KËNGËT E SKËNDERIT

02 nëntor 2021 | 08:22

Bedri Zyberaj

(Për veprën Ti më ke dashur pakëz)

I dashur Skënder,

Të dashur kolegë, miq dhe dashamirë,

E dashura Korçë që dhe unë të kam hua!

Të vish nga Kosova dhe t’u flasësh korçarëve për veprat dhe për vlerat e Skënder Rusit është pak paradoksale. Janë dy arsye për të cilat vë theksin te kjo fjalë, paradoksale. E para, sepse besoj shumë se askush më mirë sesa ju që jeni të pranishëm këtu, edhe ata të tjerët që sonte nuk janë me ne por do të marrin vesh ndërkohë për këtë botim libri dhe për këtë promovim, nuk i di fillet dhe farat e figurave që nga libri i parë i Skënder Rusit e deri te ky i fundit që, sot, e sollëm nga Kosova. Arsyeja e dytë është kjo tjetra: veprimtaritë e tilla letrare dhe kulturore, të paraqitjes së veprave të reja para, mes dhe pranë publikut, gjatë pandemisë janë bërë më të rralla në Kosovë ashtu siç janë bërë edhe në Shqipëri. Së këndejmi, aktivitetet e përbashkëta kulturore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po shënohen edhe më rrallë sikur, ta zëmë, është ky promovim i sotëm. Libri është shkruar në Shqipëri, në kryeqytetin e kulturës shqiptare – Korçë, është botuar në Kosovë, në kryeqytetin e qyteteve të saj – Prishtinë.

Botuesi i kësaj vepre poetike, i këtyre këngëve të Skënderit, kohë pas kohe mua dhe mikut tim, Ademit, na jep disa obligime. Na dha edhe këtë herë. Na bëri me dije se ka në duar një dorëshkrim libri të Skënderit Rusit dhe na dërgoi, para se ta përgatiste dhe shtypte, për lexim dhe për vlerësim, duke na paralajmëruar se ka mundësi që promovimin të shkojmë e ta bëjmë në Korçë dhe ju do të flisni.

Dhe ashtu ndodhi. Nuk kisha si t’i ikja këtij detyrimi të njeriut që ka emrin e qytetit të një mbi një dritareve – Berat dhe mbiemrin artistik – Armagedoni.

Për këtë rast, unë zgjodha të flas për gjuhën dhe për stilin e kësaj vepre, se motivet, lajtmotivet dhe temat që ka rrahur Skënderi kanë rrahur edhe të tjerët para dhe pas tij, pa çka se jo me bukurtingëllimën dhe natyrshmërinë e vargjeve që janë në këtë vepër e që, pjesa më e madhe e tyre, për shkak të lirizimit të thellë, janë poezi këngë. Ju duhet vetëm një element muzikor, një zë i këndshëm dhe çdonjërën prej tyre mund të bëni këngë me pak, ose me asnjë ndryshim.

Edhe veprat e mëparshme të Skënderit, edhe kjo e fundit, kanë veçori të shumta stilistike, ndërthurje gjuhësore dhe kategori estetike. Shpeshherë, gjatë leximit, më mbushej mendja, meqë atë e vëreja në poezitë e tij, se kur autori i shkruan vepra të këtilla poetike, është i pranishëm në një studio muzikore, i rrethuar me vegla muzikore. Edhe kur atyre veglave s’ka kush t’u bie, u bie ky me poezi, me elemente nga fonetika stilistike. Pra, poezitë i bënë këngë dhe jo pa qëllim në krye të tekstit shkrova Këngët e Skënderit. Duket se kam gjetur fillin e tyre, se, siç mund ta dini secili prej jush, Skënderi ka shkruar qindra teksteve të këngëve për këngëtarë, kryesisht lirika të dashurisë. Këngë, por të tipit të baladave, dhe për heronj dhe dëshmorë të Kosovës, ka shkruar shumë edhe bashkudhëtari ynë i sotëm, Adem Gashi, krijimet e të cilit, më tepër, kanë karakter epik dhe më shumë u ka kënduar dhe shkruar të rënëve, ndryshe prej Skënder Rusit që u ka kënduar dhe shkruar të gjallëve.

Çfarë karakteristika të tjera ka në poezitë e librit të Skënder Rusit me titull Ti më ke dashur pakëz.

Vini re! Titulli na vjen si një copëz dialogu që ka një nëntekst të larmishëm dhe të fuqishëm që do të mund të deshifrohej: Ti më ke dashur pakëz, por ka qenë shumë për mua; Ti më ke dashur pakëz, Unë të kam dashur shumë; Ti më ke dashur pakëz dhe më ka mjaftuar, Unë të kam dashur shumë, por nuk më ka mjaftuar, që s’ka se si të mos na ndërlidh me poezinë e Fatos Arapit, Si s’të desha pak më shumë.

Megjithatë, përkundër frikës se mund ta zgjas, nuk mund të mos e marr dhe një shembull nga ky vëllim me poezi, vetëm sa për ta ilustruar.

Edhe në jetën e autorit të librit që po promovojmë sot, si të çdo njeriu tjetër, e në veçanti të krijuesve me shpirt të ndjeshëm, vetmia, sidomos ajo shpirtërore, është ajo që u shkakton një boshllëk. U shkakton boshllëk, por, pikërisht ky boshllëk, krijuesve ua ngacmon dellin poetik dhe vjen e shndërrohet në muzë frymëzimi. Një moment të tillë, lexuesit do të kenë mundësi ta gjejnë që në poezinë e parë me të cilën bëhet hapja e kësaj përmbledhjeje. ,,Ditët e mia pa ty” është titulli i kësaj poezie në të cilën ndihet pesha e rëndë e përjetimit të vetmisë së mungesë së ,,asaj”, pa të cilën jeta, për autorin, disi nuk ka kuptim. Prandaj, dhe brenda tekstit poetik ndihet pesha e një zymtësie, e cila, në pjesën e dytë disi përmbyset me besimin që ,,ajo” përkundër kushedi çfarë hatërmbetjeje, zemërimit, kryeneqsisë apo çfarëdo arsyeje tjetër nuk po bëhej e gjallë, megjithatë hapat e kthimit të saj kishin nisur dhe kjo pastaj kushtëzon lindjen e shpresës së mundësisë që një ditë ajo do të kthehet,  ta kërkoj dhe do ta gjej.

Ka ditë që pres hapat e kthimit tënd

Ato janë nisur

Unë e njoh këtë zhurmë

Lamtumirë ditët e mia në paqe

Dhe gjithë ju të tjerat

Që i komandoj unë

 

Ka ditë kur unë jam bosh, fare bosh

Jam ky pyll ku të pëlqen të vdesësh

Nëse në këtë pyll një ditë do të më kërkosh

Atje do të më gjesh në formën e vesës.

Por le të rikthehemi te çështjet që kam zgjedhur të shkruaj.

Me dhjetëra poezi Skënder Rusi më ka bindur se fonetikën stilistike e njeh shumë mirë. I di rregullat teorike të saj. I di figurat e saj. E di rëndësinë e ritmit. E di edhe kohën sa duhet ta mbajë gjatë për t’u bërë i përkryer. I di jashtëzakonisht mirë edhe figurat e fjalëve. E njeh mirë edhe sintaksostilistikën. Ai di të bëjë e të vë me vend, në strukturën e poezisë, fjalë emërore, foljore, përemërore, mbiemërore, numërore, ndajfoljore, pa lënë mënjanë edhe pjesët e tjera të ligjëratës të cilave, për shkak të efektit stilistik dhe ritmik, ua ndërron vendin në fjali. Bën përmbysje të rendit të fjalëve të shqipes për të sjellë sa më shumë cilësi, sa më shumë finesa stilistike, sa më shumë zë të këndshëm. Shembuj për ilustrim të këtyre rasteve do t’ju merrja po të organizohej një konferencë shkencore për veprën poetike të Skënderit, por ato mund t’i vërejmë dhe t’i kapim lehtë me vesh gjatë leximit të poezive të tij, edhe të interpretimit të tyre nga interpretuesit dhe këngëtarët.

Vepra Ti më ke dashur pakëz është një punëtori për çështje stili dhe gjuhe. Është e mbushur përplot figura të kuptimit, të shqiptimit poetik, të fjalëve dhe të shprehjeve të rralla, edhe të zakonshme, me figura të leksikut dhe të sintaksës. Edhe ligjërimit të tjetërkujt, pra ligjëratës së drejtë, i jep funksion stilistik. Madje, në disa raste, kam përshtypjen se kujdes më të madh i kushton kësaj ligjërate, e cila, zakonisht, del nga goja e asaj, e ajo është një e dashur, një grua, një vajzë që gërget mendjen e poetit dhe e bën pjesë të veprës së vet në orët e hershme, të mesditës dhe të mbrëmjes. Këto tri kohë na japin një të dhënë tjetër, se Skënder Rusi nuk shkruan vetëm kur terri ta mbulojë tokën dhe kur ka qetësi absolute. Ai shkruan orë e çast. Shkruan kur i vjen frymëzimi, shkruan kur dikush ia prish qetësinë, shkruan kur ndihet mirë, edhe kur ndihet keq dhe i pikëlluar. Shkruan për qytetin e vet, për të dashurit e vet, për gruan e vet, për miqtë e vërtetë dhe për ata miqtë që s’i ka bash të vërtetë. Skënder Rusi, së këndejmi, i ka bërë nder të madh Korçës jo vetëm me këtë libër, por më shumë me ata paraprakë. Por, me këtë të fundit, kryeqytetin e kulturës suaj, kulturën tuaj, ndjenjat e juaja, i ka sjellë në kryeqytetin tonë dhe ne ndihemi mirë që tash ka një shtëpi në Kosovë që i ka hapur derën e bashkëpunimit atij dhe miqve të vërtetë të tij që, nëse nuk shkruajnë kaq bukur sa Skënderi, të kenë vlera letrare të përafërta me të.

Ju falemnderit për vëmendjen!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adem Gashi (Për librin e Skënder Rusit “Ti më ke…