Kelmendi: Mosftesa për pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Demokracive, lajmi më i keq
Gazetari Adriatik Kelmendi ka komentuar mosftesën për pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Demokracive, duke e cilësuar si lajmin më të keq për vendin në kohët e fundit.
Kelmendi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është shuplaka më e rëndë që Kosova mund ta marrë, nëse të vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye me presidentin Biden, në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut e Hungarinë e Orbanit.
Postimi i plotë i tij:
Lajmi më i keq i kohëve të fundit për Kosovën ndodhi sot.
Me të vendosë Amerika e Bidenit në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut dhe Hungarinë e Orbanit është shuplaka më e rëndë që mund ta marrim.
Mosftesa për pjesëmarrjen në Samitin e Demokracive është përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë për papërgjegjësinë e lartë të Kosovës në planin e politikës së jashtme.
Nëse edhe kjo shuplakë nuk na kthjellë atëherë vërtet nuk meritojmë më mirë – mbesim gjysmështet/gjysmëhajgare, të vetmit pa liberalizim vizash, pa anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit në geto mizerie!