Kelmendi: Kam qenë e izoluar dhe kam pasur pak kontakte me njerëz
Ish-xhudistja tani trajnere në këtë sport, Majlinda Kelmendi, në një intervistë për TËVË1 ka rrëfyer vështirësitë me të cilat ajo është përballur gjatë kohës sa ishte aktive në xhudo. Fillimisht ajo ka thënë se shkaku i përkushtimit të saj, ka munguar pothuajse në shumicën e datave të rëndësishme në familjen e saj, siç përmend ditëlindjen e babait dhe të nënës.
“Nuk kam shkuar në asnjë dasmë apo fejesë. Babai i ka 71 vjet ndërsa nëna gati 70 dhe unë kam munguar në këto vitet e fundit në pjesën më të madhe të ditëlindjeve të tyre”. “Kam dalë shumë pak, madje as në restorant nuk kam shkuar, njerëzit kanë pasur shumë pritshmëri prej Majlindës dhe unë këtë e kam ditur. Kam sakrifikuar shumë gjatë karrierës, kam pasur një karrierë 22-vjeçare, sidomos ato 15 të fundit kanë qenë shumë intensive”, ka thënë fillimisht Kelmendi.
Tutje, ish-kampionia olimpike thotë se shpeshherë përballet me pyetjet e njerëzve se si ajo i refuzoi milionat vetëm e vetëm për ta përfaqësuar Kosovën, teksa flet për ofertën që kishte nga Kazakistani. “Edhe sot njerëzit vazhdojnë të më pyesin se si i kam refuzuar milionat, mënyra se si më shohin njerëzit ajo as nuk blihet e as nuk shitet”. “Deri sa je garues gjithmonë duhet ta kesh parasysh se mund t’iu vijnë lëndimet, janë pjesë e rrugëtimit dhe ndoshta vijnë në momentin më të keq për ty, nuk i pret asnjëherë”, u shpreh ajo.
“Nuk e di unë si do të isha ndjerë ose a do ja kisha falur vetes nëse do kisha shkuar në vitin 2015 në Kazakistan dhe do ta kisha marrë medaljen e artë olimpike për Kazakistanin”. “Gjatë gjithë karrierës sime kam qenë shumë e izoluar dhe kam pasur shumë pak kontakte me njerëz, kontakti me ta gjithmonë ka qenë nëpërmjet Tonit (Driton Kukës)”, ka përfunduar Majlinda Kelmendi.