KËNGË PËR GRUAN

06 korrik 2021 | 13:24

Nga: Petrit Ruka

– gruas së jetës, Zhanit –

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,

jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,

kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë: “epo mirë!”

dhe prapë jemi puthur ashtu… si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur: “s’të dua”,

kemi pështyrë mbi proverbin se qenkëshim mish e thua,

kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë,

kemi thënë një mijë herë: “u mbush kupa dhe pikë”!

Pastaj jemi përqafuar: “epo unë isha në gjumë,“

jam futur në mishin tënd siç futet shkretëtirës një lumë,

jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,

na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,

kemi ndarë dyshekun me vijë, ah, vijë e florinjtë,

po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë

me dredhi ballkanike që as OKB s’i ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,

ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,

po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar,

mos pushofsh kurrë, moj luftë, qofsh e bekuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë me…