Këngëtari Skender Avdiu: Pandemia na ka dëmtuar shumë, shpresojmë që në këtë verë të nisim me dasma
Pandemia Covid-19 që preku të gjithë botën një vit më parë, e që po vazhdon ende, përpos pasojave që la në nevojat parësore të njerëzve, preku edhe dasmat e planifikuara të shqiptarëve.
Ndalimi i organizimit të ceremonive të dasmave ka dëmtuar rëndë dhe industrinë e lidhur me të, që nga kompanitë e organizimit të eventeve, ato të veshjeve, të makeupit dhe këngëtarët.
Këta të fundit disa herë janë ankuar te institucionet e vendit për moslejimin e dasmave, që disa prej tyre i kanë burim të vetëm material dasmat.
Këngëtari nga Gjakova, Skender Avdiu, i cili për këto vite pas lufte ka qenë shumë i angazhuar në dasma, thotë se tash e një vit ka qenë pasiv. Kontratat që ka pasur për vitin 2020 me organizatorët e dasmave i pati anuluar si pasojë e pandemisë (vendimeve të qeverisë për anulimin e dasmave).
“Pandemia Covid gjatë sezonit 2020 mua personalisht më ka dëmtuar shumë sa u përket dasmave. Shumë kontrata që kam pasur me organizatorët e dasmave i kam anuluar. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit”, ka thënë për “Epokën e re” këngëtari Skender Avdiu.
Ai thotë se financat po ndikojnë tash te gjithë e jo vetëm te këngëtarët.
“Gjatë kësaj periudhe të pandemisë më kanë munguar dasmat. Është një aktivitet që ti e bën me shumë dëshirë, nuk janë në pyetje edhe financat por na kanë munguar ato ahengje kur jemi kënaqur duke ofruar më të mirën për organizatorët e dasmave”, ka thënë Avdiu.
Ai ka kritikuar politikanët se kanë bërë padrejtësi duke mos lejuar dasmat me nga 150/200 vetë, e në anën tjetër kanë mbajtur fushata zgjedhore.
“Kujtojmë se fushata zgjedhore ka nxitur artistët që të reagojnë për shkak të anulimit të dasmave. Politikanët tanë kanë bërë padrejtësi, kanë mbajtur fushata elektorale duke grumbulluar deri në 1000 vetë, ndërsa dasmat me nga 150/200 vetë i kanë anuluar”, është shprehur këngëtari Avdiu.
Ai shpreson që këtij virusi t’i vijë fundi dhe të kthehet çdo gjë në normalitet.
“Po e përserisë se ka qenë një periudhë e rëndë për ne këngëtarët. Shpresoj që qeveria të mendoj rreth lehtësimit të masave dhe në këtë verë të lejohet organizmi i dasmave me një numër më të vogël të pjesmarrësve diku 100 deri në 120 persona dhe të respektohen masat anti Covid nga të gjithë”, ka deklaruar këngëtari Skender Avdiu.