Kelmendi tregon se kush duhet të udhëheqë me LDK-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramiz Kelmendi, ka folur për zgjedhjet në LDK.
Kelmendi tha se përplasjet e fundit në zgjedhjet e nëndegëve të LDK-së, mund të kenë ndodhur për shkak të frikës që subjektet tjera kanë ndaj LDK-së.
“Sondazhet po e nxjerrin LDK-në si partia e parë në Kosovë, dhe kjo mund të nxitë xhelozi te partitë tjera dhe siç edhe është parë se në këto përleshje ka pasur edhe anëtarë të partive tjera”, u shpreh ai.
Deputeti i LDK-së thotë se këto nxitje të përleshjeve mund të bëhen për t’i prishur imazhin e kësaj partie.
Kelmendi thotë se vet nuk është kyçur në garën zgjedhore brenda LDK-së, për të ruajtur imazhin e vet personal.
Ai thotë se nuk është i përfshirë në ndonjë grupacion brenda LDK-së, por mbështet vendimet e Kryesisë.
Për shkak të situatës së ndjeshme që ekziston në Kosovë dhe në raport me Serbinë e shumë çështje delikate, Kelmendi thotë se do të mbështeste edhe për një mandat që në krye të LDK-së të ishte Isa Mustafa.
“Nuk i njoh kandidatët tjerë që mund të jenë në garë, por do të mbështes secilin që sjellë të ardhme të mirë për LDK-në. Jam unifikues dhe rreshtimi im për ndonjë kandidatë pa i njohur do të më nxirrte nga qëndrimet e mia unifikuese”, tha ndër të tjera Kelmendi në “RTV Dukagjini”.