Kelmendi: Të hiqet dorë prej politikës së inatit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramiz Kelmendi, ka ftuar subjektet politike të heqin dorë nga politika e inatit dhe xhelozisë. Ai ka deklaruar se partitë politike shqiptare duhet të heqin dorë nga kjo politikë dhe të gjejnë konsensus për hir të interesave kombëtare.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se subjektet e tjera politike duhet ta shohin votën e LDK-së për demarkacionin dhe të marrin mësim se si duhet respektuar interesi kombëtar.
“Derisa kemi veprime bllokuese të Listës Serbe, spektri politik i Kosovës çështjet e rëndësishme të shtetit të Kosovës duhet t’i shtyjë në bazë të parimit të interesin kombëtar dhe jo në bazë të parimit të xhelozisë politike. Nga ky veprim i LDK-së do të duhej të mësonin AAK-ja, Nisma, PDK-ja si dhe Grupi i Pavarur i deputetëve. Pra, duhet ta shohin formën demokratike që ka vepruar LDK-ja në këtë rast”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka deklaruar se LDK-ja me votën e saj për demarkacionin ka vërtetuar edhe një herë se ky subjekt politik për interesat madhore i kalon ato partiake. “Sikur të ishte në pyetje çështja e inatit, sigurisht se LDK-ja do ta kishte bllokuar këtë çështje dhe në këtë mënyrë demarkacioni nuk do të mund të kalonte kurrë në Kuvend. Mirëpo, LDK-ja nuk është parti e tillë, pasi që çdoherë e shikon interesin kombëtar”, është shprehur Kelmendi.
Ai nuk ka vlerësim pozitiv për Qeverinë Haradinaj. Sipas Kelmendit, nga aspekti ekonomik kjo Qeveri nuk ka ende ndonjë lëvizje që garanton se do të ketë rritje të zhvillimit ekonomik. Në këtë intervistë Kelmendi ka treguar edhe çfarë mund ta rrëzojë këtë Qeveri. “Opinionet e qytetarëve nuk janë të mira për këtë Qeveri. Në bazë të këtyre opinioneve, duket se kjo Qeveri do të bjerë. Kjo Qeveri do të bjerë sepse është një kombinim i shumë aktorëve politikë. Në këtë mënyrë, sa herë që z. Haradinaj apo dikush tjetër dëshiron të shtyjë përpara një proces, do të hasë në kundërshtime ose kërcënime për dalje nga Qeveria. Mendoj se kjo e bën të pamundur funksionimin e vërtetë të Qeverisë dhe të kryeministrit”, ka thënë Kelmendi.
“Epoka e re”: Z. Kelmendi, pse hezitonit ta votonit demarkacionin me Malin e Zi?
Kelmendi: Gjithmonë kam pasur qëndrim rreth kësaj çështje dhe nuk kam pasur hezitime. Prej se ka filluar procesi i demarkacionit me Malin e Zi, unë kam pasur qëndrimin tim, në të cilin kam ndarë shqetësimet me bashkëvendësit e mi rugovas. Për këtë çështje nuk kam dashur të jem pjesë e votimit të demarkacionit. Pra, kjo ka ndodhur për shkak të perceptimeve të bashkëqytetarëve të mi që kanë ndaj kësaj çështje.
“Epoka e re”: A ishte vendimtare vota juaj për kalimin e kësaj marrëveshje?
Kelmendi: Në këtë rast doli që vota ime të ishte vendimtare, por nuk ka qenë qëllimi im që vota ime të jetë e tillë. Synimi im ka qenë të mos jem votues i kësaj marrëveshje, jo pse unë nuk kam besuar në demarkacion, por unë çdoherë kam qenë për demarkacionin për shkak të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe për shkak të caktimit të kufijve shtetërorë të Kosovës. Duke ndarë shqetësimet me votuesit e mi, me bashkëvendësit e mi, e kam pasur qëndrimin që mos ta votoj.
“Epoka e re”: Ju nuk keni dashur ta votoni këtë marrëveshje vetëm për shkak që votuesit e juaj kanë besuar ndryshe?
Kelmendi: Ju e dini se Çakorri është kufi shpirtëror i Rugovës dhe gjithmonë kjo majë ka qenë një pikë historike për banorët e Rugovës por, për fat të keq, rrethanat historike kanë bërë që realiteti të jetë ndryshe, dhe për këtë nuk është faji i politikanëve të sotëm, por këtë kufi ne e kemi trashëguar nga e kaluara.
“Epoka e re”: Vota juaj bëri që LDK-ja, ndonëse parti opozitare, të jetë unanime për demarkacionin. Ishte ky vendim i drejtë i LDK-së, kur dihet se z. Haradinaj në mandatin e kaluar e ka penguar LDK-në që ta ratifikojë këtë marrëveshje?
Kelmendi: LDK-ja gjithmonë është për iniciativa pozitive për qytetarët e Kosovës. LDK-ja çdoherë ka qenë në këtë vijë duke mbrojtur interesin e qytetarëve të Kosovës. Me këtë rast, ne nuk kemi shikuar se kush është në krye të Qeverisë, ose se kush e ka penguar këtë demarkacion për tre vjet. Kemi shikuar interesin kombëtar të Kosovës dhe nevojat e mëdha të qytetarëve për të lëvizur lirshëm. Në bazë të kësaj edhe kemi vendosur. Sikur të ishte në pyetje çështja e inatit, sigurisht se LDK-ja do ta kishte bllokuar këtë çështje, dhe në këtë mënyrë demarkacioni nuk do të mund të kalonte kurrë në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo LDK-ja nuk është parti e tillë. Ajo çdoherë e shikon interesin kombëtar.
“Epoka e re”: Do të duhej që spektri politik shqiptar ta ndjekë këtë rrugë të konsensusit politik edhe në të ardhmen për çështje e interesit kombëtar?
Kelmendi: Me siguri e keni parë se është kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve të Kosovës që të mos varemi nga Lista Serbe, sepse ky subjekt politik, po të ishte i ndikuar nga interesat politike të qytetarëve të vet, të cilët jetojnë në Kosovë, sigurisht se këto procese do të shkonin më mirë. Por, derisa kemi veprime bllokuese të Listës Serbe, spektri politik i Kosovës çështjet e rëndësishme të shtetit të Kosovës duhet t’i shtyjë në bazë të parimit të interesit kombëtar e jo në bazë të parimit të xhelozisë politike. Nga ky veprim i LDK-së do të duhej të mësonin AAK-ja, Nisma, PDK-ja, si dhe Grupi i Pavarur i Deputetëve. Pra, duhet të shohin formën demokratike që ka vepruar LDK-ja në këtë rast. U vërtetua edhe një herë se për interesa madhore LDK-ja del mbi interesat partiake dhe mbi interesat e hakmarrjes.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për Qeverinë Haradinaj?
Kelmendi: Nga aspekti ekonomik nuk ka ende ndonjë lëvizje që garanton se do të kemi rritje të zhvillimit ekonomik. Ju e dini se gjatë qeverisjes së përbashkët LDK-PDK kemi arritur ta rrisim zhvillimin ekonomik për katër për qind. Normalisht se ky trend është dashur të rritet vazhdimisht, por duke i parë kapacitetet e kësaj Qeverie, mendoj se kjo rritje ekonomike do të ketë rënie.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh numrin e madh të partnerëve qeverisës, sa mendoni se mund ta shtyjë mandatin kjo Qeveri?
Kelmendi: Opinionet e qytetarëve nuk janë të mira për Qeverinë e drejtuar nga z. Haradinaj. Në bazë të këtyre opinioneve, duket se kjo Qeveri do të bjerë. Kjo Qeveri do të bjerë sepse është një kombinim i shumë aktorëve politikë. Në këtë mënyrë, sa herë që z. Haradinaj apo dikush tjetër dëshiron të shtyjë përpara një proces, do të hasë në kundërshtime ose kërcënime për dalje nga Qeveria. Mendoj se e bën të pamundur funksionimin e vërtetë të Qeverisë dhe të kryeministrit.
“Epoka e re”: Si do të jetë vota juaj në të ardhmen në raport me Qeverinë Haradinaj. Do ta mbështesin ndonjë projekt tjetër të Qeverisë?
Kelmendi: Qëndrimet e mia politike dhe vota ime sigurisht se do të jenë në vijën e partisë dhe të liderit të saj.
“Epoka e re”: Së fundmi ka mendime të ndryshme se mund të kemi një rikthim tuajin në AAK. Është e mundshme një gjë e tillë?
Kelmendi: Për mua kjo është një pyetje befasuese. Lëvizjet i bëj sipas interesave politike dhe bindjeve të mia politike. Çdoherë kërkoj të jem aty ku vjen në shprehje profesionalizmi im. Nga AAK-ja ka kohë që kam dal, kurse nga PDK-ja ka një kohë më të shkurtër që jam larguar. Tani jam në LDK dhe jam ambientuar në këtë subjekt politik. Mendoj se tani e kam edhe kohën që ta kem një stabilitet politik.
Muhamet KOCI