Kelmendi takohet me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut
Në kuadër të shkëmbimit të përvojave të sistemeve rajonale të drejtësisë, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, prokurorët në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, Laura Pula dhe Agron Qalaj, kanë pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Fillimisht, Kelmendi ka informuar Filkovin për shtrirjen organizative dhe proceset aktuale të punës së Prokurorit të Shtetit, me theks të veçantë në zhvillimin e aktiviteteve që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial, duke shprehur me këtë rast edhe gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të vazhduar më tej bashkëpunimin me institucionet e sistemit prokurorial dhe mekanizmat e tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me institucionet e drejtësisë, duke pasur parasysh përkrahjen dhe mbështetjen e plotë dhe të ndërsjellë ndërshtetërore në drejtim të garantimit të integritetit dhe profesionalizmit të sistemeve tona prokuroriale”, ka thënë Kelmendi.
Më tutje, Kelmendi ka zhvilluar një bashkëbisedim të gjerë me delegacionin e lartë të shtetit të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht sa i përket interesimit të tyre për të pasur informacione të zgjeruara për funksionimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) në sistemin prokurorial.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka falënderuar Kelmendin për pritjen e bërë dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave për të pasur një pasqyrë më të qartë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit për fuqizimin e sundimit të ligjit në të dyja vendet.
Gjithashtu, ky delegacion ka vizituar edhe ambientet e Prokurorisë Speciale, ku është njohur nga afër me procesin e punës, zhvillimin dhe funksionimin e SMIL-it në këtë prokurori, i cili është një projekt madhor i shtrirë në tërë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.
Në përmbyllje të këtij takimi, bashkëbiseduesit janë pajtuar për krijimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm përgjatë proceseve të ardhshme në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe bashkëpunimit të përgjithshëm ndërshtetëror për parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.