Këmbimi i robërve të luftës mes UÇK-së dhe Ushtrisë jugosllave

15 dhjetor 2022 | 11:56

PhD (C) Miftar KURTI

(Sipas shtypit shqiptar, serb, malazias, francez, gjerman, italian, spanjoll, britanik dhe amerikan)

Në luftën e Kosovës 1998-1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe Ushtria Jugosllave (UJ) luftuan për kauza krejt të ndryshme. E para  luf­tonte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e dyta për ta bërë spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe për ta mbajtur atë edhe më tej të pushtuar. Gjatë luftës u vranë, u plagosën, u zhdukën dhe u zunë robër ushtarë e komandantë. Zënia rob, mënyra e trajtimit, arritja e marrëveshjes për këmbimin e tyre dhe mënyra se si është paraqitur kjo temë në faqet e shtypit të kohës, përbëjnë esencën e këtij punimi.

Për këtë temë janë publikuar rreth 130 artikuj në shtypin shqiptar, serb, malazias, francez, gjerman, italian, spanjoll, amerikan dhe britanik. Artikujt janë publikuar në gazeta vendore e ndërkombëtare: Koha ditore, Kosova sot dhe Bota e re (Kosovë); Zëri i popullit dhe Ushtria (Shqipëri); Glas javnosti, Vreme, Nin dhe Republika (Serbi); Vijesti dhe Pobjeda (Mali i Zi); Le Monde, Liberation, Le Telegrame, Lorientlejour dhe Lexpress (Francë); Frankfuter Allgemeine Zeitung (Gjermani); La Stampa dhe La Republika (Itali); El Pais dhe El Mundo (Spanjë); The New York Times; The Guardian (ShBA dhe Britani) etj.

Në shtypin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri, nga data 9 deri më 26 janar 1999, janë botuar artikuj në gazetat: Koha ditore,[1] Kosova sot,[2] Bota e re,[3] Zëri i popullit[4] dhe Ushtria.[5] Se çfarë është thënë e shkruar në shtypin shqiptar, kam shkruar edhe më herët. Në asnjë mënyrë nuk kam lënë anash as agjencinë Kosova Press dhe Radion Kosova e Lirë (organe të UÇK-së), të cilat, po ashtu, i kam përdorur më herët si referenca.[6] Vonë kam kuptuar se edhe gazeta Zëri i Kosovës ka publikuar artikuj për këtë temë mirëpo, për shkak të kohës së kufizuar për dërgim për botim të këtij punimi, nuk kam arritur të siguroj ekzemplarë të saj. Prandaj, për shkak të natyrës së puni­mit dhe me qëllim që të mos përsëriten gjërat, kësaj radhe do të merrem më shumë me qasjen e shtypit ndërkombëtar.

Në shtypin serb dhe malazias,[7] me gjithë përpjekjet e regjimit që të kalojë në heshtje këtë temë, janë botuar artikuj në gazetat: Glas javnosti,[8] Vreme,[9] Nin[10] dhe Republika[11] (Serbi), Pobjeda[12] dhe Vijesti[13] (Mali i Zi).

Edhe në shtypin shqiptar, edhe në shtypin serbo-malazias, por edhe në atë evropian e botëror janë trajtuar çështje që u japin përgjigje pyetjeve se kur, ku, nga kush dhe si janë zënë rob, por edhe si janë trajtuar ushtarët e UÇK-së nga UJ-ja dhe anasjelltas. Shkojmë me radhë.

Më 14 dhjetor 1998, në zonën kufitare me Shqipërinë, më saktë te “Likenet e Hasit” në Gorozhub të Pashtrikut, UJ ka vrarë në pritë 36 ushtarë të UÇK-së, kurse i ka zënë rob 9 të tjerë.[14] Ushtarët që u zunë rob ishin: Enver Krasniqi, Xhavit Krasniqi, Ismet Krasniqi, Azem Suma, Blerim Spahiu, Nazmi Ballazhi, Samed Ballazhi, Sherif Balazhi dhe Merita Ramadani.[15]

Sipas gjeneralit të Ushtrisë Jugosllave, Bozhidar Deliq, i cili në atë kohë ishte komandant i Brigadës 549 të Motorizuar, ushtarët e asaj brigade të Korpusit të Prishtinës kanë zënë rob 9 ushtarë të UÇK-së. Ushtari me emrin e koduar “Soko 22”, të cilin e përdorte për komunikim në Motorola, si njëri nga pjesëmarrësit e pritës, për Telegraf-in serb rrëfen se si në orët e para të mëngjesit të datës 13 dhjetor (1998, M. K.) kishin marrë urdhër për t’u nisur nga fshati Planeja në kullën e rojës Liken me qëllim që të orga­nizonin pritë kundër UÇK-së në thellësi të kufirit. Pika e nisjes ishte 710 metra mbi nivelin e detit. Ata kishin zgjedhur një hapësirë ​​1 150 metra për vendin e pritës. Prita ishte ngritur taktikisht. Ajo ishte e përgatitur në atë mënyrë që t’i mbulonte tre drejtime. Kishin vendosur edhe mina… Atë mbrëmje, sipas ushtarit “Soko 22”, gjysmë ore para mesnate dëgjuam zhurmat nga drejtimi i kufirit… I pritëm që të afroheshin sa më afër… Kur ata hynë në territorin tonë…, ne hapëm zjarr mbi ta. Kështu filloi lufta. Ata qëlluan drejt nesh nga disa pozicione… Të shtënat e forta të armëve zgjatën deri në mëngjes. Vetëm në agim patëm mundësi t’i shikonim dhe t’i numëronim të vrarët. Aty mbetën të vrarë 36 pjesëtarë të UÇK-së, kurse u zunë rob 9 të tjerë.[16] Ata u dërguan në Gjykatën Ushtarake të Armatës së Tretë në Nish të Serbisë.[17]

Për mënyrën se si janë zënë dhe trajtuar ushtarët e UÇK-së rrëfen dhe dëshmon më së miri Enver Krasniqi, një nga të zënit rob, i plagosur shumë rëndë.

Më 14 dhjetor 1998, diku rreth orës 5:30 ose 6:00 të mëngjesit, 147 ushtarë të UÇK-së kemi ra në pritë para se të hynim në fshatin Lubizhdë të Hasit. Nga prita e organizuar nga Ushtria Jugosllavë vriten 36 ushtarë të UÇK-së, të udhëhequr nga komandant Mujë Krasniqi-Kapuçi. Aty jam plagosur edhe unë. Ngase isha i plagosur rëndë dhe nuk mund të ecja, atëherë forcat serbe më zunë rob së bashku me 8 ushtarë të tjerë. Shokët i morën dhe i nisën për Prizren, kurse unë mbeta aty tërë ditën dhe tërë natën me trupat e të vrarëve, i futur në një thes. Të nesërmen erdhi helikopteri për t’i marrë trupat e pa jetë. Bashkë me ta, në një thes, më kanë futur edhe mua dhe na kanë nisur për në Prizren… Në Prizren, në kazermën ushtarake, na kanë mbajtur deri kah mesdita. Aty erdhën OSBE-ja, i morën emrat dhe mbi­emrat tanë, bënë ca fotografi dhe ecën, kurse ne na lanë në duart e forcave serbe. Shokët që ishin zënë rob, i morën menjëherë, kurse mua më lanë prapë me kufoma, të mbyllur në thes, deri në mëngjesin e 15 dhjetorit. Aty na kanë maltretuar shumë. Më 16 dhjetor, me helikopter, na kanë dërguar në Kazermën Ushtarake në Nish të Serbisë. Atje vazhdoi terrori. Më 17-18 dhjetor më dërguan në sallë operacioni… Derisa më kanë mbajt në spital, kanë ardhur e ma kanë shqiptuar dënimin 10 vjet burg me mundësi vazhdimi. Në spital më kanë mbajtur deri më 31 dhjetor, pastaj më kanë dërguar në Kazermën Ushtarake në Nish, ku më kanë mbajtur deri më 23 janar 1999. Më 23 janar kanë ardhur OSBE-ja dhe na ka marrë pasi ishte arritur marrëveshja për këmbimin e robërve të luftës.[18]

Në mesin e të zënëve rob, siç shkruan gazeta italiane La Repubblica, datë 29 janar 1999, në artikullin me titull Ne, gratë e UÇK-së, luftëtaret për liri, përveç të plagosurve, kishte edhe në moshë të mitur, siç ishte rasti i 16-17 vjeçes Merita Ramadani. Për gazetën në fjalë ajo, ndër të tjera, rrëfen:

Më arrestuan teksa po kaloja kufirin me Shqipërinë natën e 14 dhjetorit. Shkova të marrë disa shokë të plagosur. Forcat serbe na zunë rob dhe na çuan në burg, na morën në pyetje, na mbanin në këmbë për orë të tëra, por edhe na rrihnin me shkopinj. Prokuroria për mua kishte kërkuar 25 vite burg. E kuptova që më liruan vetëm kur më futën në veturën e OSBE-së,[19] pasi ishte arritur marrëveshja për këmbimin e robërve të luftës.

Ismet Mazreku, një ushtar tjetër i UÇK-së, po ashtu i zënë rob më 14 dhjetor ’98, pas lirimit kishte rrëfyer për gazetën Koha ditore për tmerret që ai me shokët kishin përjetuar. Sipas tij, që nga momenti i zënies rob, gjatë tërë rrugës na kanë rrahur, derisa kemi arritur në kazermën ushtarake në Prizren”. Pastaj ,,tërë natën kemi qenë të detyruar të qëndronim në këmbë. Për tri ditë me radhë na kanë rrahur pa na dhënë asgjë për të ngrënë. Më kanë rrahur derisa më kanë rënë thonjtë e këmbëve. Ai nga Gjykata Ushtarake në Nish, me proce­durë të shpejtë, ishte dënuar me dhjetë vjet burg.[20]

Vrasjen në pritë të 36 ushtarëve të UÇK-së dhe trajtimin mizor të 9 të tjerëve të zënë rob, në mesin e të cilëve kishte të plagosur rëndë dhe të mitur, gjenerali Veselin Sljivanqanin e quan vepër heroike të ushtarëve të UJ-së që nuk duhet të harrohet kurrë.[21] Me barbari të tilla krenoheshin gjeneralët e UJ-së, me mizori të tilla vazhduan edhe në ditët e para të muajit janar të vitit në vijim. Më 3 janar 1999, rreth orës 22:00 të natës, te varrezat e fshatit Smrekonicë të Vushtrrisë, forcat serbe vrasin në një pritë ndihmëskoman­dantin për Logjistikë të Zonës Operative të Shalës (ZOSh), Xhevat Jusufin, kurse plagosin rëndë zëvendëskomandantin e Brigadës 141 Mehë Uka, Zymer Halimin. Mirëpo as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk qëndroi duarkryq. Pesë ditë më vonë, saktësisht më 8 janar 1999, rreth orës 11:30, në hyrje të fshatit Bare, pak kilometra mbi Minierën Trepça në Stantërg (komuna e Mitrovicës), Policia Ushtarake, së bashku me Njësinë Speciale të Brigadës 141 Mehë Uka të ZOSh, zunë rob një skuadër (7 ushtarë dhe 1 rreshter) të UJ-së derisa po tentonte të futej në territorin që e mbante nën kontroll UÇK-ja.[22] Ushtarët e zënë robër ishin: Nikolla Cvijoviq, Robert Çekanoviq, Aleksandar Subotiq, Nenad Joviçeviq, Marko Pavloviq, Aleksander Millashinoviq, Ivan Kostiq dhe rreshteri Dragan Jugoviq.[23] Sipas gazetës serbe Vreme, në mëngjesin e ditës së premte, më 8 janar 1999, në afërsi të vendba­nimit minerar Stanterg, në pjesën e Kosovës të malit Kopaonik, skuadra e policisë ushtarake ishte kthyer me shpejtësi në vendin e gabuar dhe kishte hasur në patrullën e UÇK-së në fshatin Bare. Skuadra ishte rrethuar dhe ishte detyruar të dorëzohet pa rezistencë, sepse rezistenca e mundshme do të ishte e kotë dhe vetëvrasëse.[24] Ishte hera e parë që gjatë nëntë muajve të luftës në Kosovë pjesëtarët e UÇK-së kishin arritur të zinin rob ushtarë jugosllavë,[25] shkruan në një artikull të saj gazeta franceze Liberation, por jo vetëm.

Reagimet nga Serbia ishin të ashpra. Partia Demokratike e Zoran Gjingjiqit, pasi kishte shprehur indinjatën për zënien rob të policëve ushtarakë të Brigadës 125 të motorizuar të UJ-së, deklaronte se çdo qytetar i Serbisë duhet ta shtrojë pyetjen se çka është bërë deri më tash për t’u shmangur tragjeditë e tilla… Pra, në Serbi akti i zënies rob të ushtarëve të tyre konsi­derohej tragjedi.[26] I ashtuquajturi Këshilli Kombëtar i Kosovës dhe Metohisë, në emër të të cilit fliste edhe iniciatori për formimin e këtij Këshilli, Marko Jakshiq, zënien rob e shihte si shenjë të qartë të dobësimit të pushtetit qendror serb në Kosovë[27] Pavarësisht prej reagimeve të ashpra të partive politike (kryesisht opozitare), as qarqet zyrtare, as mediet shtetërore serbe jo vetëm që nuk i kishin dhënë publicitet zënies rob të ushtarëve të tyre, por edhe ishin përpjekur ta mbanin të fshehur.[28]

Shtypi shqiptar dhe ndërkombëtar, ndryshe nga ai serbo-malazias, i japin hapësirë të konsiderueshme zënies rob të ushtarëve, por edhe e paraqesin një gjendje dramatike si në rrafshin ushtarak, ashtu edhe në atë politik dhe diplomatik. Për këtë kanë shkruar, përveç gazetat shqiptare, edhe gazetat franceze: Le Telegrame,[29] Lorientlejour[30] dhe Lexpress[31]; gjermane: Frankfurter Allgemeine Zeitung;[32] italiane: La Stampa;[33] spanjolle: El Pasi;[34] amerikane: New Yrok Times[35] dhe britanike The Guardian.[36] Siç mund të lexohet në faqet e shtypit, në rrafshin ushtarak Ushtria Jugosllave kishte pozicionuar njësi tankiste në zonën përreth Mitrovicës,[37] duke përfshirë transportues të blinduar.[38] Tanket ishin pozicionuar edhe në Stanterg 6-7 km larg nga Bajgora, ku mbaheshin ushtarët e UJ-së.[39] Dhjetëra tanke të tjera ishin në gatishmëri për të sulmuar nga Podujeva.[40] Një konvoj me 3 kamionë dhe 7 xhipa me ushtarë dhe policë kishte arritur nga qyteti i Vushtrrisë në Studimen e Epërme,[41] jo larg Bajgorës. Në Smrekonicë të Vushtrrisë, në hyrje të rrugës që shpinte në Shalë të Bajgorës, ishin pozicionuar forca të shumta ushtarake dhe policore, të cilat mbanin nën kontroll çdo lëvizje.[42] Gjithashtu, Brigada 125 e motorizuar, e vendosur në bazën ushtarake të UJ-së në fshatin Kutllovc të Mitrovicës, e cila në vijë ajrore nuk ishte në distancë më të largët se 3-4 km nga vendi ku po mbaheshin ushtarët, ishte në gatishmëri të lartë për të sulmuar.[43] Vetëm brenda një ore në mëngjesin e 11 janarit nga Serbia kanë hyrë në Kosovë rreth 100 transportues (auto­blinda, kamionë dhe mjete të tjera ushtarake e policore).[44] Kështu, forcat serbe, me gjithë këto forca, ishin përgatitur për ta sulmuar Shalën nga tri drejtime: nga Trepça dhe Mitrovica, nga Vushtrria, por dhe nga Podujeva. Mirëpo, edhe pse UJ kishte dërguar radhazi 3 ultimatume për lirimin pa kushte të atyre ushtarëve, UÇK-ja refuzoi t’i bindej çfarëdo ultimatumi.[45] Para një vendosmërie të tillë të UÇK-së, atëherë UJ, në mbrëmjen e 9 janarit hoqi dorë nga ultimatumet.[46] Pas një kundërultimatumi të UÇK-së, se nëse forcat serbe nuk tërhiqeshin menjëherë nga Stantërgu do të sulmoheshin, UJ-ja u detyrua të tërhiqet. Tërheqjen e forcave ushtarake e policore nga Stantërgu e kishin konfirmuar shumë gazetarë që ishin në vendin e ngjarjes, e kishte konfirmuar edhe agjencia beogradase e lajmeve Beta, por edhe zëdhënësi i Qendrës Rajonale të MVK-së në Mitrovicë, Heintz Nitch.[47] Forcat serbe ishin detyruar të largoheshin edhe nga rruga kryesore ku mbaheshin ushtarët e zënë.[48]

Në ato ditë të acarta dimri Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ballafaqohej me presionin ushtarak të Ushtrisë Jugosllave, me presionin publik të MVK të OSBE-së, por edhe me presionin politik e diplomatik të disa shteteve perëndimore. Në njoftimin për shtyp, më 9 janar 1999, OSBE fajësonte (publikisht) UÇK-në se është fajtore për tensionimin e situatës, kurse e lav­dëronte UJ-në për vetëpërmbajtje dhe për gatishmëri për të bashkëpunuar në atë situatë.[49] Kryesuesi i kësaj organizate, Knut Vollebaeck, këmbëngulte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e detyruar t’i lirojë pengjet pa kushte.[50] Presioni ishte shtrirë në të gjitha nivelet: në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në Komandën e Zonës Operative të Shalës (ZOSh),[51] veçan në komandantin e saj Rrahman Rama,[52] në komandën e Brigadës 141, por edhe tek ushtarët që patrullonin në Magjistralen Mitrovicë – Podujevë në rajonin e Shalës së Bajgorës. MVK, gjithashtu, kërkonte nga ushtarët e UÇK-së, të pozicionuar në pozicionet luftarake në Trepçali dhe në Melenicë, të tërhiqeshin nga pozicionet e tyre me arsyetimin se forcat serbe po e konsideronin veten të rrezikuar nga ndonjë sulm i mundshëm i tyre.[53]

Presion për lirim pa kushte të ushtarëve jugosllavë po bënin edhe shtetet, si: Franca, Italia, Gjermani, por edhe Rusia. Qeveria italiane kërkonte lirimin e menjëhershëm dhe pa asnjë kusht të ushtarëve jugosllavë, kurse Qeveria e Francës ishte edhe më e ashpër. Ajo iu bëri demarsh vëzhguesve të OSBE-së që t’i ndërmerrnin të gjitha masat për lirimin e tyre të menjë­hershëm dhe pa kushte.[54] Gjermania kishte kërkuar lirimin e menjëher­shëm të ushtarëve të UJ-së. Rusia e konsideronte këtë si “akt flagrant të terrorizimit”, por kërkonte nga autoritetet jugosllave të tregojnë vetëpër­mbajtje në këtë situatë komplekse. Reagime pati madje edhe nga Irani. Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hamid Reza Asefi, Irani kërkonte që “palët në konflikt të tregojnë përmbajtje dhe që dallimet në mes vete (Kosova dhe Serbia, M. K.), t’i zgjedhin me mjete diploma­tike”. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, kërkonte nga UÇK-ja t’i lironte ushtarët jugosllavë, kurse Millosheviqit i kërkonte t’i tërhiqte përforcimet në njerëz dhe armatim nga Veriu i Kosovës dhe të ndalte çfarëdo agresioni kundër fshatrave në rajon e Shalës së Bajgorës.[55]

Për zënien rob të ushtarëve, për gjendjen dramatike në terren dhe për presionin që po i bëhej UÇK-së, për lirimin pa kushte të ushtarëve jugosllavë, ku më shumë e ku më pak, janë publikuar artikuj në gazetat: franceze,[56] gjermane,[57] italiane,[58] spanjolle,[59] britanike dhe amerikane.[60] Duke qenë se UÇK-ja, pavarësisht prej presionit, ishte kategorike kundër lirimit pa kushte të ushtarëve jugosllavë atëherë, për të gjetur një zgjidhje, kryesuesi i radhës i OSBE-së, Knut Vollebaek, gjatë vizitës pesëditore në Ballkan, kishte shkuar edhe në Tiranë për ta takuar presidentin e Republi­kës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, kryeministrin Pandeli Majko dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Paskal Milo. Nga zyrtarët e lartë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë Vollebeak kërkonte që ta bindnin UÇK-në t’i lironte ushtarët jugosllavë pa kushte.[61] Në Tiranë Vollebek kishte takuar edhe akademik Rexhep Qosjen, nga i cili kërkonte të ushtronte ndikim tek UÇK-ja për lirimin pa kushte të robërve. Edhe Dan Everts, kryesues i OSBE-së në Shqipëri, kërkonte nga akademik Qosja ta ushtronte ndikimin e tij për lirimin e ushtarëve sepse, sipas tij, lirimi i tyre do të mund të shfry­tëzohet në të mirë të UÇK-së dhe të shqiptarëve në përgjithësi.[62] Vollebaek kishte shkuar edhe në Serbi për t’u takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme (MPJ) të RFJ-së, Zhivadin Jovanoviq dhe presidentin Millosheviq. Nga këta të fundit kërkonte mundësinë e shtyrjes së ultimatumit të dhënë së fundi edhe nga Millosheviqi.[63]

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë këtë çështje e kishte dërguar edhe në Këshillin e Sigurimit të KB-së, duke kërkuar që Këshilli të dilte me një deklaratë[64] Pas një debati të ashpër, Këshilli i Sigurimit nuk kishte arritur pajtimin për miratimin e projektdeklaratës ruse, sepse Projektdeklarata dënonte me forcë aksionet e UÇK-së dhe kërkonte “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të saj. Ambasadori i Sllovenisë, Danillo Turk, kishte kundërshtuar veçanërisht cilësimet pengje dhe veprimtari terro­riste të përdorura nga projektdeklarata ruse. Madje përfaqësuesi slloven kishte theksuar, gjithashtu, se Beogradi ishte pengesa kryesore për paqen dhe jo “indipendistët kosovarë”.[65]

Pavarësisht prej presionit të madh nga të gjitha anët, UÇK-ja ishte e vendosur të kërkonte shkëmbimin e ushtarëve jugosllavë me shqiptarët që mbaheshin në burgje. Sipas analistit serb Zoran B. Nikoliq, UÇK-ja së pari kërkoi nga pala jugosllave të lirojë të gjithë shqiptarët e burgosur dhe të rrëmbyer, pastaj ajo bëri një kërkesë më të arsyeshme: kërkoi lirimin e 9 ushtarëve të UÇK-së në këmbim të 8 ushtarëve të UJ-së.[66] Sipas analistit tjetër serb Millosh Vasiq, bisedimet e fshehta u zhvilluan me ndërmjetësimin e misioneve të huaja në Kosovë.[67]

Për rrjedhën e bisedimeve dhe për arritjen e marrëveshjes për këmbimin e robërve të luftës kanë shkruar edhe prestigjiozet: Liberation,[68] Frankfurter Allgemeine Zeitung,[69] El Pais[70] dhe New York Times[71]. Nga burime të ndry­shme të kohës mësojmë se bisedimet kanë zgjatur nga data 9 deri më 13 janar. Ato janë zhvilluar në zonën e përgjegjësisë ku operonte ZOSh, por edhe në ShP të UÇK-së.[72] Sipas Jakup Krasniqit, i cili ishte një nga për­faqësuesit e UÇK-së në bisedime, takimi i parë me KDOM-in amerikan në krye me Shon Bërns dhe OSBE-në, të cilën e përfaqësonte majori anglez Dejvid, mbahet në Dragobil më 9 janar 1999. Edhe pse majori Dejvid qysh në takimin e parë bëri presion të madh në përfaqësuesit e UÇK-së për lirim pa kushte të ushtarëve jugosllavë, një gjë e tillë nuk dha rezultate. Takimi i dytë me radhë qe mbajtur më 11 janar 1999 në fshatin Drenoc të Vllehëve në komunën e Malishevës. Në takim, nga ShP i UÇK-së, merrnin pjesë: Jakup Krasniqi, Sokol Bashota, Ramë Buja dhe Adem Grabovci, kurse nga pala ndërkombëtare ndërmjetësuese merrnin pjesë ambasadori ame­rikan në Shkup, Kristofer Hill dhe ambasadori austriak W. Petriç. Takimi kishte zgjatur mbi pesë orë, por marrëveshje nuk ishte arritur. Takimi i tretë dhe i fundit, mes përfaqësueseve të ShP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Sokol Bashota, Ramë Buja dhe Shaban Shala, në njërën anë, dhe përfaqë­suesve të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadori amerikan Hill, i BE-së, Petriq dhe OSBE-së, W. Walker, në anën tjetër, u mbajt në Likoc të Dre­nicës më 13 janar 1999. Edhe pse kishte rrezik që bisedimet të dështonin, marrëveshja u arrit falë vendosmërisë dhe gjindshmërisë së udhëheqësit të KDOM-it amerikan Shon Bërns, por edhe britanikëve. Më 13 janar, pas pesë orë bisedimesh, në prani të një numri ta madh të gazetarëve, u bë publik lajmi për arritjen e marrëveshjes për këmbimin e robërve. Atë ditë u liruan 8 ushtarët jugosllavë, kurse më 23 janar u liruan 9 ushtarë të UÇK-së.[73]

Nëse lajmi për zënien rob të 8 ushtarakëve jugosllavë, por dhe për arritjen e marrëveshjes ishte publikuar shpejt në medie shqiptare dhe botërore, akti i lirimit të 9 ushtarëve të UÇK-së nga UJ-ja më 23 janar 1999 nuk ishte lejuar të përcillet nga mediet. Pra, asnjë medie nuk ishte lejuar të jetë e pranishme në momentin e dorëzimit të ushtarëve të UÇK-së. Këtë e kishte kërkuar Misioni Diplomatik (KDOM-i) amerikan. Së paku kështu thuhet në një shkrim të gazetës ,Koha ditore.[74]

Përtej të gjitha këtyre sfidave, marrëveshjes për këmbimin e robërve, qar­qet zyrtare dhe mediet shtetërore serbe jo vetëm që nuk i dhanë publicitet, por përpiqeshin ta mbanin të fshehur. Krejt kjo përpjekje bëhej për ta ruaj­tur imazhin e vet.[75] Organet zyrtare të RFJ-së, gjithashtu, për arritjen e marrëveshjes nuk kishin lejuar të raportonte as Radio Televizioni i Serbisë (RTS). Ishte gazeta Glas javnosti ajo që kishte raportuar për arritjen e marrë­veshjes, duke iu referuar një zyrtari të Qeverisë të RFJ-së…[76] Pra, fshehtësia nuk u ruajt: marrëveshja u zbulua nga publiku. Kjo shkaktoi nervozizëm diplomatik dhe politik në anën jugosllave, sepse pala jugosllave para opinionit publik kishte këmbëngulur që lirimi i tetë ushtarëve të UJ ishte “i pakushtë­zuar”. Natyrisht këtë e kishte bërë që ta ruante imazhin dhe reputacionin… Kjo përpjekje për të ruajtur fytyrën dështoi.[77] Vojisllav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë, me rastin e arritjes së marrëveshjes, kishte vlerësuar se kreu ushtarak e politik i vendit (RFJ-së, M. K.) është pajtuar me kërkesat dhe ultimatumet e UÇK-së, duke bërë kështu një precedent tejet të rrezikshëm. Sipas tij, UÇK-së i është njohur legjitimiteti, ajo është niveluar me UJ-në, madje në këtë rast ajo edhe ka dalë fitimtare.[78] Ndër­kaq zëvendëskryeministri jugosllav Nikola Shainoviq refuzonte versionin, ku UÇK-ja paraqitej si një bashkëbiseduese dhe pjesë e marrëveshjes. Për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që thotë Shainoviq, mjafton të lexohet një shkrim i veçantë për këtë çështje te gazeta Glas javnosti. Aty citohet një zyrtar… i Qeverisë Federale, i cili në kushte anonimiteti deklaron se bëhet fjalë për një marrëveshje gojore ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare.[79] Ndërmje­tësit ndërkombëtarë në bisedime, ambasadori Uilliem Uoker, Kristofer Hill dhe Petriq, ishin të kënaqur që Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte liruar tetë ushtarët jugosllavë, kurse marrëveshjen e quanin fer dhe të balancuar…[80] I rëndësishëm me këtë rast është edhe fakti se shtete të fuqishme perëndi­more e kishin mirëpritur marrëveshjen, ndër të cilët vetë ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Joshka Fisher, ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Hubert Vedrine, sekretari i jashtëm britanik Robin Kuk.[81] Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, jo vetëm që e kishte përshëndetur arritjen e marrëveshjes, por edhe e cilësonte atë si rreze shprese për paqen në Kosovë.[82] Kjo marrëveshje, sipas një shkrimi në gazetën Le Monde, do të mund të shërbente si bazë për shfaqjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit” në Kosovën me shumicë shqiptare.[83]

Nëse askund tjetër, atëherë te burimet serbe gjejmë përgjigjen në pyetjen pse UJ-ja nuk pati guximin të ndërmerrte sulm në pozicionet e UÇK-së për t’i liruar ushtarët e saj. Sipas kolonelit të UJ-së, Milan Kotur, kjo ishte arsyeja: Sepse ishte në pyetje policia, ishte policia ushtarake, ishin shtatë policë dhe një nënoficer të Brigadës 125 të Motorizuar me komplet pajisjet… Ata nuk ishin ushtarë të zakonshëm.[84]

Nëse në fillim të punimit kam shkruar se si UJ i kishte keqtrajtuar ushtarët e UÇK-së të zënë rob, atëherë e shoh të arsyeshme t’i them disa fjalë se si UÇK-ja i kishte trajtuar ushtarët jugosllavë. Për këtë çështje janë publikuar shkrime te gazetat shqiptare, te gazeta serbo-malaziase, por edhe te gazetat prestigjioze botërore si: Frankfurter Allgemeine Zeitung,[85] La Stampa,[86] El Pais,[87] El Mundo[88] etj. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila i konsideronte ushtarët jugosllavë si robër lufte, e jo si pengje, siç i quante OSBE-ja dhe një pjesë e shtypit, do t’i trajtonte ata në përputhje me marrë­veshjet ndërkombëtare.[89] Ata jo vetëm që nuk i kishte vrarë, plagosur a keqtrajtuar, por u kishte dhënë edhe ushqim e cigare. I lejonte t’i vizitonin e fotografonin zyrtarët e Misionit Verifikues, gazetarë e kameramanë të medieve të shkruara dhe elektronike ndërkombëtare. I lejonin edhe t’i kontaktonin familjarët në telefon, t’u shkruanin letra dhe t’u dërgonin foto­grafi atyre. Një trajtim të tillë gjatë luftës nuk e kishin pasur asnjëherë 9 ushtarët e UÇK-së të zënë rob nga UJ. As ushtarët, as të burgosurit poli­tikë, as pengjet, as fëmijët e pleqtë, as të sëmurit, madje as gratë shtatzëna shqiptare.

Se ushtarët jugosllavë nuk ishin keqtrajtuar në asnjë rast, rrëfen për gazetën spanjolle El Pais komandanti i tyre Dragan Jugoviç, 28 vjeç: Ata nuk na keqtrajtuan, gjithçka është në rregull.[90] Më herët kishte deklaruar edhe për agjencinë Asocieted Pres. Për trajtimin korrekt dhe sipas konventave ndërkombëtare dëshmon edhe sot e asaj dite videoja e Agjencisë Asocieteed Press (AP), e cila ende gjendet në Youtube.[91]

Në video të agjencisë Asocieteed Press (AP), shihet një lokal, ndoshta një ndërtesë shkollore, në të cilën ka banka dhe dyshek. Aty shihet se si tetë ushtarët janë ulur dhe pinë cigare. Ushtarët kanë të mbathur çorape. Askush nuk mund të shohë gjurmët e ndonjë keqtrajtimi. ”Zotërinjtë e UÇK-së janë shumë korrektë me ne”, thotë rreshteri Dragan Jugoviq dhe ushtari Nikola Cvijoviq për gazetarët AP,[92] shkruante në atë kohë në një artikull analisti serb Nikoliq për gazetën Vreme.

Një dëshmi tjetër, e publikuar në shtyp, e cila edhe sot e kësaj dite është e qasshme për publikun, që dëshmon se ushtarët jugosllavë janë trajtuar sipas konventave ndërkombëtare, është edhe njoftimi për medie e KVM të OSBE-së, lëshuar më 10 janar 1999, të cilën po e japim të plotë:

PRISHTINË, 10 janar 1999 – Ndërmjetësuesit e KVM të OSBE-së në negociatat për lirimin e 8 ushtarëve të UJ-së konfirmojnë se ata i kanë vizituar të burgosurit rreth orës 15:15 të së shtunës të datës 9 janar, por edhe më 10 janar. Ndërmjetësuesit raportojnë se të gjithë të arrestuarit ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtoheshin mirë. Gjatë vizitës u bënë fotografi dhe të arrestuarit u shkruan letra familjeve të tyre. Letrat dhe fotografitë do t’u kalojnë familjeve të tyre. Ndërmjetë­suesit e KVM i OSBE-së kanë vazhduar përpjekjet e tyre ndërmjetësuese gjatë gjithë natës.[93]

Një dëshmi tjetër e pazakonshme është edhe letra falënderuese që ia kanë dërguar pas luftës komandantit të ZOSh, Rrahman Rama, dy prej atyre ushtarëve.[94]

Edhe pse të gjitha burimet e shkruara dhe elektronike, në të cilat unë kam pasur qasje, dëshmojnë se UÇK-ja kishte zënë rob 8 ushtarë të UJ-së, fatkeqësisht ka një rast kur përpiqet ta mohojë atë që nuk e kanë mohuar në asnjë rast as burimet serbe. Është fjala për librin e Shyqyri Nimanit 78 ditë bombardime të NATO-s sipas gazetave britanike. Në faqet 125 dhe 126 të librit gjendet shkrimi i përkthyer nga gazeta The Daily Telegraph, datë 20 janar 1999, me titull Millosheviqi është paralajmëruar për goditjet ajrore të NATO-s. Gazeta ka botuar edhe një grafikon me të dhëna për ngjarjet e fundit, ku veçohet edhe zënia rob e 8 ushtarëve jugosllavë nga UÇK-ja. Aty, në gjuhën angleze, shkruan: “Jan 8, 1999: The KLA takes eight Serb soldiers hostage, kurse në gjuhën shqipe është përkthyer kështu: 8 janar 1999: UÇK-ja merr peng tetë serbë.[95]

Siç edhe mund të vërehet fare lehtë, teksti në gjuhën angleze flet se UÇK-ja kishte zënë rob 8 ushtarë, kurse në tekstin në gjuhën shqipe paturpësisht është hequr fjala kyçe e tekstit: ushtarë (soldiers).[96] Pra, sipas këtij teksti, UÇK-ja paska marrë peng serb, por jo ushtarë serbë. Këtë të dhënë kaq skandaloze nuk mund ta gjeni te asnjë artikull gazete shqiptare, serbe, malazeze, franceze, gjermane, italiane, britanike a amerikane. Se me çfarë qëllimi e ka bërë këtë autori i librit, mund ta thotë vetëm ai, porse se po vazhdon të zhvillohet një luftë frontale kundër UÇK-së tash e 23 vjet, kjo nuk mund të mohohet. Ky “lëshim” nuk mund të quhet ndryshe vetëm pjesë e orkestruar e kësaj fushate.

Pavarësisht prej gjithë kësaj, shtypi i kohës merret edhe me epilogun e ngjarjes. Trajtimi korrekt dhe i mirë që UÇK-ja në të gjitha rastet ua ofroi ushtarëve jugosllavë, u dha atyre pikë në medie, në opinion.[97] Kjo e kishte ngritur shumë imazhin e UÇK-së, e kishte faktorizuar edhe më shumë atë, prandaj edhe burimet serbe e kanë pranuar qysh atëherë se: …UÇK-ja është fakt i pamohueshëm… Ky formacion është krejtësisht i njëjtë (si ushtritë tjera – M. K.), pavarësisht nëse dikush atë e quan “të ashtuquajtur”. UÇK-ja është një fakt i kryer ose një akt i përfunduar, e cila rrjedhimisht e nxjerr legjitimitetin e vet në terren.[98] Dhe në histori. Kjo është histori që vetëm mund të lexohet e mësohet përmendsh, por jo të ndryshohet. Prandaj, siç ka deklaruar atëherë analisti serb Zoran B.Nikoliq, Serbia, pas këtij rasti, … nuk është më në gjendje ta shkatërrojë UÇK-në me anë të forcës… Tentimi për diçka të tillë do të na kushtonte më shumë se sa duhet të paguajmë,[99] shkruante ai.

Për fitoren ushtarake, politike dhe diplomatike të UÇK-së karshi UJ-së dhe Serbisë kanë shkruar edhe gazetat prestigjioze botërore. Në një analizë të Matthias Rüb, me rastin e arritjes së marrëveshjes, botuar te Frankfurter Allgemeine Zeitung, më 16 janar 1999, ndër të tjera, shkruan: Një shkëmbim i të burgosurve në mënyrë efektive do t’i jepte UÇK-së statusin e një ushtrie. Pse UÇK-ja të mos festojë publikisht çlirimin e suksesshëm të luftëtarëve të saj?[100] Meqë Serbia u detyrua t’i lirojë 9 ushtarë të UÇK-së më 23 janar, shtatë ditë pas publikimit të kësaj analize. Si rezultat i marrëveshjes, ajo ia dha de fakto UÇK-së statusin e ushtrisë, ia dha edhe një fitore të madhe. Kjo fitore ushtarake në terren dhe politike në tavolinën e bisedimeve, sipas një artikulli në shtypin francez, kishte edhe dimension politik e diplomatik. Këtë dimen­sion UÇK-ja e shfrytëzoi me mençuri. Sipas Pierre Hazan (gazeta Liberation): Për shkak se kunji i vërtetë ishte edhe politik UÇK (me këmbënguljen e saj për arritjen e marrëveshjes për këmbimin e robërve të luftës – M. K.): kërkoi dhe arriti të merrte një njohje më të madhe diplomatike, jo vetëm të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të armikut serb, duke kërkuar një shkëmbim të të burgosurve[101]

Në këto të përditshme, javore dhe mujore shqiptare, serbe, malazeze, franceze, gjermane, italiane, spanjolle, amerikane dhe britanike, gjejmë lajme, reportazhe, komunikata, intervista, opinione, deklarata, komente dhe analiza. Diskursi është i ndryshëm varësisht nga politika redaktuese e gazetës, varësisht nga gjuha dhe shteti. Fjalët kyçe në diskursin e tyre janë: Kosovë, UÇK, Serbi, UJ, OSBE, ShBA, BE, marrëveshje etj.

Sipas ambasadorit U. Uoker, janë tri ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë gjatë fundit të vitit 1998 dhe në janarin e vitit 1999 të cilat e kanë përshpej­tuar thirrjen e Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje në dobi të Kosovës dhe popullit të saj. Njëra nga to, sipas tij, është marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare për lirimin e pengjeve të luftës.[102]

Konkluzione

Zënia rob, trajtimi sipas konventave ndërkombëtare dhe arritja e marrë­veshjes për këmbimin e robërve, është një nga veprimet më të mençura ushtarake, politike, diplomatike dhe humanitare deri atëherë me të cilën UÇK-ja tërhoqi aq shumë vëmendjen e faktorit relevant ndërkombëtar. Ky veprim i mençur u vlerësua nga faktori ndërkombëtar, por edhe zuri hapë­sirë të konsiderueshme në shtypin shqiptar dhe botëror.

Me arritjen e marrëveshjes për lirimin dhe për shkëmbimin e robërve të luftës, sipas analizës së Frano Cakajt, UÇK kishte djegur skenarin kriminal serb, Millosheviqit iu pamundësua që “me pengun e tetë ushtarakëve” të justifikonte një operacion në shkallë të gjerë për spastrimin etnik, tashmë në anën tjetër të Kosovës (në veri). UÇK shmangu masakër të mundshme, por edhe arriti një marrëveshje me faktorin ndërkombëtar.[103] Në Këshillin e Sigurimit dështoi përpjekja serbo-ruse që përmes një deklarate ta shpallnin UÇK-në organizatë terroriste. Jo vetëm që nuk u arrit një gjë e tillë, por ndodhi e kundërta. UÇK-ja vetëm sa u faktorizua dhe u ngrit imazhi i saj. Siç deklaronte edhe një udhëheqës i një partie të Serbisë, Vojsllav Koshtu­nica, UÇK-së iu njoh legjitimiteti, ajo u nivelua me UJ-në, por edhe korri fitore përballë saj.

UÇK-ja edhe me këtë rast dëshmoi se lufta e saj ishte çlirimtare e jo bar­bare; se ajo i respektonte konventat ndërkombëtare.

UÇK-ja me këtë akt, gjithashtu, e demaskoi Serbinë, e cila me çdo mjet e mënyrë përpiqej ta paraqiste atë para faktorit ndërkombëtar si organizatë terroriste, gjë që nuk e arriti.

Krejt në fund duhet thënë se kjo marrëveshje dëshmoi një fakt të pamo­huar se edhe në rrethana dramatike (siç ishte lufta në Kosovë), nëse ka një ndërmjetësim korrekt dhe nëse ka vullnet nga të dyja palët, mund të arrihet çfarëdo marrëveshje.

[1] Koha ditore, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 24 dhe 25 janar 1999.

[2] Kosova sot, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16 dhe 26 janar 1999.

[3] Muhamet Mavraj, UÇK-ja është dëshmuar tashmë si garancë e ardhmërisë së Kosovës, Bota e re, 31 janar 1999, f. 4-5.

[4] Zëri i popullit, 10, 12, 13, 14, 15, 16 dhe 24 janar 1999.

[5] Ushtria, 13 dhe 16 janar 1999.

[6] Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017; Miftar Kurti, Veprimtaria luftarake e Zonës Operative të Shalës në shtypin e Kosovës dhe Shqipërisë 1998-1999, Kosova, nr. 44, f. 237-250; Miftar Kurti, Lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së, Kosova, nr. 42, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2019.

[7] Miftar Kurti, Veprimtaria luftarake e Zonës Operative të Shalës sipas shtypit serb dhe malazias 1998-1999, Kosova, nr. 46, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2021, f. 209-221.

[8] R. Barjaktarević, Pisma i fotografije za porodice, Glas javnosti, br. 218, 12 januar 1999; R. Barjaktarević, Dogovoren rok zaoslobađanje vojnika VJ, Glas javnosti, br. 218, 12 januar 1999; R. Barjaktarević, Dogovoreno oslobađanje, Glas javnosti, br. 219, 13 januar 1999; R. Barjaktarević, Televizijska ekipa Asošijeted presa snimila kidnapovane pripadnike VJ, Glas javnosti, br. 219, 13 januar 1999; GŠ VJ, Ako bude trebalo primenićemo silu, Glas javnosti, br. 219, 13 januar 1999; R. Barjaktarević, Vojnici su oslobođeni, Glas javnosti, br. 220, 14 januar 1999; R. B., Srećnivojnici u svojim kućama, Glas javnosti, br. 221, 15 januar 1999; R. B., Pušteno devet terorista, Glas javnosti, br. 229, 25 Januar 1999; V. Đorđević, Dogovorili gest dobrevolje?, Glas javnosti, br. 230, 26 januar 1999.

[9] Zoran B. Nikoliq: Drama otetih vojnika, Miloš Vasić: Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja, Vreme, br. 430, 16 januar 1999; Vreme, br. 432, 30 januar 1999.

[10] Nin, br. 2507, 14 januar 1999 (http://www.nin.co.rs/arhiva/2507/index.html)

[11] Republika, Godina XI (1999), broj 206, 1-15 februar 1999.

[12] Pobjeda, 11, 12, 13, 15 janar 1999; Ismet Kallaba, Imazhi i shqiptarëve në mediat e shkruara malazeze: nga pluralizmi deri te konflikti i Kosovës (1998-1999), punim masteri, 2017.

[13] Šćekić, Slavoljub, Okoncana petodnevna drama osmorice vojnika koje je OVK drzala u zarobljeništvo, Vijesti, br. 419, 14 januar 1999.

[14] https://www.google.com/url?sa=i&url=https%3A%2F%2Fwww.republika.rs%2Fvesti%2 Ftema-dana%2F125595%2Fkljucni-detalji-akcije-u-kojoj-je-sedam-srba-eliminisalo-cak-100-terorista-ovk&psig=AOvVaë3XeX77cyQKJdvklGVM1K9c&ust=1642476348923000& source=images&cd=vfe&ved=2ahUKEwjE_fOr67f1AhUR8LsIHbNYCxIQr4kDegQIARBE. Shikuar më 17.01.2022.

[15] Bisedë me Enver Krasniqin (i zënë rob nga UJ), Prishtinë, 06.05.2013.

[16]https://www.google.com/url?sa=i&url=https%3A%2F%2Fwww.republika.rs%2Fvesti%2Ftema-dana%2F125595%2Fkljucni-detalji-akcije-u-kojoj-je-sedam-srba-eliminisalo-cak-100-terorista-ovk&psig=AOvVaw3XeX77cyQKJdvklGVM1K9c&ust=1642476348923000& source=images&cd=vfe&ved=2ahUKEëjE_fOr67f1AhUR8LsIHbNYCxIQr4kDegQIARBE. Shikuar më 17.01.2022

[17] Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja, Vreme, br. 432, 30, januar 1999.

[18] Bisedë me Enver Krasniqin, Prishtinë, 06.05.2013; Fazli Muharremi, Shkëmbimi, dokumentar, 2020.

[19] https://ricerca.repubblica.it/repubblica/archivio/repubblica/1999/01/29/noi-donne-dell-uck-guerriere-per-la.html, qasja 14.02.2022

[20] Koha ditore, 25 janar 1999.

[21]https://www.google.com/url?sa=i&url=https%3A%2F%2Fwww.republika.rs%2Fvesti%2Ftema-dana%2F125595%2Fkljucni-detalji-akcije-u-kojoj-je-sedam-srba-eliminisalo-cak-100-terorista-ovk&psig=AOvVaw3XeX77cyQKJdvklGVM1K9c&ust=1642476348923000& source=images&cd=vfe&ved=2ahUKEwjE_fOr67f1AhUR8LsIHbNYCxIQr4kDegQIARBE.Shikuar më 17.01.2022.

[22] Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017, f. 10.

[23] Glas javnositi, br. 2018, 14 januar 1999.

[24]Zoran B. Nikoliq, Drama otetih vojnika, Vreme, br. 430, 16 januar 1999; Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja, Vreme, br. 432, 30 januar 1999.

[25] Liberation, 9/01/1999. (https://www.liberation.fr/planete/1999/01/09/rapt-de-soldats-yougoslaves-au-kosovo-ce-coup-d-eclat-de-l-uck-met-en-peril-un-cessez-le-feu-deja-fr_263246/, qasja 16.o5.2021); Frankfurter Allgemeine Zeitung, 09.01.1999, Nr. 7/1, S. 1.

[26] Fahri Musliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, Prizren, 2006, f. 13.

[27] Nin, br. 2507, 14 januar 1999.

[28] Fahri Musliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, Prizren, 2006, f. 18.

[29]https://www.letelegramme.fr/ar/viewarticle1024.php?aaaammjj=19990110&article=4971990&type=ar, qasja 16.05.2021.

[30]https://www.lorientlejour.com/article/283145/Kosovo_-_Huit_soldats_captures_par_les_ independantistes_libanais_Larmee_yougoslave_menace_de_lancer_une_operation_contre_lUCK_(photo).html, qasja 16.05.2021.

[31]https://www.lexpress.fr/actualite/monde/europe/chronologie-de-la-guerre-du-kosovo-1989 -1999_477405.html, qasja 21.09.2021.

[32] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8, S. 2.

[33] La Stampa, 9 janar 1999.

[34] https://elpais.com/diario/1999/01/09/internacional/915836416_850215.html QASJA 15.04.2022.

[35] https://www.nytimes.com/1999/01/10/world/fighting-in-kosovo-rebels-hold-soldiers.html

[36] https://www.theguardian.com/world/1999/jan/12/balkans qasja 15.03.2022

[37] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8/2, S. 1.

[38]https://www.letelegramme.fr/ar/viewarticle1024.php?aaaammjj=19990110&article=4971990&type=ar. Shikuar më 16.05.2021.

[39] https://www.nytimes.com/1999/01/13/world/under-a-threat-kosovo-rebels-agree-to-free-8-yugoslav-soldiers.html Qasja 27.04.2022

[40] Par Pierre Hazan, L’UCK libère des soldats serbes. Belgrade se serait engagé à relâcher neuf séparatistes kosovars. Liberation, 14/01/1999 (https://www.liberation.fr/planete/1999/01/14/l-uck-libere-des-soldats-serbes-belgrade-se-serait-engage-a-relacher-neuf-separatistes-kosovars_261112/. Shikuar më 16.05.2021).

[41] Instituti i Historisë, Prishtinë, Arkivi i luftës…, f. 98.

[42] Koha ditore, 10 janar 1999.

[43] Fond za humanitarno pravo, Dosije 125. motorizovana brigada Vojske Jugoslavije (http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2013/10/Dosije-125.pdf). Shikuar më 23.09.2021.

[44] Eter Bogdani, Paramësymja serbe dhe robërit e saj, Ushtria, 13 janar 1999.

[45] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8/2, S. 1; Koha ditore, 10 janar 1999.

[46] Koha ditore, 10 janar 1999; Kosova sot, 10 janar 1999.

[47] Kosova sot, 11 janar 1999; Koha ditore, 11 janar 1999.

[48] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 12.01.1999, nr. 9, S. 2.

[49] https://www.osce.org/kvm-closed/52289. Shikuar më 15.03.2022; Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8/2, S. 1; Koha ditore, Kosova sot.

[50] Par Christophe Chatelot, La détention de huit soldats serbes par l’UCK rend la situation au Kosovo explosive, Le Monde, 12/01/1999 (https://www.lemonde.fr/archives/article/1999/01/12/la-detention-de-huit-soldats-serbes-par-l-uck-rend-la-situation-au-kosovo-explosive_3530287_1819218.html, Qasja 17.09.2021 ).

[51] Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe, botimi i dytë, Buzuku, Prishtinë, 2007, f. 150, 151.

[52] Agim Zogaj, Vdekja erdhi pa paralajmërim, Zëri, Prishtinë, nëntor 2002, f. 18.

[53] Miftar Kurti, Vrojtime historike…, f. 9-29; Agim Zogaj, Vdekja erdhi pa paralajmërim, Zëri, Prishtinë, nëntor 2002, f. 18; Bisedë me Hysni Ahmetin, maj 2013; Bisedë me Qamil Mehollin, 29.03.2013.

[54] Fehmi Baftiu, Kosova krizë ndërkombëtare, Çlirimi, Prishtinë, 2004, f. 288, 289.

[55] Koha ditore, 11 janar 1999; Kosova sot, 11 janar 1999.

[56] https://www.liberation.fr/planete/1999/01/11/kosovo-l-osce-tente-de-faire-liberer-les-otages-yougoslavesces-huit-soldats-ont-ete-enleves-vendredi_263297/. Shikuar më 16.05.2021; https://www.lorientlejour.com/article/283145/Kosovo_-_Huit_soldats_captures_par_les_independantistes_libanais_Larmee_yougoslave_menace_de_lancer_une_operation_contre_lUCK_(photo).html, qasja 16.05.2021; Par Christophe Chatelot, La détention de huit soldats serbes par l’UCK rend la situation au Kosovo explosive, Le Monde, 12/01/1999 (https://www.lemonde.fr/archives/article/1999/01/12/la-detention-de-huit-soldats-serbes-par-l-uck-rend-la-situation-au-kosovo-explosive_3530287_1819218.html, Qasja 17.09.2021 );

[57] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8, S. 2; Frankfurter Allgemeine Zeitung, 12.01.1999, nr. 9, S. 2.

[58] La Stampa, 9 janar 1999.

[59] https://www.elmundo.es/elmundo/1999/enero/10/internacional/kosovo.html. Shikuar më 15.03.2022.

[60]https://www.nytimes.com/1999/01/10/world/fighting-in-kosovo-rebels-hold-soldiers.html; https://www.nytimes.com/1999/01/12/world/key-aide-slain-as-kosovo-standoff-worsens.html QASJA 27.04.2022.

[61] Paskal Milo, Ditari i një ministri të jashtëm, Toena, Tiranë, 2009, f. 127; Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1990-1998), Ditar VII, Toena, Tiranë, 2016, f. 699-700; Zëri i popullit, 10 janar 1999; Koha ditore, 10 janar 1999; Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8/2, S. 1.

[62] Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike (1990-1998), Ditar VII, Toena, Tiranë, 2016, f. 699-700

[63] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 12.01.1999, nr. 9, S. 2

[64] Shaqir Vukaj, Rusia dhe Kosova, Tiranë, 2007, f. 230-231.

[65] Frano Caka, Alarm për 8 serbë të zënë rob, Zëri i popullit, 13 janar 1999, f. 9; Shaqir Vukaj, Rusia dhe Kosova, Tiranë, 2007, f. 230-231.

[66] Zoran B. Nikoliq, Drama otetihvojnika, Vreme, br. 430, 16 januar 1999.

[67] V. Đorđević, Dogovor ili gest dobre volje?, Glas javnosti, br. 230, 26 januar 1999.

[68]https://www.liberation.fr/planete/1999/01/11/kosovo-l-osce-tente-de-faire-liberer-les-otages-yougoslavesces-huit-soldats-ont-ete-enleves-vendredi_263297/, qasja 16.05.2021; https://www.liberation.fr/planete/1999/01/13/kosovo-accord-sur-la-liberation-des-soldats_263529/, qasja 16/05/2021; Par Christophe Chatelot, La détention de huit soldats serbes par l’UCK rend la situation au Kosovo explosive, Le Monde, 12/01/1999 (https://www.lemonde.fr/ archives/article/1999/01/12/la-detention-de-huit-soldats-serbes-par-l-uck-rend-la-situation-au-kosovo-explosive_3530287_1819218.html, Qasja 17.09.2021 ).

[69] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 13.01.1999, nr. 10, S.

[70]https://elpais.com/diario/1999/01/11/internacional/916009210_850215.html;https://elpais.com/diario/1999/01/13/internacional/916182010_850215.html QASJA 15.04.2022

[71] https://www.nytimes.com/1999/01/13/world/under-a-threat-kosovo-rebels-agree-to-free-8-yugoslav-soldiers.html QASJA 27.04.2022

[72] Instituti i Historisë, Prishtinë, Arkivi i luftës, KosovaPress, Prishtinë, 2016, f. 89, 92.

[73] Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe, botimi i dytë, Buzuku, Prishtinë, 2007, f. 150-155.

[74] Koha ditore, 24 janar 1999.

[75] Fahri Musliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, Prizren, 2006, f. 18.

[76] V. Đorđević, Dogovor ili gest dobre volje?, Glas javnosti, br. 230, 26 januar 1999.

[77] Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja, Vreme, br. 432, 30 januar 1999; Glas javonsti

[78] Fahri Musliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, f. 20, 23.

[79] V. Đorđević, Dogovor ili gest dobre volje?, Glas javnosti, br. 230, 26 januar 1999.

[80] Instituti i Historisë, Prishtinë, Arkivi i luftës…, f. 115

[81] Koha ditore, 15 janar 1999; Kosova sot, 15, 16 janar 1999.

[82] Koha ditore, 14 janar 1999; Kosova sot, 14 janar 1999; https://elpais.com/diario/1999/01/14/ internacional/916268405_850215.html. Shikuar më 15.04.2022

[83] https://www.lemonde.fr/archives-du-monde/15-01-1999/2/. Shikuar më 11.09.2021.

[84]http://www.hlc-rdc.org/Transkripti/Milosevic/Transkripti/Transkripti%20sa%20sudjenja% 20Slobodanu%20Milosevicu%20%2825%29/Transkript%20sa%20sudjenja%20Slobodanu%20Milosevicu%20-%2023.%20januar%202006..pdf. Shikuar më 23.04.2022.

[85] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8, S. 2.

[86] La Stampa, 10 janar 1999.

[87]https://elpais.com/diario/1999/01/11/internacional/916009210_850215.html. Shikuar më 15.04.2022.

[88] https://www.elmundo.es/elmundo/1999/enero/10/internacional/kosovo.html. Shikuar më 15.03.2022.

[89] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 11.01.1999, nr. 8/2, S. 1.

[90]https://elpais.com/diario/1999/01/14/internacional/916268405_850215.html. Shikuar më 15.04.2022.

[91] https://www.youtube.com/watch?v=k2PSpDxbyoY, Qasja 20.05.2022.

[92] Zoran B. Nikolić, Drama otetih vojnika, Vreme, br. 430, 16 januar 1999.

[93] https://www.osce.org/kvm-closed/52291 QASJA 15.03.2022

[94] Intervistë e Rrahman Ramës, ish-komandant i ZOSh, dhënë gazetarit Hysni Syla në TVMitrovica, 2010.

[95] Shyqri Nimani, 78 ditë bombardime të NATO-s sipas gazetave britanike, Ars Albanica, Prishtinë, 2021, f. 125, 126.

[96] Po aty.

[97] Vreme, br. 430, 16 januar 1999; Vreme, br. 432, 30 januar 1999; Blerim Shala, Vitet e Kosovës 1988-1999, Zëri, Prishtinë, 2003, f. 200.

[98] Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja, Vreme, br. 432, 30 januar 1999.

[99] Zoran B. Nikolić, Drama otetih vojnika, Vreme, br. 430, 16 januar 1999.

[100] Frankfurter Allgemeine Zeitung, 16.01.1999, nr. 13, S. 4.

[101] Par Pierre Hazan, L’UCK libère des soldats serbes. Belgrade se serait engagé à relâcher neuf séparatistes kosovars. Liberation, 14/01/1999 (https://www.liberation.fr/planete/1999/01/14/l-uck-libere-des-soldats-serbes-belgrade-se-serait-engage-a-relacher-neuf-separatistes-kosovars_261112/. Shikuar më 16/05.2021).

[102] Cituar sipas Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe, Buzuku, Prishtinë, 2007, f. 157.

[103] Frano Caka, UÇK djeg skenarin kriminal serb, Zëri i popullit, 14 janar 1999, f. 10.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe…