Kelmendi: Kosova mund të kalojë një raund
Bardh Kelmendi ka shprehur optimizëm se Përfaqësuesja e Kosovës në futsall mund ta kalojë rrethin e parë kualifikues në parakualifikimet për Kampionatin Botëror.
Bardh Kelmendi ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës në Futsall për ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin Botëror “Lituania 2020”. Lojtari i Besës, Bardh Kelmendi, ka thënë për “Epokën e re” se ndihet krenar që i është dhënë mundësia për të kontribuar për skuadrën përfaqësuese.
“Dy herë kam pasur ftesë të grumbullohem në përfaqësuese, por kjo është hera e parë që grumbullohem për parakualifikuset që mbahen në Bjellorusi. Ftesën e kam pritur mirë, si çdo lojtar që ka dëshirë ta përfaqësojë vetën në botëror, për çka ndihem shumë i privilegjuar që në përfaqësuese grumbullohen vetëm lojtarët që tregojnë rezultate të mëdha”, ka thënë Kelmendi, i cili është shumë i kënaqur me formën personale që po tregon në muajt e fundit si në përfaqësuese, po ashtu edhe në klubet ku është angazhuar.
“Kam pasur formë të mirë si në grumbullimin në përfaqësuese, po ashtu edhe në ekipin e Feniksit, ku kam luajtur dy lojë dhe në debutim shënova gol. Pas shuarjes së Feniksit kalova te Besa dhe në gjysmësezon zhvillova katër ndeshje dhe shënova gjashtë gola”, ka deklaruar ai.
Lidhur me synimet që ka Kosova në këto parakualifikime, Kelmendi ka shprehur optimizëm se mund të kalohet rrethi i parë. “Besoj shumë në sukses, sepse selektori ka ftuar lojtarët e nivelit më të lartë të futsallit në Kosovë dhe jemi të bindur se mund të kalojmë të paktën një raund”, ka thënë Kelmendi. Skuadra e Besës në sezonin vjeshtor përfundoi në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës në futsall, por Kelmendi beson se skuadra pejane mund të shpallet kampione. “Besoj shumë se Besa do të kthehet edhe më fuqishëm në stinorin pranveror, pasi në këtë skuadër ka lojtarë shumë cilësorë. Kemi besim se mund ta sjellim në Pejë titullin e kampionit. Ky klub dhe trajneri Adnan Hyseni e meritojnë një sukses të tillë”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall është përfshirë në grupin 3 për parakualifikimet e Kampionatit Botëror 2020. Kosova u përfshi në grup me Norvegjinë, Bjellorusinë dhe Andorrën. Ky do të jetë cikli i parë kualifikues i Kosovës për Kampionatin Botëror. Ndeshjet parakualifikuese të grupit të tretë do të zhvillohen në Bjellorusi prej 29 janarit deri më 3 shkurt. Dy ekipet e para në secilin grup do të kalojnë në rrethin e ardhshëm kualifikues.
/Veton ZYMBERI/