Këndvështrimet nga Ballkani Perëndimor për ngjarjet në Bjellorusi, Kosova përkrah masat e perëndimit
Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një qëndrim të përbashkët për situatën në Bjellorusi dhe protestat e përditshme, në të cilat kërkohet dorëheqja e Alyaksandr Lukashenkas, përsëritjen e zgjedhjeve të kontestuara për president, në të cilat ai ka marrë mandatin e gjashtë, si dhe ndërprerjen e dhunës ndaj demonstruesve.
Kosova “dënon dhunën e ushtruar nga autoritetet në Bjellorusi” dhe i është bashkuar thirrjes së aleatëve që palët të diskutojnë për dalje paqësore.
Marrë parasysh marrëdhëniet tradicionalisht të mira me autoritetet e Bjellorusisë, autoritetet në Serbi tash për tash janë duke heshtur, ndërkaq që nga Bosnjë e Hercegovina, anëtari i Presidencës së këtij vendi, Millorad Dodik, e ka uruar Lukashenkan për “zgjedhjen e sërishme për president të Bjellorusisë”.
Maqedonia e Veriut që ka mbështetur sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave, ndërsa Mali i Zi ka dhënë porosi se janë duke e përcjellë me shqetësim zhvillimin e situatës.
Kosova po i përcjell zhvillimet në Bjellorusi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në një prononcim për “REL”, ka theksuar se e përkrah qëndrimin dhe masat e aleatëve perëndimorë përballë Bjellorusisë, njëherësh uron që populli bjellorus të përqafojë vlerat prosperuese, evropiane dhe demokratike.
“Republika e Kosovës është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Bjellorusi”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon dhunën e ushtruar nga autoritetet për të shtypur protestat popullore të drejtuara nga opozita bjelloruse”.
“Republika e Kosovës i bashkohet thirrjes së aleatëve që palët të diskutojnë për dalje paqësore nga kriza që sollën zgjedhjet e 9 gushtit”, kanë theksuar nga kjo ministri.
Ndryshe, Bjellorusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Lidhjet dhe bashkëpunimi miqësor i Serbisë me Bjellorusinë
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk janë përgjigjur në pyetjen e “Radios Evropa e Lirë” se cili është qëndrimi i Beogradit zyrtar lidhur me zhvillimet në Bjellorusi.
Ndonëse, pas zgjedhjeve në një shtet, gjithmonë dërgohen urimet për fituesin e zgjedhjeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deri më tash nuk e ka uruar Lukashenkan për fitoren e kontestuar zgjedhore.
Lidhur me protestat në kryeqytetin e Bjellorusisë, në Minsk dhe në qytetet tjera, ka folur vetëm ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, por vetëm në kontekstin e demantimit të informatave nga rrjetet sociale se ushtarët e Serbisë po marrin pjesë në demonstratat në Bjellorusi.
Fotografitë që shfaqin praninë e pretenduar të ushtarëve serbë në Minsk dhe në qytetin bjellorus Brest, i ka publikuar më 15 gusht analisti nga Bjellorusia, Franak Vyachorka, duke theksuar që kjo do të mund të nënkuptojë që ata kanë marrë pjesë në protestat, të cilat ka disa ditë që po mbahen në Bjellorusi.
Vulin, të njëjtën ditë, në komunikatë ka theksuar që fotografitë e caktuara janë bërë në vitin 2018, gjatë ushtrimeve të përbashkëta ushtarake të ushtrisë dhe policisë në Kralevë të Serbisë.
“Aktualisht, në Bjellorusi, në Brest janë 9 pjesëtarë tanë, të izoluar në një poligon ushtarak, ku po përgatiten për disiplinën ‘Kufiri i snajperit’”, ka thënë Vulin.
Bëhet fjalë për një garë në Bjellorusi, në kuadër të Lojërave ndërkombëtare ushtarake nën ombrellën e Rusisë, në të cilën marrin pjesë edhe snajperët e Ushtrisë së Serbisë.
Serbia dhe Bjellorusia kanë marrëdhënie tradicionalisht të mira, ndërkaq Lukashenka ka qenë në Beograd për herë të fundit në dhjetor të vitit 2019.
Asokohe ishin nënshkruar disa marrëveshje bilaterale, ndërkaq marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë vlerësuar si mjaft shkëlqyera, të sinqerta dhe miqësore, me “falënderimin” e autoriteteve serbe për faktin që Bjellorusia nuk e ka njohur Kosovën.
Lukashenka, në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë që popujt serb dhe bjellorus janë “të bashkuar me lidhje shekullore dhe me vizionet e përbashkëta të së ardhmes”.
“Ne i shohim ngjashëm zhvillimet botërore dhe e mbështesim integritetin territorial të Serbisë. Nëse mund të ndihmojmë, na thuani. Ne llogarisim në mbështetjen e Serbisë për çështje parimore për ne”, ka thënë Lukashenka më 3 dhjetor 2019 në Beograd.
Presidentët e Bjellorusisë dhe Serbisë, Lukashenka dhe Vuçiq, më parë ishin takuar në Minsk, në qershor të vitit 2019. Vuçiqi atëherë e kishte falënderuar Lukashenkan për donacionin prej katër MIG-29 të përdorur, si dhe çmimet e ulëta për rregullimin e tyre dhe paralajmëroi avancimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e mbrojtjes.
Bjellorusia i kishte dhënë donacion Serbisë katër aeroplanë të përdorur MIG-29, të cilët në shkurt të vitit 2019 ishin prezantuar në Bjellorusi. Megjithatë, detajet e këtij donacioni nuk janë të njohura për publikun, sepse kontratat për donacione të pajisjeve ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka shënuar si “sekrete”.
Që nga viti 2015, Serbia merr pjesë në ushtrimet ushtarake të përbashkëta të Rusisë dhe Bjellorusisë “Vëllazëria sllave” dhe dy herë ka qenë nikoqire e këtyre ushtrimeve (në vitet 2016 dhe 2019).
Përderisa zyrtarët serbë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë, organizatat joqeveritare të caktuara në Serbi i kanë mbështetur demonstruesit në Bjellorusi.
Me fotografinë “Qëndrojmë pranë Bjellorusisë”, Qendra për të drejta të njeriut në Beograd, në profilin e saj në Instagram ka publikuar porosinë “Me mbështetjen, luftën dhe forcën e rinisë. Për të vërtetën, mirësinë dhe vlerat e vërteta”.
Bojan Stojanoviq nga kjo organizatë joqeveritare ka thënë për Radion Evropa e Lirë që kur bëhet fjalë për “shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, çdo qeveri serioze do të duhej të ishte e kujdesshme për ruajtjen e marrëdhënieve, gjegjësisht për distancim nga veprat e tilla”.
“Sjellja e autoriteteve të Serbisë në raport me Lukashenkan nuk është jologjike duke pasur parasysh bashkëpunimin shumëvjeçar dhe mbështetjen dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, veçanërisht duke pasur parasysh që diplomacia e Serbisë është mjaft e bazuar në atë që të kihet kujdes që të mos kritikohen vendet që e mbështesin politikën e Serbisë ndaj Kosovës”, ka theksuar Stojanoviq.
Aktivistet dhe aktivistët e Iniciativës së të rinjve për të drejta të njeriut (YIHR) e kanë shprehur mbështetjen për demonstrantët duke hedhur lule para hyrjes së Ambasadës së Bjellorusisë në Beograd. Më 14 gusht, ata kanë porositur që “nuk ka miqësi me presidentin e atij vendi, Lukashenkan”, i cili, siç thanë ata “po i sakrifikon jetët e liritë e qytetarëve në mënyrë që gjithmonë të mbijetojë në pushtet”.
Nga presidenti (Vuçiq) dhe kryeministrja e Serbisë (Ana Bërnabiq) YIHR-ja ka kërkuar që të anulojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë, si dhe që “Serbia t’i bashkohet nismës ndërkombëtare, nën udhëheqejn e Bashkimit Evropian dhe shteteve të saj anëtare, që të gjendet një dalje paqësore nga kriza që është shkaktuar me falsifikimin e rezultateve zgjedhore në zgjedhjet bjelloruse”.
Dodiku uroi Lukashenkan
As në Bosnjë nuk ka reagime zyrtare lidhur me situatën në Bjellorusi. Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për udhëheqjen e politikës së jashtme dhe as Ministria e Punëve të Jashtme, e cila e zbaton politikën e konfirmuar dhe punon për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në përputhje me qëndrimet dhe orientimet e presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë.
Por, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit serb, Milorad Dodik, i ka dërguar urime Alyaksandr Lukashenkas, me rastin e rizgjedhjes së tij për president të Bjellorusisë.
Teksti i këtij urimi nuk gjendet në faqen zyrtare të internetit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq agjencia e lajmeve Srna, ka njoftuar se Dodik, ndër të tjera, “ka shprehur besimin që Republika e Bjellorusisë, nën udhëheqjen e Lukashenkas do të vazhdojë rrugën e përparimit ekonomik dhe teknologjik për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj”.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që t’ju dërgoj urimet më të përzemërta. I gëzohem vazhdimit të bashkëpunimit me ju në planin bilateral dhe multilateral dhe jam i bindur që edhe në të ardhmen do të punojmë për forcimin e marrëdhënieve miqësore e vëllazërore të popujve tanë në të gjitha fushat”, është thënë në tekstin e urimit të Dodikut.
Pas këtij urimi ka reaguar vetëm ish-ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Igor Cërnadak, i cili në profilin e tij në Facebook, i ka bërë thirrje Dodikut që të tërheqë urimin.
“Duhet ta bëj këtë për shkak të interesave të Republikës Serbe, për shkak të së ardhmes së fëmijëve tanë, të cilët që në hapat e parë duhet të mësojnë që abuzimi dhe shtypja e popullit të vet dhe dëbimi dhe burgosja e opozitës janë krejtësisht të papranueshme”, ka shkruar Igor Cërnadak.
Milorad Dodik edhe në vitin 2015, atëherë në cilësinë e kryetarit të Republikës Serbe, i kishte dërguar urimin Lukashenkas, pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale.
Maqedonia e Veriut i mbështet sanksionet ndaj Bjellorusisë
Nga kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë teknike në Shkup, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë që t’i referohet deklaratës në Twitter të ministrit të Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov, përmes së cilës ai i ka mbështetur demonstruesit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Bjellorusisë.
“Vendosmëria për ndryshime demokratike e demonstruar në mënyrën më të thjeshtë dhe paqësore, i bën qytetarët e Bjellorusisë heronj të Evropës së sotme. Përshëndesim vendimin e Bashkimit Evropian/Këshillit për punë të jashtme se janë duke përgatitur sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për dhunën, arrestimeve të anshme dhe mashtrimit zgjedhor”, ka shkruar Dimitrov më 14 gusht në “Twitter”.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut pritet formimi i qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën në këtë shtet më 4 gusht.
Mali i Zi ka shprehur shqetësim
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë lidhur me zhvillimet në Bjellorusi, ka theksuar që vendi i tij “në vazhdimësi është duke përcjellë zhvillimin e ngjarjeve dhe shpreh shqetësimin për shkak të përshkallëzimit të trazirave dhe dhunës që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi, më 9 gusht të vitit 2020”.
Kjo ministri, po ashtu, ka thënë se Mali i Zi bën thirrje për respektimin e parimeve demokratike, bazuar në të drejtat e njeriut dhe të një procesi zgjedhor të lirë dhe transparent.
“Prandaj, me vëmendje të veçantë po ndjekim informacionet relevante për përdorimin e tepërt të dhunës mbi demonstruesit e qetë, si dhe veprimeve që kufizojnë liritë e medieve dhe të drejtën për lirinë e tubimit dhe të shprehjes”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
Gjithashtu, në përgjigje thuhet se Mali i Zi, si vend kandidat për anëtarësim në BE, i mbështetë të gjitha masat që BE-ja i ndërmerr me qëllim të qetësimit të situatës dhe beson që samiti i ardhshëm i jashtëzakonshëm i BE-së për Bjellorusinë, do të japë rezultate në këtë drejtim.
“Gjithashtu, qëndrojmë fuqishëm në pozicionin e promovimit të demokracisë, zbatimin e reformave të brendshme dhe mbrojtjes së lirive të njeriut, sidomos nën dritën e fakteve që Bjellorusia është pjesë e Partneritetit lindor dhe se viteve të fundit është i dukshëm ndryshimi në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe këtij vendi”.
Pas referendumit për pavarësi, në vitin 2006, Bjellorusia e ka njohur Malin e Zi, ndërkaq që marrëdhëniet diplomatike janë vendosur në muajin gusht të po atij viti. Bjellorusia nuk ka ambasador rezident në Podgoricë, por këtë detyrë e ushtron ambasadori i Bjellorusisë nga Beogradi. Ngjashëm, ambasadori i Malit të Zi në Moskë është përgjegjës në mënyrë fuksionale për Bjellorusinë.
Bashkimi Evropian për situatën në Bjellorusi
Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e 9 gushtit, Alyaksandr Lukashenka është duke u përballur me sfidën më të madhe përgjatë gjithë qeverisjes së tij për 26 vjet.
Demonstruesit antiqeveritarë kanë dalë nëpër rrugët e Minskit dhe qyteteve të tjera të Bjellorusisë, duke e akuzuar atë për manipulim të zgjedhjeve në mënyrë që ta zgjasë pushtetin e tij. Protestave, të cilat mbahen çdo ditë që nga zgjedhjet, u janë bashkuar edhe punëtorët që kanë dalë nga oborret e fabrikave nga e gjithë Bjellorusia, duke kërkuar ndaljen e dhunës mbi demonstruesit dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Lukashenka i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqjen e tij, ndërkaq në shtypjen e protestave nga ana e policisë, janë vrarë të paktën 2 persona, janë plagosur qindra dhe janë arrestuar rreth 7.000 njerëz.
Në përpjekje për të zbutur pakënaqësinë e popullit, autoritetet më pas kanë liruar të paktën 2.000 të arrestuar. Shumë nga ata që janë liruar, kanë dhënë “dëshmi të frikshme” lidhur me torturat dhe kërcënimet me përdhunim, gjë që, sipas vlerësimit të Amnesty International, sugjeron se bëhet fjalë për “tortura masive”.
Rivalja kryesore opozitare e Lukashenkas, Svetlana Tihanovskaja, e cila pas zgjedhjeve është larguar në Lituaninë fqinje, u ka bërë thirrje autoriteteve që të përfundojnë dhunën dhe të fillojnë dialogun me qytetarët.
Thirrje të njëjtë ka bërë edhe Bashkimi Evropian, ministrat e vendeve anëtare të së cilit, më 14 gusht kanë paralajmëruar vendosje të sanksioneve ndaj Bjellorusisë, por që për masat konkrete duhet të punohet.
Grupimet politike që udhëheqin në Parlamentin Evropian, kanë njoftuar që Parlamenti Evropian nuk e njeh Alyaksandr Lukashenkan si president të sapozgjedhur të Bjellorusisë dhe se e konsideron atë si “person të padëshiruar (non-grata)” në Bashkimin Evropian.
Liderët e vendeve të BE-së, të mërkurën, më 19 gusht, përmes një video-konference kanë diskutuar për situatën në Bjellorusi.
Shefi Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë që Bashkimi Evropian nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave.
“Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione ndaj një vargu individësh që janë përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe mashtrimet zgjedhore”, ka thënë Michel në samitin e jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, i cili është organizuar për të diskutuar përgjigjet e bllokut evropian ndaj zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi.