Kënga ilirishte

31 mars 2022 | 11:18

Ragip Gjoshi

 

(Udhëheqësve të UÇK-së dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë)

 

1.

O këngë ilirishte, o këngë e gërxheve të vendit tim!

Këngë e lirë e fjalë e lirë ilirishte

Ishim këtu para zogjve, para këngës së gurrave

Rënkimet e zemrës ilirisht rrëfeheshin

Ishim si loti para lotit të përvëluar

Para dhimbjeve ishim

Ishim vetëm plisbardhë

Ishim përtej gërxheve e përtej lumenjve

Ishim të ngarkuar me forcën e kujtimeve

Ishim këtu edhe para dreqit ne plisbardhët

Para të mallkuarve të paidentitet e të pamëshirë

Ishim të lumtur atëherë, thonë kronistët

Ishim në breg të detit të lirë…

Kudo kishte veç bardhësi e pellazgji

Ballë për ballë tallazeve dhe përballë rrufeve të moteve

Deri te Epoka e Re – Epoka e Ademit të përjetshëm.

 

2.

Në kronikën ilirishte erdhën tinëzarët

Rrufe lëshuan mbi listat e Ilirisë

Deri te degët e Kastriotëve

Deri në të shenjtën UÇK

Ne ishim këtu edhe para dreqit

Këtu ku këngë ilirishte shpërthyer kanë qëmoti mbi Iliri

Sërish tinëzarët plagë i hapën historisë dhe trimërisë,

Trimëritë i mbështollën në tym e zjarr e mjegull

Në dosje padrejtësisht u palosën gënjeshtrat

Që në katakombe peng të mbahen këngët ilirishte

Jemi në pritje të diellit në mesnatë të pranverës

Të atyre që mbajnë të ngarkuar barrë mbi kurriz

Kosovën si një varr në kraharor

Të atyre që në djep iu pikën dy pika loti për këngën ilirishte

Atyre që me këngë ninulla e barot i ushqyen nënat

Atyre këmbëzbathurve të Arbërisë së vogël,

Atyre që kapërcyen udhët me shumë kthesa të malit

Atyre djemve që kishin lexuar Abetaren ilirishte

Atyre që beson në ëndrrat ilirishte

Të atyre që u bënë roje të përjetshme në pritën hasmit.

 

3.

Jemi në pritje për një “devër” tjetër

Për shembjen e “zamanit” të shpifjeve

Që “zullumi” i një kohe të këputet së trashi

Ofshamat e nënave këpusin nyjat e litarit

I mallkoftë buka e tokës ilire, gurra e bjeshkëve tona!

I vraftë kënga ilirishte të gjithë shpifësit!

 

Drenicë, më 31 mars 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar Qeverinë e…