Këpucari nga Stambolli prodhon këpucë “gjigante”
Ai vetë e ka numrin e këmbës 39, por klientët e tij nuk kanë numër këmbe të zakonshëm. Oncel Kalkan është këpucar në Stamboll, por ai njihet përtej kufijve për punën e tij.
Dyqani i tij ndodhet që prej vitit 1988 në një rrugicë të ngushtë në Istiklal, njërën prej rrugëve më të famshme të Stambollit . Në një tabelë të artë të vendosur në dritaren e dyqanit, shkruhet se aty shiten këpucë me numër mbi 45. Këpucari thotë se nuk ka nevojë për reklamë, pasi klientët vijnë gjithsesi, pasi dëgjojnë për të nga njerëz të tjerë. Ai ka 57 vite, që e drejton punishten e tij në mënyrë tradicionale. Oncel i bën këpucët në një punishte në afërsi të dyqanit, zakonisht me porosi të veçanta. dhe nuk ka dyqan online.
Duke buzëqeshur ai nxjerr nga dollapi këpucën më të madhe, që ka bërë ndonjëherë, e cila është në numrin 57. Disa thonë, se ai prodhon këpucë për “gjigandë”. Oncel thotë, se klientët e tij janë kryesisht basketbollistë ose sportistë të tjerë.
Ai tha se këtë punë e ka zgjedhur në mënyrë rastësore. Kishte shkuar në moshën 15 vjeçare drejt Stambollit për të parë ndeshjen e skuadrës së tij të preferuar, Beshiktashit. Aty kishte takuar një të njohur, që i kishte thënë se po mësonte zanatin e këpucarit. Në atë moment kishte vendosur dhe ai të ndiqte atë rrugë.
Vetëm pak pas hapjes së dyqanit të tij aty kishin ardhur dy basketbollistë amerikanë, që kishin kërkuar këpuce me numrin 52, njëri ndër to kishte qenë Marcus Webb. Këpucari kishte filluar punën dhe Webb ishte larguar me 32 palë këpucë. Që prej asaj kohe ai prodhon vetëm këpucë shumë të mëdha. Ka dhe gra që janë pjesë e klientelës së tij, për shembull një basketbolliste që e ka numrin e këmbës 46. Për një palë këpucë ai merr vetëm rreth 60 euro.
Pavarësisht se i pëlqen shumë puna që bën, Oncel thotë se ndihet i lodhur dhe pas dy tre vjetësh planifikon ta mbyllë dyqanin dhe të shkojë të jetojë në fshat, për të pushuar. Këpucët e tij thotë se i blen gjetkë dhe nuk i prodhon vetë./DPA/