Këngëtarja vdes nga Covidi pasi e lindi foshnjën
Një këngëtare e popullarizuar në Malajzi ka vdekur nga Covid-19, vetëm disa ditë pasi lindi një djalë – fëmija i katërt i saj.
Shtatzënë në muajin e tetë, Siti Sarah Raisuddin, e cila kishte nivel të ulët të oksigjenit në organizëm, u vendos në koma artificiale në mënyrë që lindja të kryhej me operacion.
Foshnja shpëtoi, ndonëse nuk e pati fatin që të mbahej në kraharorin e nënës, shkruan “BBC”.
Bashkëshorti i saj tha se bëri një thirrje të fundit me video me gruan e tij para vdekjes, ku e pa me lotët që i rridhnin faqeve.
“Ishte sikur ta kishte kuptuar se çfarë po i thoshim. Do të jetë shumë sfiduese për mua që t’ua jap lajmin tre fëmijëve të mi për vdekjen e nënës së tyre”, tha humoristi Shuib Sepahtu.
Përpos djalit të vogël, familja ka edhe tre fëmijë të moshave nga 6 deri në 10 vjeç.
Raportet thonë se e tërë familja ishte e infektuar me koronavirus më 25 korrik, pasi e kishin marrë nga ndihmësja shtëpiake.
Vdekja e gruas ka mërzitur shumë njerëz në Malajzi. Mbreti dhe mbretëresha e Malajzisë kanë shprehur ngushëllime për familjen e saj.