Kelmendi kundërshton koncertin e bendit fashist serbe “Riblja Corba” në Leposaviq

19 gusht 2021 | 17:13

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ndaj koncertit që sonte do të mbajë në Leposaviq bendi serb “Riblja Corba”, këngët e të cilit janë dëgjuar nga serbët që kanë bërë masakra në Kosovë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kelmendi ka postuar edhe citate të vokalistit të këtij grupi, Bora Gjorgjeviq, i cili Republikën e Kosovës e quan shtet të trilluar.

Ai është shprehur i habitur se si janë bërë aq shumë reagime për koncertin e Goran Bregoviqit në Korçë dhe nuk është bërë asnjë reagim për koncertin e “Riblja Corba” në Leposaviq të Kosovës.

Postimi i plotë i Kelmendit:

A e dini që sonte në Kosovë mban koncert bendi fashist serb “Riblja Corba? Po, po, bash bendi më çetnik që mund të gjindet!

Këngët e këtij bendi jo vetëm që janë dëgjuar nga serbët që vinin për të bërë masakra, ose që përdoreshin për të kundërshtuar bombardimet e NATO-s (“Avion do të t’i thyej krahët”), por edhe përqeshnin shtetin e Kosovës dhe politikanët kosovarë.

Frontmeni, Bora Gjorgjeviq, e kishte quajtur disa herë Kosovën shtet i trilluar.

“Zgjedhjet që po mbahen atje në thelb e legalizojnë shtetin e Kosovës. Ai shtet nuk ekziston , ai shtet është i trilluar. Nuk përzihem në punët e atjeshme sepse unë nuk jetoj në Kosovë. Qëndrimi i partisë sime është  i drejtë nuk duhet të dilet në këto zgjedhje sepse kështu legalizohet shteti i shqiptarëve”, pati thënë Gjorgjeviq më 2013.

I njëjti sonte në Leposaviq të “shtetit të trilluar”, vjen për koncert.

Si bën që pamë aq shumë reagime për Goran Bregoviqin në Korçë të Shqipërisë, e s’po shohim thuajse asnjë për “Riblja Corba” në Leposaviq të Kosovës?

Si u lejua ky koncert nga institucionet e Kosovës, derisa bënim thirrje që institucionet e Shqipërisë ta anulojnë koncertin e Bregoviqit?

Ose, a po e konsiderojmë Leposaviqin pjesë të Kosovës apo jo?!

Një situatë absurdi, por që në fakt është tragji-komike!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imuniteti i tufës është i pamundur të arrihet me përhapjen…