Kelmendi: Protesta e Vetëvendosje forcon edhe më shumë presidentin Thaçi

23 shtator 2018 | 16:37

Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka thënë se protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e forcon edhe më shumë pozicionin dhe autoritetin e presidentit Hashim Thaçi.

“Vet motoja e VV-së ‘Një popull s’i nënshtrohet një njeriu’ synon të tregoj autoritetin e presidentit Thaçi. Por jo, presidenti Thaçi nuk mundet të vendosë asgjë për popullin e Kosovës në këtë rast. Edhe pse ai po insiston në idenë e tij për korrigjim të kufijve, presidenti Thaçi asgjë nuk mund të vendos. Ngase për të realizuar marrëveshje ndërkombëtare i duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i duhen votat e 80 deputetëve. Kështu që kjo ide e presidentit Thaçi aktualisht është e pamundur të realizohet. Vet koalicioni qeverisës i ka 60 deputetë, edhe pse brenda vet koalicionit ka kundërshtime për këtë ide. Pastaj LDK-ja është kategorikisht kundër korrigjimit të kufijve. Kështu që kjo protestë nuk është e qëlluar”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se protesta e 29 shtatorit është më shumë për poenë politik, pas goditjeve të brendshme që sipas tij ka marrë Vetëvendosja.

“Në parim unë jam kundër protestave ngase shpeshherë kanë shkaktuar dhunë, vrasje, lëndime dhe pasoja të ndryshme. Por nëse VV-ja mendon të i kontribuon vendit përmes protestave, deri tani ka pasur me dhjetëra arsye të protestoj kundër vendimeve të dëmshme të kësaj qeverie të udhëhequr nga koalicioni PAN-AKR-Lista serbe. VV-ja ka treguar frikë dhe mungesë të guximit politik përballë kryeministrit Haradinaj. VV-ja po mendon ta rikthen imazhin e saj të humbur, me anë të protestave. Asnjë protestë e saj prej themelimit të saj nuk i ka sjellë dobi vendit dhe qytetarëve.

Por përkundrazi, protestat e VV-së ka sjellë vetëm viktima, dhunë dhe dëme të ndryshme. VV-ja shumë e ka të lehtë ta rrëzoj edhe Presidentin Thaçi edhe të i fitoj zgjedhjet. Le të bëhen bashkë në koalicion parazgjedhor LDK-VV dhe kështu shpresoj do të i fitojnë zgjedhjet”, është shprehur Kelmendi.

Në këtë kontekst, Kelmendi i ka bërë thirrje Vetëvendosjes dhe LDK-së që t’i mbajnë premtimet elektorale. “Ndërsa tani e deri sa të mbahen zgjedhjet, VV-ja së bashku me LDK-në të bëhen parimor, t’i mbajnë premtimet pe parazgjedhjeve, mos të frikësohen nga Kryeministri Haradinaj dhe mos të i mundësojnë kuorumin koalicionit qeverisës në seanca plenare. Le të fillojnë përgatitjet për zgjedhje ngase këtë koalicion po e mbanë vetëm një ‘pe i hollë’ dhe gërshërët e këtij peri i ka presidenti Thaçi”, ka deklaruar Kelmendi.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të përgatitjeve dhe mobilizimit për protestën paqësore të…