Kelmendi: Kosova rrezikon të kthehet në vitin 2004
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, nga LDK-ja, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet të fundit në vend, duke thënë se proceset po rrezikojnë kthimin e Kosovës në vitin 2004
Kelmendi përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se konferencat e gjata të Prishtinës të mbahen në Nju Jork e Washington, e jo çdo orë e çdo ditë në Prishtinë.
Postimi i plotë i Kelmendit:
Konferencat e gjata të Prishtinës të mbahen në Nju Jork e Washington. Proceset po rrezikojnë kthimin e Kosovës në vitin 2004!
Çka do përmbajë statusi i Bashkësisë së komunave serbe në veri i cili do paraqitet në Bruksel ?!
A do jetë sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese apo marrëveshjeve në Bruksel ?!
Këto përgjigje do të dihen shumë shpejt, mirëpo përgatitja për të shpallur diçka të njëanshme, dhe atë si thirrje nga vet peshkopi radikal Sava, nënkupton përfshirje të fesë në këto procese e të cilat nxisin rrezik protestash në pjesën veriore dhe përkufizime territoriale, duke rrezikuar të ngrisin reaksione dhe protesta edhe tek ana tjetër, pjesa jugore, duke krijuar opinion ndërkombëtar se nuk është e mundur bashkëjetesa në njërën anë dhe pafajsim në anën tjetër, të politikanëve.
Andaj tani kur jemi në fazën më të rrezikshme politike që Kosova të humbas miq, duhet kuptuar se serbët dijnë mirë të krijojnë skenarë për të dëmtuar Kosovën, siç ndodhën ato në vitin 2004, lidershipi ynë nuk duhet ngulitur vëmendjen në tema të thata e për konsum konferencash të gjata shtypi në Prishtinë, por në ate që po zihet në kazanët perëndimorë. Kjo duke e ditur se gjërat që dalin ’rastësisht’ në sipërfaqe ato shpesh edhe ndodhin dhe fuqia jonë përballë tyre, pa mbështetje ndërkombëtare është zero.
Andaj, rezultat i këtyre rreziqeve që tashmë shihen në horizont, në këtë finale të të ardhmes së Kosovës lidershpi dhe politikanët duhet të qëndrojnë në Nju Jork e Washington e jo të qendrojnë në oda me kafe, çaj e çifteli.
Të mobilizohet dhe aktivizohet diaspora shqiptaro-amerikane dhe konferencat për shtyp të mbahen në Washington e Njujork e jo çdo orë e çdo ditë në Prishtinë.
Kërkohet lëvizje, meqë gjërat e vendosura nuk ndryshohen më!