Këndvështrim filozofik-politik mbi idenë e lirisë 20 vjet pas çlirimit të Kosovës

14 qershor 2019 | 17:17

Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari, ambasador

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Duke shprehur konsideratën time për nderimin që më keni bërë, duke më ftuar që të vijë këtu në Tiranë, në Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe të Arteve, të flas për idenë e lirisë njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës, më lejoni që kumtesën time ta filloj me një konstatim themelor, që i përshtatet momentit: Ndjenja për të kaluarën është më themelore për ruajtjen e lirisë, se sa shpresa për të ardhmen. E para është reale, e njohur dhe e përjetuar, e dyta e përfytyruar,e panjohur dhe e papërjetuar. Kjo është arsyeja pse qeveritë totalitare vazhdimisht mundohen ta shkatërrojnë ose të deformojnë kujtesën. Kujtesa është bazë për orientim për të ardhmen.

Dhe, çfarë na thotë kujtesa e të kaluarës së afërt?

Po i paraqesim tre shembuj përfaqësues të saj: Më 30 maj të vitit 1989 ra gjatë demonstratës,  në arat e Mirofcit të Podujevës, heroi i kombit Ali Ajeti. Në çastet e fundit të jetës së tij, e bëri dorën grusht, u mundua ta ngrinte grushtin lart. Arriti ta bënte këtë gjë vetëm deri afër gjoksit, duke thënë: “Unë po vdes për liri… për liri ….për liri!” Kjo ishte fjalia e tij e fundit.

E mbijetuara e familjes Jashari, 11-vjeçarja Besarta Jashari, do të përshkruante në mënyrë tejet emocionale shkuarjen me këngë drejt vdekjes të një familjeje të tërë -Familjes Jashari, në mars të vitit 1998.

Pak muaj më vonë, në pyetjen e një gazetari britanik drejtuar heroit të kombit Fehmi Lladrovci, nëse do të ishte në gjendje të vdiste për Kosovën?, Fehmiu plot krenari do të jepte këtë përgjigje: “Gjithqysh. Me dëshirën më të madhe. Më e shtrenjtë është liria se jeta…Ai do të ishte fati im më i madh….”

Si mund të shpjegohet kjo gatishmëri për shkuarje drejt vdekjes në rrafshin filozofik-politik? Si mund të shpjegohet gatishmëria e familjes Jashari për të sfiduar vdekjen? Si mund të shpjegohet përgjigja e Fehmi Lladrovcit për natyrshmërinë e vdekjes për liri? Dhe, si mund të kuptohet reflektimi i fundit jetësor i Ali Ajetit, me fjalinë e tij heroike: Unë po vdes për liri?

Në përgjigje të këtyre pyetjeve, do të mundohemi që sot, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, të reflektojmë për idenë e lirisë në një këndvështrim filozofik-politik. Hannah Arendt shkruan se “qëllimi i politikës është liria”, përderisa Hegeli mbron pikëpamjen se “historia botërore është një përparim në vetëdijen e lirisë – një përparim që duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij”. Njeriu sipas Aristotelit është një zoon politikon – qenie politike. Si i tillë ai mund të vetërealizohet vetëm përmes gjendjes së të qenit i lirë. Duke qenë se nga natyra njeriu është i mirë  sipas Rousseaus, ai e dëshiron përbashkësinë në vetë natyrën e tij, përderisa ajo nuk i vret lirinë.  Liria është e domosdoshme, sepse vetëm kur një komb është i lirë, ai mund të njohë dhe realizojë të vërtetën dhe jo thjesht të përmbush vullnetin e kombit tjetër. Ashtu siç është graviteti thelbi i materies, ashtu është edhe liria thelbi i frymës (Geist). Dhe, për të arritur lirinë, njeriu duhet të ngritët, të organizohet dhe të punoj kundër pushtimit, shtypjes dhe skllavërisë.

Nga definimet e parashtruara mund të arrihet në dy konkluzione bazë: Liria si vlerë politike përfshin dy dimensione: lirinë individuale dhe lirinë e përgjithshme. Përmasat e lirisë individuale duhet të jenë në konkordancë të plotë me shkallën e lirisë së përgjithshme.

Njeriu, si qenie biologjike, fizike dhe mendore, është hedhur pa u pyetur fare në mes të universit – do të thoshte Martin Heidegeri. Dhe ky njeri, i hedhur në jetë pa u pyetur, pushtohet nga një dëshirë për të sunduar. Dëshira për të sunduar është një simptomë iracionale, e cila mund të kurohet, sipas Hegelit, me metoda racionale.

Ndryshe nga Heidegeri, shumë kohë para tij J.J. Rouuseau kishte shkruar se “njeriu lind i lirë, por gjendet gjithkah i rrethuar nga prangat”. Nëse vendimi për lindjen e tij është akt i pavullnetshëm prej tij, përmes idesë së lirisë njeriu shndërrohet në subjekt për vete. Duke u shndërruar nga subjekt në vete në subjekt për vete, ai e sfidon determinizmin heidegerian dhe arrin të kuptojë lirinë sipas kuptimit të Hegelit si “liri e vullnetit, e lidhur menjë sferë të veçantë të sistemit të filozofisë, me atë sferë që e kishte parasysh njeriun e “përgjithshëm” veprues historik”.

Në akord me konceptet e Isajah Berlinit për lirinë negative, ne mund të konstatojmë se një komb është i lirë, për aq sa një komb tjetër apo grup kombesh nuk ndërhynë në zhvillimin e lirë të tij. Edhe në kontekstin pozitiv, ne mund ta definojmë lirinë kombëtare si një vullnet për përcaktimin e jetës së pavarur  të një kombi, që i nënshtrohet vetëm vullnetit të qytetarëve të tij.

Liria e një kombi nuk është liri për të vepruar në mënyrë iracionale dhe të padrejtë. Kanti shkruan se liria e vërtetë ekziston vetëm teksa “individi e ka braktisur krejtësisht lirinë e tij natyrore, shtatazarake, për ta gjetur lirinë e vet krejtësisht të pacenuar, në një gjendje varësie nga ligjet.” E njëjta gjë vlen edhe për kombet. Liria e një kombi realizohet vetëm në rast se ai e braktis lirinë natyrore, për të gjetur lirinë e pacenuar, duke krijuar një gjendje varësie nga ligjet ndërkombëtare. Në ligjet ndërkombëtare mund të gjendet liria e vërtetë e një kombi. Në krijimin e  tyre ai është objekt dhe subjekt i vullnetshëm, si ligjvënës dhe zbatues.

John Locku dhe John Stuart Mill në Angli dhe Alexis de Tocquevillë në Franca kanë shkruar për nevojën e hapësirës minimale të lirisë së individit, e cila kurrsesi nuk duhet të dhunohet. E njëjta gjë vlen edhe për kombet. Kombet kanë nevojë për hapësirën e mjaftueshme të lirisë, për tu zhvilluar të lirë dhe të pavarur. Nëse dëshirojmë ta kontekstualizojmë premisën e imperativit kategorik të Kantit, mund të themi se: Një komb nuk duhet ta trajtoj kombin tjetër në atë mënyrë, siç nuk dëshiron ai të trajtohet nga kombet e tjera. Në rast se një komb e pushton dhe e mban nën sundim kombin tjetër, duke e mbajtur në varfëri, mjerim dhe skllavëri, ai komb nuk do të jetë as vet i lirë.

Logjika e kombeve pushtuese i ngjan logjikës së diktatorëve dhe sunduesve autoritarë brenda një kombi. Njerëzimin ata e shohin si lëndë të parë, mbi të cilin duhet ta ushtrojnë vullnetin e tyre. Ata i arsyetojnë veprimet e dhunshme me dashurinë ndaj tyre, për krijimin e një morali të ri ose njeriu të ri. Ata e legjitimojnë veprimin si interes të kombit të pushtuar dhe për të mirë të tij, prandaj nuk duhet marrë lejen ose miratimin e tij, gjë që paraqet absurditetin shkatërrimtar dhe anakronik në mendësinë e tyre.

Njohja është një moment qenësor lirie të një kombi, shteti ose shoqërie, ngaqë statusi i individëve brenda tyre mund të emancipohet plotësisht vetëm duke qenë pjesëtar i një kombi të lirë dhe të njohur. Prandaj individët janë në gjendje të rrezikojnë jetën për lirinë e kombit të tyre. Lufta për statusin e kombit është edhe luftë për statusin e tyre individual. Qenia individ i lirë, përderisa kombi yt është i pushtuar, është vetëm një iluzion mashtrues. Prandaj thirrja për njohje është jo vetëm legjitime, por investimi në të është e domosdoshme për statusin e të qenit komb, shoqëri dhe shtet i barabartë.

Por, çfarë duhet bërë, në rast se një komb i caktuar ndërhynë në lirinë e tjetrit? Me këtë akt, ai ka bërë shkeljen e principit të lirisë. Ai duhet kufizuar në lirinë e tij për të pushtuar, shtypur dhe shfrytëzuar popujt tjerë. Në këtë rast ndërhyrja kundër tij është legjitime. Dhuna proporconale kundër tij është në mbrojtje të lirisë së tjetrit. Ky akt mund të konsiderohet si realizim i dyanshëm çlirimi: çlirim të kombit të pushtuar, por edhe të atij pushtues nga një marrëzi iracionale.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Duke e kontekstualizuar këtë lloj reflektimi filozofiko-politik, mund të konstatojmë se shumica e njerëzve në Kosovë, pas një procesi trandjeje të përjetuar në vitet 1980, e përthekojnë idenë e lirisë si diçka të ndërgjegjshme, racionale, sociale, institucionale, etike, politike dhe patriotike. Ideja e lirisë e shndërron njeriun e Kosovës në subjekt të pajisur me vullnet të lirë. Qytetari i Kosovës shndërrohet nga një person në vete, në një subjekt për vete. Qenia fizike e tij mund të arrestohet, por vullneti i lirë nuk mund të prangoset. Vullneti i lirë i njerëzve të bashkuar rreth idealit të lirisë i tejkalon natyrshëm vargojtë e fuqisë së armës. Kjo pasqyrohet në variantin më të qartë me gatishmërinë për flijim të një familjeje të tërë: familjes Jashari. Jasharët e sfidojnë vdekjen në mënyrë të paparë, tejheroike, legjendare. Ata nuk ikin, por qëndrojnë; nuk qajnë, por këndojnë; nuk ligështohen, por krenohen.

Qytetarët e Kosovës në fund të shekullit 20-të e konceptonin idenë e lirisë si një e drejtë për të vetëvendosur. Kjo e drejtë presupozonte lirinë për të vendosur vetë për sistemin politik, marrëdhëniet e brendshme shoqërore dhe raportet me kombet e tjera, pa një lidhje, obligim ose detyrim ndaj një shteti dhe kombi tjetër. Gjakonin të jenë të lirë pa kufizim nga të tjerët. Pra, përmes lirisë ata synonin të realizonin ndjenjën e pavarësisë. Liria kuptohej në kontekst të lirisë për veprim të pavarur.

Në rrafshin ontologjik-fenomenologjik njeriu bëhet i lirë në vetëdijen e tij, atëherë kur e zëvendëson gjendjen pasive me atë aktive, kur nga njeri në vete, shndërrohet në njeri për vete. Adem Jashari, Fehmi Lladrovci dhe Ali Ajeti me punën e tyre kanë krijuar një atmosferë përbashkësie morali për një ideal. Ideal i tyre ishte liria. Interesi i përbashkët kombëtar është motivi që lëvizë ndërgjegjen vepruese të një veprimtari për liri. Ai e njëjtëson veten me kombin dhe mirëqenien e  tij. Lumturinë e vet nuk mund ta paramendoj jashtë lumturisë së të gjithëve. Në këtë kontekst Adem Jashari ka vdekur i lirë. Në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tij ai ka qenë njeri i lirë. Duke e sfiduar vdekjen së bashku me familjen e tij, ai e ka përcaktuar statusin e tij vetërealizues në lirinë e kombit të tij. Përmes kësaj sakrifice sublime tejnjerëzore, ai e përcakton fatin e kombit të tij, duke mos lejuar që ai të mbetet fat i përcaktuar qorrazi.

Ideali i lirisë krijon momentin e shpirtëror që lind ndërgjegjen e përbashkët të pjesëmarrjes në një kryqëzatë morale. E motivuar prej tyre shoqëria shqiptare në Kosovë e realizon nivelin më të lartë të organizimit të bashkësisë së saj – organizimin e luftës çlirimtare. Përderisa Ali Ajeti personifikon Çetën e Llapit, si paraprijëse reale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci personifikon autoritetin e padiskutueshëm moral dhe politik të një gjenerate vetmohuese për liri, Adem Jashari shndërrohet në një të tërë politike legjendare – lëvizësi determinues i historisë.

Aristoteli e ka zhvilluar skemën triadë të evoluconit: individ-familje-bashkësi-shtet. Në historinë e Evropës Perëndimore dëshmohet se lindja dhe zhvillimi i shteteve kombëtare u bë në rrethanat e hapërimit nga raportet tradicionale në raportet shtetërore. Akti i vetëdijshëm i sakrifikimit të familjes për liri dhe shtet, është kërcimi më kualitativ që mund të bëjë një bashkësi e organizuar. Prandaj, edhe në këtë kontekst, sakrifica sublime e familjes Jashari flet për një hap të jashtëzakonshëm në ndërdijen kombëtare dhe shtetërore të shqiptarit të Kosovës. Ky akt është dëshmia e pjekjes politike të një kombi për shtetin e vet.

Adem Jashari, Fehmi Lladrovci dhe Ali Ajeti simbolizojnë mendjet sakrifikuese ndër shqiptarë, të cilët në pushtetin e shtetit të ardhshëm të Republikës së Kosovës shihnin jo një forcë shtypëse, por themelin e  lirisë dhe dinjitetit të qytetarit të Kosovës. Ata ishin krejtësisht të çiltërt në bindjet dhe përfytyrimet e tyre. Ata i dhanë përmbajtje lirie frymës politike, në formën e shtetit kombëtar. Ata ëndërronin një shtet tëri, i cili do të ishte më shumë se një kuadër ligjor të drejtash dhe obligimesh. Ata ëndërronin një botë krejtësisht të barabartë, të lirë dhe të drejtë. Bota e tyre dhe shteti i tyre kishin natyrë ideale. Shenjtërimi i idesë së lirisë së kombit te ta ishte një lloj strehe për të shpëtuar shqiptarët nga vuajtjet, padrejtësitë dhe terrori i regjimit serb.

Por, çfarë ndodhi pas luftës në Kosovë? A u realizuan idealet e heronjve të rënë?

Përgjigja në këtë pyetje është e vështirë. Mund të themi se idealet e tyre janë realizuar vetëm pjesërisht. Ka ardhur deri te etablimi i Republikës së Kosovës, si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe deri te një mungesë serioze orientimi të politikës dhe shoqërisë së Kosovës. Dhuna fizike është zëvendësuar me dhunën psikologjike. Janë krijuar institucionet shtetërore, por ato kanë përmbajtje shumë patrimoniale. Rendi i lirisë, i idealizuar si sinonim i së mirës, është shndërruar në një rend përfitimi për pakicën dhe padrejtësie për shumicën.

Pyetjes se nga kush duhet të qeverisemi pas fitimit të lirisë, mund t’i jepet përgjigje vetëm në kontekst të idesë së lirisë. Loku ka shkruar se “pa ligj nuk ka liri”. Ndërsa sociologu gjerman Ralf Dahrendorf duke parashtruar kornizën e zhvillimit të lirë të shoqërisë qytetare e definon atësi “botë jetësore e të lirëve.”Akumulimi i pushtetit në pak duar mund të sjell deri te rrezikimi i lirisë, qoftë përmes një sistemi të autoritetit absolut, qoftë përmes një sistemi kleptokratik ose oligarkik. Çarmatosja morale dhe politike e oligarkisë, autokratit ose sistemit kleptokratik është detyrë imanente e shoqërisë në mbrojtje të lirisë.

(Kumtesë e mbajtur në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Tiranë, 12.06.2019)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane dhe të atij për…