Këndvështrimet radikale të Sontagut për fotografinë

14 gusht 2019 | 18:07

ALINA COHEN

Përktheu: Fahredin Spahija

Fotografia, më shumë se çdo formë tjetër e artit, është subjekt i shqyrtimit intensiv moral.

Ne shqetësohemi për shtimin e imazheve të dhunshme, për aprovimin e subjekteve për të qenë të fotografuar, frikësohemi se fotografitë e manipuluara do të krijojnë keqpërdorime të dëmshme të çështjeve kritike dhe shqetësohemi se shkrepja e fotografive në mënyrë të tepruar zvogëlon aftësinë tonë për ta përjetuar botën. Këto shqetësime mund të konsiderohen të çastit dhe si të bëra me kohë, por shkrimtarja Susan Sontag të gjitha këto shqetësime i kishte artikuluar qysh në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.

Përmbledhja e eseve të Sontagut e vitit 1977, me titullin “Për fotografinë” (On Photography) është, ndoshta, libri më i çmuar dhe më me ndikim që është shkruar ndonjëherë për këtë medium. Edhe pse tani konsiderohet një tekst inovativ i rëndësisë artistike-historike, Sontagu nuk ishte artiste profesionale dhe as akademike: ajo vazhdimisht është përqeshur si “intelektuale publike”. Stili i saj bindës i të shkruarit dhe aprovimi i plotë i statusit prej amatores bëri që idetë e saj të depërtojnë kudo – pavarësisht prej paraqitjes së shumë kritikuesve. Shkrimtari Tom Wolfe e quante “edhe një shkrimtare e cila e kaloi jetën duke u paraqitur në takime protestuese dhe duke u ngjitur në podium e ngarkuar me stilin e saj prozaik”. Studiuesja Camille Paglia e akuzonte se po shndërrohej në një “sinonim të llojit të cekët të mashtrueses”. Prapëseprapë, mendimet radikale të Susan Sontagut kanë mbetur të fuqishme si çdoherë.

E lindur në vitin 1933, Sontag ka shkruar drama, ese dhe novela deri në vdekje (2004). Nuk kishte asnjë edukim formal në fushën e artit apo fotografisë – studioi gjuhën angleze dhe filozofinë në Harvard, por nga viti 1959 u bë pjesë e skenës kulturore njujorkeze. Burimi i interesimit të saj për fotografinë diskutohet dhe analizohet edhe sot. Krahas punës në këtë temë, Sontag u bë e njohur me esetë kundër luftës dhe shkrimet që ajo ua kushtonte sëmundjeve dhe llogoreve. Libri i saj eseistik i vitit 1964, “Shënime për kampin” – një analizë radikale tejet e thukët dhe me ndjeshmëri të veçantë, e ndihmoi atë të bënte emër dhe u bë inspiruese e temave të Met Galas për këtë vit (Costume Institute Gala). Duke festuar vazhdimisht dhe duke u tallur gjithë jetën, Sontag u bë ikonë: elegante, e çuditshme, e zëshme dhe brilante.

Në biografinë kushtuar shkrimtares që pritet të dalë në shtator të këtij viti (2019), nga autori Benjamin Moser, “Sontag: Jeta dhe vepra e saj”, ajo përforcohet edhe më tej si një mendimtare me karakter të jashtëzakonshëm. Ndër të tjera, në faqet e librit jepet edhe informata se Sontag në vitet e e njëzeta kishte shkruar një biografi të madhe për Sigmund Freudin, porse krejt meritat për të i kishte marrë burri i saj.

Edhe pse shkruante për artistët dhe estetikën, bindjet politike mbështetën argumentet e Sontagut. Shqetësimet e saj të vërteta rreth fotografisë kishin ndikim marksist. Ajo e trajtoi “turpin klasor” në veprën e August Sanderit, i cili bëri fotografitë e gjermanëve në fillim të vitit 1911. Sontagu vuri në dukje se ai realizoi portrete të të pasurve në ambiente të mbyllura derisa punëtorët dhe të braktisurit paraqiteshin në vende dhe me rekuizita që nënkuptonin profesionet e tyre. Strategjia e fundit, shkruante ajo, e paraqet klasën e ulët sikur nuk ka “lloje të identiteteve të veçanta që arrihen zakonisht te klasa e mesme dhe e lartë shoqërore”. Nëse e duam një shoqëri me të drejtë, thotë Sontag, mund të fillojmë të mendojmë se kë e fotografojmë dhe si e përshkruajmë atë që po fotografojmë. Sander pothuajse është i vetmi fotograf të cilin Sontag e fajëson që objektivin e tij e ka shfrytëzuar për t’u kënaqur me “turizmin klasor”. Ajo theksonte se Edward Steichen, Bill Brandt, Henri Cartier-Bresson dhe Richard Avedon janë të gjithë ose shumë të pasur, ose shumë të varfër apo të dyja bashkë.

Ani pse Sontag është marrë me karrierën e disa fotografëve, ajo vlerësohej më shumë për diskutimet e saj të gjëra kushtuar përhapjes së fotografisë. Ajo thirrej në natyrën e varësisë që krijon aparati fotografik, por paralajmëronte se shkrepja e fotografive jep vetëm “një shfaqje të pjesëmarrjes”. Lidhja jonë e zjarrtë me “Instagram”-in sot, është dëshmia më e mirë e parashikimit të saj. Kur bëjmë një fotografi, ne në thelb e shkëpusim veten nga bota dhe njerëzit rreth nesh. Bërja e fotografive me obsesion është tjetërsues – ata që janë më të pangopurit nga ushqimi i “Instagram”-it, sipas logjikës së Susan Sontagut, mund të jenë më të izoluarit, pavarësisht prej postimeve të tyre të fotografive me diell.

Por, edhe më shqetësuese ishte shpallja e aparatit fotografik nga Sontagu, si një armë. “Të fotografosh njerëz është sikur t’i dhunosh ata”, shkruante ajo. Sa më shumë imazhe dhune që shohim nga luftërat; të viktimave të urisë apo të të uriturve; apo padrejtësi të tjera – aq më imun karshi tyre bëhemi ne.

Vitet e fundit lëvizja Black Lives Matter (Jeta e afro-amerikanëve ka vlerë – v. i.) ka kundërshtuar qarkullimin e fotografive që tregojnë dhunë kundër trupit të zi. Kjo çështje zuri fill te protestat e vitit 2017 në Muzeun “Whitney”, që sfiduan një përshkrim të një piktoreje të bardhë (Dana Schutz) që i bëri një fotografi të Emmett Tillit të gjymtuar në arkivolin e tij (Emmett Till ishte 14-vjeçari afro-amerikan i linçuar nga racistet e bardhë, në vitin 1955).

“Fotografitë tronditin edhe kur ato tregojnë diçka përshkruese”, shkruante Sontag katër dekada para këtij shqetësimi apo proteste. “Për fat të keq, pakënaqësitë vijnë duke u shtuar – pjesërisht shkaku i shtimit të madh të imazheve me përmbajtje të tmerrshme”.

Më shumë se çdo kritik tjetër i shekullit XX, Sontag u dha lexuesve një arsye për t’u kujdesur për fotografinë. Qoftë në nivel të ndërgjegjshëm ose të nënndërgjegjshëm, imazhet që na bombardojnë çdo ditë ndikojnë në mënyrën se si ne e përshtatim ndjesinë tonë karshi moralit dhe perceptimit të botës. Në vitin 2019 shkrimet e saj ende udhëzojnë për një vështrim më të kujdesshëm, për shkrepjen e fotografive dhe marrjen në konsideratë të mënyrës se si ne e përjetojmë aq shumë jetën moderne: përmes ekraneve dhe lenteve.

 

(Marrë nga numri i gjashtë i revistës “Akademia”)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…