Kemi njerëz që absolutisht s’e meritojnë me qenë deputetë
Opinionisti Jusuf Thaçi thotë se në Kuvendin e Kosovës ka deputetë që kanë kryer vepra penale, të atillë që nuk e meritojnë të jenë deputetë.
“Në Kosovë ne absolutisht kemi njerëz që s’e meritojnë me qenë deputetë sepse shikuar prej cilitdo këndvështrim nuk e plotësojnë asnjë kusht e kriter për të qenë përfaqësues të popullit, qoftë në aspektin e integritetit profesional dhe moral e personal qoftë në aspektin e kompetence profesionale të një fushe të caktuar, mirëpo ja që vota e qytetarit vendos edhe s’kemi çka me bo”, tha Thaçi në Pressing.
“Në rastet e deputetëve që u publikuan kryesisht nga mediat, kemi shembuj të keqpërdorimit, domethënë të mashtrimit”, shtoi ai.
“Një deputet i Kuvendit të Kosovës mund të justifikohet muajin e parë, muajin e tretë, hajde le të themi edhe muajin e tretë, që s’e kupton që një formular që e ka plotësuar në Kuvend ku e ka shkruar vendin e lindjes ose vendbanimit e ka shkruar atje ku sot nuk jeton aktualisht, mund të ndodh muajt e parë derisa ta kuptojë këtë lëshim.
Por pastaj shkon dhe e korrigjon, e raporton vendbanimin e duhur dhe nuk ndodh me përfituar duke mashtruar. Në këtë rast unë mendoj se është vepër penale e aq sa dimë prej interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale”, tha Thaçi.