Kelmendi: Si trajnere po i shijoj më shumë sukseset e xhudos

04 shtator 2023 | 14:22

Majlinda Kelmendi ka filluar të jap rezultate impresionuese tashmë edhe si trajnere e xhudos. Nën drejtimin e saj dhe të Driton Kukës, xhudistët kosovarë fituar tetë medalje të arta individuale si dhe u shpallën kampion ballkanik në garën ekipore.

Kelmendi ka thënë për “KosovaPress” se sukseset ishin të pritshme, por që u befasuan nga disa prej xhudistëve të rinj.

“Realisht për ditën e djeshme, në gara individuale, ka shkuar më mirë se sa e kemi pritur. Sigurisht që prej Lorianës, Akilit, Distrisë kemi pritur medalje të arta, mirëpo Muhamedin Veseli edhe Dion Sharapolli na kanë befasuar për të mirë, kjo tregon që në xhudon e Kosovës do të dalin në të ardhmen edhe emra të rinj. Kështu që në përgjithësi ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Jemi kënaqur, garat ekipore në përgjithësi janë me adrenalinë, shumë interesant, kështu që ka qenë atmosferë jashtëzakonisht e mirë, garuesit kanë qenë jashtëzakonisht të motivuar”, ka thënë Kelmendi.

Ajo shtoi se garuesit u motivuan shumë nga fakti se kjo garë u zhvillua në Kosovë, e posaçërisht në qytetin e Pejës.

“Sigurisht që po, nëse Kampionati Ballkanik do të ishte mbajtur në ndonjë shtet tjetër jam e sigurt që asnjëri prej garuesve nuk do të kishte shprehur vullnet të marrë pjesë, por, përderisa është mbajtur në Kosovë, në qytetin tonë, në qytetin e Pejës, secili ka qenë i gatshëm të marrë pjesë për faktin që ndoshta janë familjarët këtu, janë bashkëqytetarët, kështu që me kënaqësi kanë marrë pjesë”, ka theksuar Kelmendi.

Tutje, Majlinda Kelmendi ka bërë të ditur se tani do të përgatiten për Kampionatin Evropian të xhudos që zhvillohet po ashtu në Kosovë në muajin dhjetor dhe se aty synojnë suksese të tjera.

“Po besoj që po, jemi duke punuar intensivisht, jemi duke u përgatitur në maksimum edhe Kampionati Evropian do të jetë jashtëzakonisht i fortë. Presim shumë më shumë njerëz të vijnë, ta shohin garën, do të jetë shumë interesant, do të marrin pjesë yjet botërore, kështu që po besojmë që do të kemi sukses edhe atje”, ka shtuar ish-kampionia olimpike.

Ajo thekson se për dallim nga koha kur garonte dhe e kishte presionin e fitimit të medaljeve, tani si trajnere po e shijon shumë më shumë këtë sport.

“Sigurisht që po, po e shijoj në maksimum. Si garuese kam pasur shumë stres, shumë ngarkesë dhe presion, ndoshta për vet faktin që të gjithë shqiptarët presin që Majlinda të jetë e para, kështu që tani si trajnerë po e shijojë shumë më shumë”, ka deklaruar në fund Kelmendi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare…