregon se hajnia dhe mashtrimi janë të vjetra”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka theksuar se LV-ja po bën fushatë kundër korrupsionit me kandidat të PDK-së në listën e deputetëve dhe me kandidatë që vet i ka akuzuar për vjedhje të fondeve. “LV-ja po synon me udhëheq shtetin të cilin vet nuk e njeh, shtet të cilin institucionet ja ka dhunuar, policinë dhe rininë ja ka lënduar. Slogani ‘Erdhi dita’ tregon se tash duhet për ta njohur shtetin e Kosovës, duhen votat”, është shprehur ai.
Kryetari i Partisë FJALA, Gëzim Kelmendi, ka theksuar se LDK-ja po bën fushatë kundër PDK-së, por bashkë kanë qeverisur rreth një dekadë.
Sipas tij, LDK-ja e shpërbleu PDK-në duke ia zgjedhur ish kryetarin e saj, president të Kosovës. “LDK-ja nuk mund të ndahet lehtë nga PDK-ja ngase ‘dashuria e vjetër nuk harrohet’”, ka thënë ai.
Ndërkaq për AAK-në ka thënë se është duke bërë fushatë me sloganin 100 për qind shtet, por sipas tij, me 8 mijë hektarë duke ia falur Malit të Zi, nuk i bie 100 për qind shtet.
“Nisma ka thyer gjitha rekordet e korrupsionit, ashtu si tha edhe një ish deputet i saj: edhe minjtë në tavan i ka korruptuar.
Disa militantë të saj i ka punësuar por popullin e ka varfëruar, tash edhe me të zezat e tyre janë duke u krenuar”, ka thënë Kelmendi.
Gëzim Kelmendi ka thënë se partia që drejton asnjëherë nuk i ka mashtruar qytetarët. “Ne FJALA nuk u pasuruam. Ne me 2017-n pragun nuk e kaluam, por nuk u dorëzuam. Sot jemi para juve faqebardhë. Ne FJALA lutemi për ju dhe punojmë për ju”, është shprehur Kelmendi.
/Epoka e re/