Kemi përkrahje politike për ndryshimin e Ligjit për Specialen
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka treguar se ka përkrahjen e partive politike për iniciativën e kësaj organizate që të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai ka deklaruar që sa më parë përmes ndryshimit të këtij ligji duhet t’i mundësohet Gjykatës Speciale të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ligji aktual e bën këtë gjykatë të padrejtë dhe të njëanshme. “E kemi përkrahjen prej të gjitha subjekteve politike dhe prej qytetarëve për këtë peticion. Madje prej shumë qytetarëve kemi pasur edhe telefonata të ndryshme, të cilët na kanë dhënë përkrahje për këtë iniciativë që kemi ndërmarrë”, ka thënë Gucati. Ai ka vlerësuar se deputetët që kanë gabuar herën e parë për këtë ligj, tani e kanë mundësinë ta përmirësojnë gabimin e tyre. “Besoj shumë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Në Kuvendin e Kosovës kemi disa subjekte politike që kanë qenë kundër këtij ligji edhe atëherë. Kundër këtij ligji janë edhe tash”, ka deklaruar Gucati.
Pas mbledhjes së 10 000 nënshkrimeve, kryetari i OVLUÇK-së ka treguar se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit. “Peticionin do t’ua dërgojmë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Nga ta kërkojmë të hyjë në rend të ditës ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Po ashtu, do t’u drejtohemi të gjitha ambasadave të huaja në Prishtinë. Do ta kërkojmë edhe përkrahjen e tyre për plotësimndryshimin e këtij ligji. Gjykata Speciale i shkel të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë deputetët të cilët kanë gabuar, duke e votuar atëherë këtë ligj, tani e kanë mundësinë ta përmirësojnë gabimin që kanë bërë. Ata deputetë që kanë votuar këtë ligj, por edhe ata deputetë që kanë qëndruar në sallë atë ditë, duke e bërë kuorumin, janë fajtorë për votimin e këtij ligji, i cili na sjell një gjykatë të njëanshme dhe të padrejtë”, ka thënë Gucati.
“Epoka e re”: Z. Gucati, keni paralajmëruar se në fund të kësaj jave do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për një peticion i cili ka për qëllim ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Pse tani ky peticion?
Gucati: Ne kemi bërë me dije se nga e premtja do të organizojmë një peticion për rikthimin e çështjes së Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Përmes këtij peticioni kërkojmë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për këtë gjykatë. Me Kushtetutë kemi të drejtë që më 10 000 nënshkrime këtë çështje ta ngrehim në Kuvendin e Kosovës. Ne e dimë se kjo gjykatë është e padrejtë dhe e njëanshme, sepse do të merret vetëm me shqiptarët.
“Epoka e re”: Çfarë ndryshimesh kërkoni në Ligjin për Gjykatën Speciale?
Gucati: Përmes këtyre ndryshimeve kërkojmë që kjo gjykatë të merret edhe me krimet serbe që janë bërë në Kosovë. Ne i dimë me emër dhe mbiemër se ata serbë kanë bërë krime në Kosovë. Realisht, duam që kjo gjykatë të hiqet, sepse ka qenë e panevojshme, sepse me këto çështje duhet të merret një gjykatë vendore e jo një gjykatë ndërkombëtare. Tani meqë kjo është e pamundur, kërkojmë që përmes ndryshimit të këtij ligji t’i mundësohet kësaj gjykate të merret edhe me krimet e shumta që serbët kanë bërë gjatë luftës në Kosovë.
“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe qytetarët mund ta nënshkruajnë këtë peticion?
Gucati: Besoj se ky peticion nuk do të zgjasë shumë. Mendojmë se 10 000 nënshkrime do t’i mbledhim shumë shpejt. Ftoj qytetarët, deputetët dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, që ta nënshkruajnë këtë peticion. Mbledhjen e nënshkrimeve së pari do ta fillojmë në Prishtinë, në Sheshin ‘Skënderbeu’, më pas në të gjitha komunat e Kosovës. Besojmë se kohëzgjatja e këtij peticioni do të jetë një javë.
“Epoka e re”: Pas mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme, kujt do t’ia dërgoni këtë peticion?
Gucati: Peticionin do t’ua dërgojmë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Nga ta kërkojmë të hyjë në rend të ditës ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Po ashtu, do t’u drejtohemi të gjitha ambasadave të huaja në Prishtinë. Do ta kërkojmë edhe përkrahjen e tyre për plotësimndryshimin e këtij ligji. Gjykata Speciale i shkel të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë, deputetët, të cilët kanë gabuar, duke e votuar atëherë këtë ligj, tani e kanë mundësinë ta përmirësojnë gabimin që kanë bërë. Ata deputetë që e kanë votuar këtë ligj, por edhe ata deputetë që kanë qëndruar në sallë atë ditë, duke e bërë kuorumin, janë fajtorë për votimin e këtij ligji, i cili na sjell një gjykatë të njëanshme dhe të padrejtë.
“Epoka e re”: Deri më tani peticionet në vendin tonë nuk janë marrë shumë parasysh qoftë nga Kuvendi apo nga institucionet e tjera. Çfarë nëse edhe ky peticion nuk do të merret parasysh?
Gucati: Besoj shumë se ky peticion do të merret parasysh nga Kuvendi i Kosovës. Të gjitha konsultimet që kemi bërë deri më tani, me shoqërinë civile dhe me avokatë të ndryshëm, na kanë siguruar se me 10 000 nënshkrime të qytetarëve kjo çështje duhet të merret parasysh nga Kuvendi i Kosovës. Nuk besoj se kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri do të shkelin mbi mundin e atyre që kanë dhënë për vendin.
“Epoka e re”: Keni diskutuar për këtë çështje paraprakisht me ndonjë subjekt politik për ta marrë përkrahjen për këtë iniciativë?
Gucati: Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i përket asnjë subjekti politik. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të të gjitha partive ta nënshkruajnë peticionin duke ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale. E kemi përkrahjen prej të gjitha subjekteve politike dhe prej qytetarëve për këtë peticion. Madje, prej shumë qytetarëve kemi pasur edhe telefonata të ndryshme, të cilët na kanë dhënë përkrahje për këtë iniciativë që kemi ndërmarrë.
“Epoka e re”: Sa besoni që këto subjekte politike do ta mbështesin kërkesën tuaj për ndryshimin e Ligjit për Specialen në Kuvend?
Gucati: Besoj shumë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Në Kuvendin e Kosovës kemi disa subjekte politike që kanë qenë kundër këtij ligji edhe atëherë. Kundër këtij ligji janë edhe tash.
“Epoka e re”: Veteranët e UÇK-së kanë filluar t’i marrin me rregull pensionet e tyre. Sa jeni të kënaqur me zbatimin e Ligjit për kategoritë e dala nga lufta?
Gucati: Nuk jemi shumë të kënaqur. Presim që ky ligj të zbatohet në tërësi. Po ashtu, ky ligj ka nevojë të përmirësohet. Jemi duke punuar që Ligji për Vlerat e Luftës të këtë ndryshime drastike, pasi ligji aktual nuk është i mirë.
“Epoka e re”: Në opinion flitet se numri i veteranëve vazhdon të rritet edhe më tutje. Si organizatë, jeni në dijeni?
Gucati: Për këtë çështje nuk jemi në dijeni. Për këtë çështje duhet t’i drejtoheni kryeministrit. Neve na intereson që ligji për këtë kategori të zbatohet në tërësi. Nëse ka këso raste, i bëj thirrje prokurorisë që sa më parë t’i fillojë hetimet.
(Muhamet KOCI)