“Kemi karburant vetëm për një ditë”, shteti i zhytur në borxhe bie në kolaps ekonomik

17 maj 2022 | 08:19

Ishte një fjalim rrëqethës, për një kryeministër që sapo ka filluar mandatin e tij dhe në teori duhet të sjellë shpresë tek votuesit e tij.

“Në këtë moment, në rezervat tona shtetërore kemi karburant vetëm për një ditë. Muajt e ardhshëm do të jenë më të vështira të jetës tonë. Duhet të përgatitemi për sakrifica të mëdha. Nuk kam dëshirë t’iu mashtroj duke ju gënjyer për të vërtetën”, ishin fjalë tre kryeministri i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe, që mori postin më të lartë ekzekutiv të ishullit aziatik të enjten e kaluar.

Ish-kolonia britanike me rreth 22 milionë banorë, që ka vuajtur me dekada një luftë civile të ashpër nga e cila doli vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit, ndodhet në një gjendje ekonomike të rëndë, ndoshta më e rënda nga pavarësia në 1948.

Vendi është afër falimentimit, nuk ka paguar rreth 7 miliardë dollarë hua që duheshin shlyer këtë vit, dhe nuk dihet si do të paguajë edhe 25 miliardë të tjera brenda vitit 2026.

Vështirësi në ekonominë vendase, por edhe dy vite pandemie si dhe rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës dhe drithërave po krijojnë atë që cilësohet si “stuhia perfekte”, një kolaps ekonomik nga i cili vendi mund të mos ngrihet për shumë kohë, pa ndihma domethënëse.

Organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga FMI dhe Banka Botërore, po studiojnë paketa ndihme për vendin, dhe më konkretisht të paktën dy anije me karburant dhe ushqim nga India do të mund të lehtësojnë gjendjen për disa javë, duke shënuar edhe një afrim të Kolombos zyrtare me Nju Delhin, aty ku tradicionalisht marrëdhëniet kanë qenë plot mosbesim reciprok.

Por e ardhmja mbetet e zymtë, dhe këtë e kanë kuptuar edhe banorët e ishullit, që prej javësh po protestojnë në kryeqytetin Kolombo ku radhët për të marrë sadopak karburant mund të zgjasin gjithë ditën.

Përtej karburanti, mungesa e energjisë po shndërrohet në përditshmëri, dhe shtohet ankthi për mungesa të theksuara edhe për sa i përket furnizimit të disa ilaçeve të domosdoshme.

Por shqetësimi po shtohet edhe midis ekspertëve ekonomikë, dhe jo vetëm për fatin e Sri Lankës. Ishulli aziatik sipas disave mund të jetë vetëm rasti i parë i një vështirësie që do të mbërthejë si një “efekt domino” një pjesë të mirë të vendeve në zhvillim, veçanërisht të atyre që varenë shumë nga furnizimet ruse dhe ukrainase. Një alarm i lëshuar edhe nga kreu i Bankës Boërore David Malpass një muaj më parë, aty ku paralajmëroi se “ vendet në zhvillim do të përballen me rritje të fortë të çmimeve të energjisë, plehëruesve dhe të ushqimit, ashtu si edhe të interesit bankar, do të goditen rëndë”./A2CNN

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo është historia e radhës e trishtueshme që vjen nga…