KËNDVËSHTRIMI
DAVID LODGE
Nuk duhet të mendohet se çlodhjet e zonjës qenë të pakta nëse demonstroheshin në një formë tjetër – hyrjet triumfale dhe heshtjet pa frymë gjatë të cilave sikur kapte gjithçka në dhomë, nga gjendja e tavanit deri te majat e çizmeve të së bijës, qe inspektim shumëqëllishmëm. Nganjëherë ulej e nganjëherë vinte rreth e rrotull, por secilën herë qëndrimi i saj bartte tiparet e të zakonshmes. Kishte mjaft dëshpërime sa linte shumë për të shpresuar dhe zhytej aq fort në mendime sa dukej se shpërndante rregull dhe premtime. Vizitat i kishte të mira po aq sa veshjet; sjelljet, siç thoshte dikur zonja Wix, aq të mira sa një palë perde; por qe person i varur nga ekstremet – nganjëherë mezi i fliste fëmijës së saj dhe nganjëherë e shtypte këtë filiz të butë në të çarën e gjirit, edhe kjo, sipas vërejtjeve të zonjës Wix, mjaft e hapur. Gjithmonë nxitonte dhe sa më e hapur të ishte e çara e gjirit aq më tepër kuptohej se e kërkonin diku tjetër. Zakonisht hynte e vetme por, ndonjëherë, zoti Claude ishte me të dhe gjatë tërë kohës së mëhershme s’kishte gjë që këto paraqitje të ndikonin kaq këndshëm sa mënyra se si zonja ishte nën magji, siç shprehej zonja Wix. “Por a nuk ishte!” Mejsi përdori një referencë të kujdesshme, por të njohur, për të bërtitur, pasi zoti Klaudi e përfshinte mamanë në valën e të qeshurave të natyrshme. As edhe në kohët e zonjave të ngërdheshura nuk e kishte dëgjuar mamanë të qeshte aq lirshëm sa në këto çaste të nënshtrimit bashkëshortor, për gëzimin e së cilës edhe një vajzë e vogël mund ta shihte se më në fund kishte të drejtë – një vajzë e vogël, mendimi i së cilës ishte tashmë meditim i lumtur egoist mbi ogurin e mirë dhe argëtim në të ardhmen.
HENRY JAMES, Çfarë dinte Mejsi (1897)
NJË NGJARJE REALE mund të përjetohet – dhe zakonisht përjetohet – njëkohësisht nga më shumë se një person. Romani mund të japë këndvështrime të ndryshme për të njëjtën ngjarje – por vetëm njëra pas tjetrës. Edhe nëse shfrytëzohet metoda e të rrëfyerit “të gjithëdijshëm”, të rrëfyerit nga lart-si-perëndi, romani zakonisht privilegjon vetëm një ose dy “këndvështrime” të mundshme nga ku rrëfehet storja dhe përqendrohet në mënyrën se si këto ngjarje e ndikojnë atë. Rrëfimi plotësisht objektiv, plotësisht i paanshëm, mund të jetë synim i denjë në gazetari ose historiografi, por storja fiksionale vështirë se na ngjall interes nëse nuk e dimë se e kujt është storja.
Zgjedhja e këndvështrim(eve)it nga ku rrëfehet storja është padyshim vendimi i vetëm më i rëndësishëm që duhet ta marrë romancieri sepse, në thelb, ai ndikon në mënyrën se si do të reagojë, emocionalisht dhe moralisht, lexuesi ndaj personazheve imagjinarë dhe ndaj veprimeve të tyre. Për shembull, storja e tradhtisë bashkëshortore, – çdo tradhti bashkëshortore – do të ndikojë ndryshe nëse ajo paraqitet kryesisht nga këndvështrimi i personit jobesnik ose bashkëshortit të lënduar, ose dashnorit – ose si vëzhgues nga ndonjë palë e katërt. Nëse Zonja Bovari do të rrëfehej kryesisht nga këndvështrimi i Sharl Bovarit, do të qe libër krejt tjetër nga ai që e njohim.
Henry James ishte njëfarë virtuozi në manipulimin e këndvështrimit. Te vepra Çfarë dinte Mejsi ai paraqet një storje mbi kurorëshkeljet e shumta – ose tradhtive bashkëshortore të legjitimuara hollë nga divorci dhe rimartesa – ekskluzivisht përmes syve të një fëmije e cila është e prekur nga to, por që nuk i kupton aspak. Prindërit e Mejsit divorcohen pasi babai i saj ka një aferë me guvernantën, me të cilën edhe martohet. Nëna e Mejsit, Ida, martohet me një admirues të ri, zotin Klaudi dhe e lë Mejsin nën kujdesin e një guvernante tjetër, zonjën Wix. Nuk kalon shumë kohë dhe njerkët dashurohen. Këta të rritur egoistë dhe të paskrupullt e përdorin Mejsin si peng në grindjet e tyre dhe si ndërmjetëse në intrigat e tyre dashurore. Përderisa ata ndjekin kënaqësitë e tyre egoiste, ajo kufizohet në një dhomë të zymtë shkolle me zonjën e lezetshme Wix, e cila është e apasionuar pas zotit Çarls dhe rritet ndër vite.
Fragmenti i cituar këtu gjendet diku në fillim të librit dhe ka të bëjë me premtimet boshe të Idës, në periudhën e muajit të mjaltit të martesës së saj të dytë, ta përmirësojë cilësinë e jetës së Mejsit. Aty rrëfehet nga këndvështrimi i Mejsit, por jo me zërin e saj, as me ndonjë stil që në çfarëdo mënyre tenton të imitojë diskursin e fëmijës. Jamesi i shpjegoi arsyet e tij në parathënien për edicionin e Nju-Jorkut: “Fëmijët e vegjël kanë shumë më tepër perceptime sesa terma t’i përkthejnë ato: vizioni i tyre, në secilin çast, është më i pasur, të kuptuarit e tyre vazhdimisht më i fortë, sesa shtytja dhe sa i gjithë fjalori i tyre prodhimtar”. Stilistikisht, pra, Çfarë dinte Mejsi është e kundërta e Rojës në thekërishte. Ku këndvështrimi naiv artikulohet në një stil të pjekur: elegant, kompleks, delikat.
Nuk përshkruhet asgjë që Mejsi s’mund ta perceptojë bindshëm dhe ta kuptojë në termat e saj fëmijëror. Mamaja e saj bën propozime eksituese, energjike për ridekorimin e dhomës-shkollë dhe rinovimin e gardërobës së Mejsit. Vizitat e Idës janë të befasishme dhe të shkurtra, sjellja e saj është e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme. Ajo zakonisht vishet në mënyrë glamuroze dhe shkon në ndonjë event shoqëror. Duket se është shumë e dashuruar me bashkëshortin e saj të ri dhe në humor të mirë. Mejsi i vëzhgon të gjitha këto me saktësi por, pafajshëm. Ajo ende i beson nënës së saj dhe pret me shpresë “argëtim në të ardhmen”. Sidoqoftë, lexuesi nuk ka iluzione të tilla, sepse gjuha tejet e sofistikuar me të cilën komunikohen këto vëzhgime është jashtëzakonisht ironike në kurriz të Idës.
Fjalia e parë e këtij fragmenti përmban shumë veçori që e përcaktojnë stilin e që është e kundërta e gjuhës së fëmijës. Ajo fillon me një strukturë foljore pasive (“Nuk duhet të mendohet”) dhe vazhdon me një mohim të dyfishtë (“qenë të pakta”), parapëlqen emra abstraktë shumërrokësh në vend të fjalëve konkrete ose të zakonshme (“çlodhjet”, “demonstroheshin”, “shumëqëllimësh”) dhe pëlqen çiftëzimet elegante simetrike (“hyrjet triumfale dhe heshtjet pa frymë”, “nga… tavani. . . te majat e çizmeve”). Struktura e gjithë fjalisë është ajo që gramatikanët e quajnë periudhë – me fjalë të tjera, duhet të prisni deri në fund, ta mbani informacionin e grumbulluar në kokë, për klauzën mbyllëse që jep kuptimin kryesor (në këtë rast, tregohet se i gjithë shqetësimi i Idës është shou). Kjo e bën leximin e Jamesit përvojë të zorshme, por shpërblyese: nëse e tundni kokën në mes të fjalisë, e keni humbur.
Prirja e tij për paralelizma dhe antiteza është mjaft e theksuar, sidomos efektive në këtë fragment. “Nganjëherë ulej dhe nganjëherë vinte rrotull”. “Kishte mjaft dëshpërime sa linte shumë për të shpresuar”. “Vizitat i kishte të mira po aq sa veshjet; sjelljet, siç thoshte dikur zonja Wix, aq të mira sa një palë perde”. Këto struktura të balancuara me shkathtësi nënvizojnë kontradiktat midis premtimeve të Idës dhe performancës së saj, shtirjeve bujare dhe egoizmit të saj të vërtetë.
Një nga shenjat më të zakonshme të shkrimtarit dembel ose të papërvojë është mospërputhja në mbajtjen e këndvështrimit. Një storje – le të themi se është storje mbi Gjonin, që largohet nga shtëpia për herë të parë për të shkuar në universitet, siç perceptohet nga Gjoni – Gjoni paketon çantën, hedh një vështrim të fundit rreth dhomës së gjumit, u thotë lamtumirë prindërve të tij dhe, papritmas, pas disa fjalive, na rrëfehet se çfarë po mendonte nëna e tij për këtë ngjarje, thjesht sepse shkrimtarit i duket informacion interesant për ta futur në atë moment; pas të cilit rrëfimi vazhdon nga këndvështrimi i Gjonit. Natyrisht, s’ka ndonjë normë apo rregull që thotë se romani s’mund ta ndryshojë këndvështrimin sa herë që dëshiron shkrimtari, por nëse nuk bëhet sipas ndonjë plani a parimi estetik, prishet përfshirja e lexuesit dhe “prodhimi” i kuptimit të tekstit nga lexuesi. Ne mund të pyesim, me vetëdije ose nënvetëdije, përse, nëse na është rrëfyer se çfarë mendon nëna e Gjonit në një moment të skenës, nuk na jepet e njëjta qasje në mendjen e saj në momente të tjera. Nëna, e cila deri në atë pikë ishte objekt i perceptimit të Gjonit, befasisht bëhet subjekt më vete, por subjekt i parealizuar. Dhe nëse na jepet qasje në këndvështrimin e nënës, pse jo edhe në atë të babait?
Në fakt, kur rrëfimi kufizohet në një këndvështrim të vetëm, arrihet njëfarë rritje e intensitetit dhe menjëhershmërisë apo, më mirë, kështu besonte Jamesi. Por, me sa mjeshtëri e përdor zonjen Wix për ta përcjellë gjykimin e të rriturve për Idën, gjykime për të cilat Mejsi është e paaftë, pa devijuar nga këndvështrimi i Mejsit. Komentin për sjelljet e Idës si një palë perde, Mejsi e kupton si një lloj komplimenti, ndërsa lexuesi e interpreton si kritikë therëse. Po kështu, vëzhgimi i zonjës Wix për dekoltenë e Idës është i motivuar nga xhelozia dhe mospranimi moral, ndërsa Mejsi, duke mos parë asnjë shenjë erotike në ekspozimin e gjirit të gruas, fiksohet vetëm nga raporti midis çarjes së dekoltesë dhe kohëzgjatjes së vizitave të nënës së saj.
Më vonë, gjatë storjes, ndërsa Mejsi kalon nga fëmijëria në adoleshencë, pafajësia e tillë prodhon një ndërgjegjësim të asaj që synojnë marrëdhëniet e të rriturve, por hendeku midis gjuhës dhe këndvështrimit nuk mbyllet kurrë dhe pyetja se çfarë dinte Mejsi nuk zbërthehet tërësisht. “Bukuria është e vërteta”, tha Keats. “Bukuria është informacion”, thotë semiologu i madh rus, Juri Lotman, një formulë në sintoni me mendësinë moderne. Henry James, romancieri vërtet i parë modern në gjuhën angleze, nuk besoi se e vërteta përfundimtare rreth përvojës njerëzore mund të provohet ndonjëherë, por e zhvilloi një teknikë fiktive që mbushi çdo çarje me informacion të çmuar.
Përktheu nga origjinali (anglishtja): Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 18 i revistës “AKADEMIA”