Kemi kushtet e duhura për të filluar kampionatin
Me që IKSHPK dhe Zyra e OBSh-së në Kosovë kanë konstatuar se situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ke lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet e Superligës në vend.
Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.
Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike.
Gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore, pjesëmarrësit në to duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.
Ndërkaq, deri më tani, ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të rinisin ndeshjet e edicionit aktual në Superligën e Kosovës, teksa një vendim i tillë pritet të bëhet i ditur së shpejti nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Kohëve të fundit ka pasur shumë përplasje televizive në lidhje me atë nëse duhet të vazhdojë kampionati kosovar i futbollit për shkak të kushteve të këqija që i posedojnë shumica e klubeve të futbollit në vendin tonë.
Gjermania, një vend ku futbolli përbën ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, ka nisur tashmë futbollin, por me masa rigoroze, derisa kushtet e klubeve të Bundesligës dihet se janë të mira, si për karantimin ashtu edhe për testimin e futbollistëve.
Ndërkaq, se çfarë kushte ka Kosova për vazhdimin e kampionatit të futbollit, Zëri.info ka biseduar me trajnerin dhe donatorin e Llapit, Tahir Batatina, trajnerin Tahir Lushtaku, futbollistin Taulant Dajaku dhe analistin Genc Sermaxhaj, të cilët janë të të vetëdijshëm për kushtet e dobëta të klubeve kosovare.
Trajneri dhe donatori i klubit të Llapit, Tahir Batatina e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve përkatëse për vazhdimin e kampionatit të futbollit.
Në një bisedë me Zëri.info, trajneri llapjan ka thënë se koronavirusi nuk paraqet asnjë rrezik në futboll duke e ditur se futbolli luhet në ambiente të hapura.
“Mendoj se kanë vepruar drejt instuticionet tona shtetërore, që kanë vendosur për fillimin e aktiviteteve sportive pasi futbolli nuk paraqet asnjë rrezik nga COVID-19 duke e ditur se ky sport luhet në ambiente të hapura. Sipas asaj që kam parë, ky virus nuk ndikon përveç te ato raste të cilat kanë sëmundje shoqëruese”, u shpreh Tahir Batatina.
Tutje, Batatina ka treguar se asnjë anëtarë i Llapit nuk është i prekur me këtë virus, madje nuk ka asnjë rast në familjet e tyre.
“Kam biseduar me të gjithë futbollistët dhe stafin timë dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë i prekur me COVID-19 dhe kjo më bën të ndihem mirë”, tregoi Batatina, duke shtuar se Llapi ka kushte për vazhdimin e kampionatit: “Ne kemi kushte sepse kemi katër zhveshtore dhe do t’i përdorim të gjitha. Do të apeloj masa të rrepta të higjenës dhe nuk lejoj asnjë kontakt mes lojtarëve. I kemi marrë masat me kohë duke dezinfektuar hapësirat tona”.