Këputet ashensori në një objekt në Emshir, 8 veta bëhen për spital
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në lagjen Emshir në Prishtinë në një objekt banimi. Ashensori ka rënë nga kati i dytë në bodrum dhe për pasojë janë lënduar tetë persona të cilëtjanë dërguar në Emergjencë për trajtim të nevojshëm mjekësor.
Sinjali raporton se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:05, ndërsa në ashensor gjendeshin tetë persona, dy prej tyre fëmijë dhe një grua shtatzënë.
“Gruaja shtatzënë dhe dy fëmijët kanë pësuar traumë të madhe”, u shpreh një banor që ka dërguar edhe një video që pretendon se është bërë nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa shton se në vendin e ngjarjes kanë arritur policia, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë.
Ai u shpreh se kanë probleme të shpeshta me këtë lift i cili nuk i kishte as 24 orë që është lëshuar në funksion.
Ndryshe, në shkurt të këtij viti në ashensorin e ndërtesës të njëjtë ishin lënduar pesë gra, njëra prej tyre kishte pësuar frakturë në këmbë.