Këngët lirike të Lola Gjokës në koncertin e Kopenhagës

09 maj 2022 | 14:36

Pas realizimit me sukses në Stockholm të Suedisë, koncerti me këngët lirike të pianistes së hershme shqiptare Lola Aleksi Gjoka u mbajt më 7 maj edhe në Kopenhagë të Danimarkës. Koncerti i radhës u mbajt në sallën “Medborgerhus” të Herlevit që shtrihet në pjesën veriperëndimore të Kopenhagës. Salla ishte e mbushur me adhurues, në mesin e tyre edhe me miq danezë dhe suedezë.

Tue Magnussen, gazetar, historian, profesor i Universitetit të Kopenhagës dhe mik e njohës i çështjes shqiptare, ndihej i nderuar dhe i kënaqur me të gjitha interpretimet.

Të gjitha këngët lirike ishin aranzhime artistike të regjistruara qëmoti nga Lola Gjoka, kurse projekti voluminoz për realizimin e CD-ve dhe dy koncerteve, atij në Stockholm dhe këtij në Kopenhagë, është realizuar nga maestro i muzikës artistike shqiptare Zhani Ciko.

Koncertet e shfaqura këtë herë në Skandinavi arritën të gjitha parametrat prezantuese artistike edhe në saje të interpretimeve të jashtëzakonshme të solistëve e instrumentisteve virtuozë. Shkëlqyen solistët Mariana Leka, Erinda Agolli e Feride Istogu Gillesberg soprano, Gerald Murrjatenor, Antonio Zefi bariton dhe dy instrumentistet me renome ndërkombëtare, Ermira Lefort e Rudina Ciko piano. Tenori danez Stig Fogh Andersen ka ndihmuar projektin e regjistrimit të albumit muzikor që tashmë është në qarkullim.

Në koncertin shqiptar të Kopenhagës ishin edhe vajza e Lola Aleksit Gjokës – Juki Maria Rako, që kishte ardhur enkas për koncertin nga Milano e Italisë, së bashku me dy vajzat e veta, pra me dy mbesat e Lolës së paharruar.

Solistët dhe instrumentistët e mbrëmjes artistike në Kopenhagë

Rudina Ciko, pianiste me karrierë ndërkombëtare. Repertori i ekzekutimeve artistike tregon më së miri profesionalizmin e virtuozes Rudina Ciko: Beethoven 5, Chopen 2 , Liszt 1, Prokofiev 3, Rachmaninov Rapsodi, Tchaikovsky 1, Gorecki. Koncerte dhe me vepra shqiptare. Ka performuar në Austri, Gjermani, Finlandë, Francë, Belgjikë, Itali, Spanjë, Greqi, Siri, Mali të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë.

Është profesoreshë e pianos në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Ermira Lefort është pianiste e diplomuar, profesoreshë dhe përcjellëse e të gjitha instrumenteve dhe operës në Konservatorin e Lartë të Muzikës në Tiranë. Jep mësim për piano në Francë, Greqi, Irlandë dhe, së fundmi, në Federatën e Konservatorëve të Muzikës në Gjenevë. Ermira ka dhënë koncerte të muzikës klasike për diasporën shqiptare në Zvicër, ShBA, Francë, Angli etj. Një CD e saj me pjesë në piano me veprat e kompozitorëve shqiptarë u përzgjodh nga Biblioteka e Kongresit Amerikan në Uashington. Ermira ishte drejtoreshë artistike dhe pianiste në CD-në me “22 këngë liturgjike shqiptare”.

Erinda Agolli është soprano lirike e diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë. Është shfaqur në disa role në Teatrin Kombëtar të Operës. Erinda ka interpretuar në Portugali, Francë, Itali, vende të Ballkanit si dhe në shumë emisione televizive. Erinda ka ndjekur ligjërata të klasës master te Ermonela Jaho, soprano me famë botërore, si dhe te mentorë të tjerë të njohur shqiptarë.

Erinda Agolli interpretoi këto këngë: “Dola  n’penxhere”, “Midis ballit”, “Mori drandofilja e vogël”.

Gerald Murrja, tenor. Mbaroi studimet në Universitetin e Arteve për kanto në Tiranë. Është solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë si dhe pjesëmarrës në shumë programe televizive. Ka realizuar shumë koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë si në Gjermani, Itali, Francë, Greqi, Mali të zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe vende të tjera.

Gerald Murrja këndoi këngët: “Dy gisht përmbi vetull”, “O ku po shkon moj gocë e vogël”, “Çelni ju moj lule”,  “As aman o syr’i zi”.

 Antonio Zefi është një bariton që ka marrë notat më të larta gjatë shkollimit si dhe vendin e parë në një nga garat më të rëndësishme kombëtare. Aktualisht po këndon në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë. Ai është i angazhuar në role kërkuese. Ka kryer disa kurse master dhe ka marrë pjesë në disa turne jashtë vendit.

Antonio Zefi këndoi “Seç këndon bilbili”, “Mollë e kuqe top sheqere”, “Ishin dy kunata”, “Iptida moj lulja allit”

Sopranoja Feride Istogu Gillesberg është shqiptare, e lindur në Kosovë, e rritur në Gjermani, sot jeton në Danimarkë. Ajo ka punuar për shumë vite në Institutin Schiller dhe në këtë mënyrë është njohur me muzikën klasike duke provuar gjithashtu pasionin e madh për të kënduarit bel-kanto.

Feride Istogu Gillesberg këndoi këngët “Gem mbi gem” dhe “Këngën e Rexhës”.

Mariana Leka konsiderohet artistja më e shquar e operës shqiptare në 30 vitet e fundit. Soprano me talent natyror përgatitur në Akademinë Muzikore Shqiptare dhe e specializuar nga P. Washington. Përveçse në atdhe, ka performuar në Itali, Gjermani, Danimarkë, Spanjë etj. Mariana është vlerësuar me disa çmime kombëtare. Jashtë Shqipërisë është vlerësuar me çmimin K. Ricciarelli në Itali dhe Ariet italiane në Gjermani. Është pedagoge e kantos në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Mariana Leka këndoi këngët “Tash sa dite e mot”, “As aman o moj lule”, “Turtulleshë” dhe “Kroi i fshatit tonë”

Iniciatore e gjithë këtij projekti artistik ishte Feride Istogu Gillesberg nga Kopenhaga.

Artistët që kënduan këngët dhe instrumentistet që luajtën magjishëm në piano lanë mbresa të thella te spektatorët. Gjithë koncerti me këngë popullore të vjetra, të përpunuara dikur për zë e piano nga pianistja e parë shqiptare Lola Aleksi Gjoka, kënaqi publikun e etur për muzikë klasike e artistike shqiptare.

Lumë ata që i shijuan këngët dhe lumë ata që i panë artistët shqiptarë, secili më i mirë së tjetri në interpretimet e tyre virtuoze!

Albumi me këngë të përpunuara e të regjistruara në CD-në më të re tashmë është në qarkullim.

Shkroi: Qerim Kryeziu

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell,…