Kelmendi kërkon angazhimin e kryeprokurorëve në shqyrtimin e detyrueshëm të hetimeve
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive të vendit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe përfaqësuesja e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Edita Kryeziu.
Në këtë takim, Kelmendi ka diskutuar me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive për unifikimin e praktikave lidhur me autorizimet e prokurorit të shtetit për policinë, si dhe për veprimet procedurale të cilat i ndërmarrin prokurorët para dhe gjatë hetimeve.
Në këtë drejtim, Besim Kelmendi ka informuar kryeprokurorët se do të nxjerr udhëzim të detyrueshëm për të gjithë prokurorët e shtetit lidhur me këtë çështje.
“Një temë tjetër me rëndësi që u diskutua në këtë takim ishte edhe nevoja për caktimin e prokurorëve përgjegjës në secilën prokurori për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, si dhe përfaqësimi i institucionit të Prokurorit të Shtetit në aktivitetet zyrtare brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, z. Besim Kelmendi, ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive që të angazhohen maksimalisht në rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale dhe të kenë një rol më proaktivë në shqyrtimin e detyrueshëm të hetimeve për çdo tre (3) muaj, siç është përcaktuar me dispozitën e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, ka njoftuar Zyra e Prokurori i Shtetit.