Kemi dështim të komunikimit publiko-privat në harmoni me interesat ekonomike

16 korrik 2018 | 15:18

Kryetari i sapozgjedhur i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se ligjet e fushës ekonomike në Kosovë duhet të formulohen përmes konsultave publike dhe dialogut publiko-privat.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në vitet e fundit ka dështim të plotë të komunikimit publiko-privat.

Sa iu përket sfidave të të bërit biznes në Kosovë, Rukiqi ka përmendur tri prej tyre: informalitetin, fuqinë punëtore dhe problemet me energji elektrike

“Epoka e re”: Z. Rukiqi, cilat janë objektivat e juaja për mandatin që keni marrë si kryetar i OEK-ut?
Rukiqi: Ne duhet ta shohim gjendjen reale në sektorin privat dhe mundësitë që ka ekonomia jonë, natyrisht që këtë duhet shikuar barazi me atë çfarë po ndodhë në ekonomitë globale. Janë tri çështje që do të përpiqemi t’i adresojmë si Odë Ekonomike e Kosovës. Pra, për të plotësuar një hendek që e shoqëron ekonominë dhe vendimmarrjen tonë që lidhet me mostrajtimin e duhur të ekonomisë, në veçanti të sektorit privat. Tri objektivat kryesore janë: Rritja e eksportit ose promovimi i eksportit do të ndikojë në rritën e punësimit. Po ashtu, angazhimi ynë do të jetë se çfarë duhet të ndërmerret që të ndryshojë sistemi i edukimit në raport me nevojat e tregut të punës. Pastaj, ekonomia digjitale, pra aspektet e digjitalizimit të ekonomisë në sektorin privat, është jo vetëm trend, por edhe nevojë, duke ditur se jemi njerëzit me penetrimin më të lartë në internet. Po ashtu, shoqërimin e mekanizmave të ndryshme që ofron ekonomia digjitale.

 “Epoka e re”: E përmendet harmonizimin e sistemit arsimor me atë praktik, ndërkohë u raportua se çdo i katërti student i diplomuar ka diplomë të ekonomisë. Sa ka bërë Qeveria deri më tash në këtë drejtim dhe çfarë mendoni se duhet të ndryshojë?
Rukiqi: Sistemi arsimor dhe edukativ nuk është menaxhuar me strategji të duhur dhe në masë të madhe ka qenë faktikisht i orientuar me improvizime që, ndoshta, kanë shkaktuar qetësi sociale, në anën tjetër nuk është shikuar në periudhën afatgjatë dhe në përputhje të trendëve dhe transformimeve të ekonomive të ndryshme. Normalisht se nuk janë pa ndikim edhe tek ne, pasi s’jemi të izoluar. Po shohim se Kosova ka juristë më shumë se Roma, e cila është vendlindja e të drejtës dhe e atyre që pretendojnë për të qenë profesionistët më të mirë në këtë fushë, ndërsa ne kemi numër më të lartë se Roma jo vetëm për kokë banori, por në total. Ky është një ndër indikatorët që njerëzit kanë diploma në financa dhe menaxhment, kurse nga anën tjetër kemi shumë kompani që kanë probleme për gjetjen e njerëzve adekuatë apo projekteve të caktuara dhe normalisht që kërkojnë fuqi punëtore të kualifikuar. Prandaj mendoj se duhet të largohet vendimmarrja që e trajton vetëm aspektin e qetësisë sociale kur vendoset sa studentë t’i pranojë, por edhe duhet të kalohet në atë që të kemi planprograme dhe kurrikula që lidhen me nevojat e tregut të ekonomisë.

 “Epoka e re”: Cila është pozita e sektorit privat në Kosovë karshi atij publik, marrë parasysh edhe rritjet e vazhdueshme të pagave në sektorin publik. Së fundi pamë edhe koeficientet në Projektligjin për paga?
Rukiqi: Çështja e pagave është një nga politikat më diskriminuese dhe më të mbrapshta për shkak se ka krijuar një konkurrencë të pabarabartë. Zakonisht problemet e sektorit privat janë konkurrente brendapërbrenda sektorit, por në këtë rast kemi konkurrentë të çuditshëm me sektorin publik në kuptim të pagave dhe të interesimit të njerëzve që janë të interesuar për të punuar në sektorin publik. Në raport me sektorin privat mesatarja e pagave në mes të këtyre dy sektorëve është diskriminuese.

“Epoka e re”: Janë një mori projektligjesh të çështjeve ekonomike që presin rishqyrtim dhe se disa prej tyre janë zvarritur prej kohësh. Sa është e vëmendshme kjo qeverisje sa i përket sektorit privat?
Rukiqi: Nuk është çështje vetëm për të proceduar ligje, pasi janë proceduar shpesh dhe janë bërë gabim, e disa prej tyre dhe kanë qenë të kopjuara nga vendet e tjera, duke mos i marrë parasysh kështu rrethanat e tjera. Nuk jam ithtar që të ketë ligje shumë, por të jenë efikase që bëhen përmes konsultave publike dhe dialogut publiko-privat. Sidomos në vitet e fundit kemi dështim të plotë të komunikimit publiko-privat në harmoni me zbatimin e ideve, që mund t’i bëjnë ligjet më të mira dhe që i ndihmojnë sektorit privat. Ligjet duhet të bëhen në harmoni me interesat e sektorit privat dhe konsultave publike.

 “Epoka e re”: Cilat janë sfidat kryesore që po i adresojnë bizneset tek ju?
Rukiqi: Në vitet e fundit informaliteti, fuqia punëtore, si dhe problemet me energji elektrike janë ndër tri problemet kryesore. Bazuar në analizat tona të fundit për barrierat e të bërit biznese, sfida kryesore është informaliteti që, në masë të madhe, lidhet me konkurrencën jolojale në treg. Gjithashtu, ndër vite mbetet problemi më fondamental, mungesa apo jostabiliteti i furnizimit me energji elektrike. Ndërkaq sa i përket fuqisë punëtore, ne kemi mungesë të fuqisë punëtore për sektorë të caktuar siç e përmenda më herët për shkak të vëmendjes së sistemit arsimor në shkollat profesionale. Nëse e shohim sa iu përket projekteve, kemi pasur projekte madhore si ai i kogjenerimit që është dashur të importojmë saldues, pasi kemi pasur numër minimal të tyre, që është paradoks në vete. Kemi papunësi të lartë në Kosovë. Nuk kemi profesionistë të një fushe. Po ashtu, kemi edhe projektin “Kosova e re” që kërkon punëtorë të specifikuar si saldues, kurse ne kemi mungesë të tyre.

“Epoka e re”: Z. Rukiqi, cili do të jetë roli i OEK-ut sa iu përket bizneseve nga diaspora?
Rukiqi: Duke parë dje shembullin e vendeve të tjera se si ka ndikuar ikja e njerëzve jashtë vendit, mendojmë se te ne ka pasur aspekte pozitive, sepse diaspora është financuesja kryesore e konsumit apo e asaj që mbetet si hendek nga deficiti tregtar. Tash është koha për avancim të këtyre relacioneve. Ne duhet ta shfrytëzojmë tani kapitalin e tyre human, në të njëjtën kohë ta shfrytëzojmë edhe atë financiar, në mënyrë që ata ta kenë komoditetin për investime në vendin e tyre, që është e domosdoshme. Kemi shumë raste të bizneseve inovative dhe prodhuese që përmes lidhjes që kanë krijuar me diasporën mund të sjellin brende të njohura këtu, të cilët do të ndikonin edhe në ngritje të eksportit.

Albulena S. MAVRAJ

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i qytetarëve të Bashkimit Evropian që kanë emigruar nga…