Kelmendi: Kosova nuk ka rezerva ushqimore as për një javë ditë

12 mars 2020 | 00:02

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi, ka apeluar për kujdes në pajisjen me ushqime që nuk kontaminohen.

Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se për shkak të situatës është mirë që qytetarët të pajisen me ushqime për 60 ditë.

Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak se qytetarët nuk kanë mundësi të dalin jashtë nga rreziku se mos e marrin virusin e më pas infektojnë edhe familjen.

Afaristi ka thënë se qytetarët duhet të fokusohen në ushqimet që janë kryesisht të konservuara dhe të pasura me proteina e kalori.

I pyetur nëse ka rezerva për një javë së paku, Kelmendi ka thënë shkurt: “Jo nuk ka”.

Duke dhënë disa statistika, Kelmendi thotë se Kosova i shpenzon rreth 240 mijë litra qumësht në ditë.

“Po ashtu çdo ditë në Kosovë konsumohen mbi 1 milionë ve”.

Kelmendi thotë se Kosova nuk ka rezerva të mjaftueshme të ushqimeve as për kategoritë që parashihen me kushtetutë siç janë punëtorët shëndetësorë, policia e ushtria.

Ai ka thënë se ka vetëm rezerva në miell e karburante por jo edhe në konserva.

“Shteti është vonuar në krijimin e rezervave shtesë. Duhet qumësht pluhur, vaj, miell, konserva”.

Kelmendi thotë se nuk është nga ata që dëshirojnë të krijojnë panikë, por sipas tij nuk është as me ata që thonë se shteti funksionon edhe pa rezerva ushqimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Termi coronavirus ndoshta për momentin është më i diskutuari në…