Kelmendi: Thaçi mblodhi liderët në shtëpinë e tij për ta hequr taksën
Zëvendësministri i Arsimit, Muhamet Kelmendi, gjatë një interviste në “Klan Kosova” ka folur edhe në lidhje me çështjen e dialogut me Serbinë, duke u shprehur skeptik për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje.
“Mendoj që dëshira e të gjithëve është që çështja e shovinistëve të Beogradit me Kosovën të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Por jam shume skeptik që mund të arrihet një marrëveshje e tillë. Qëndrimet e palëve janë shumë kontradiktore me njëra-tjetrën, përfshirë këtu dy-tre subjekte që mendoj se kanë arritur marrëveshje të fshehta”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka theksuar se pretendimet serbe janë shumë të ashpra kundrejt Kosovës, ndaj qyteteve kryesore dhe aseteve të rëndësishme të Kosovës.
Ndërkaq në lidhje me takimin e fundit të liderëve në shtëpinë e presidentit Thaçi, Kelmendi deklaroi se kjo u bë më një qëllim të caktuar, dhe jo ashtu si është deklaruar.
“Takimi që është bërë përmes presidentit të Kosovës, i ka thirrur liderët politië dhe qëllimi ka qenë që të bisedohet për heqjen e taksës. Pra mendoj që çështja ka qenë e taksës dhe presioni që Ramushi të lutet që të hiqet taksa”, është shprehur ai.
Kelmendi ka shtuar se taksa njëherë për njëherë nuk do të hiqet.
“Ne jemi për atë që duhet të bisedohet me palën serbe, por jo me kushtëzime”, ka deklaruar Kelmendi.