Keqkuptimet e reja e kanë burimin edhe të dështimet e vjetra

05 tetor 2021 | 11:42

Historia e vërtetë e raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, po edhe viseve të tjera shqiptare, ende nuk është shkruar. Ka që mendojnë se as nuk duhet të shkruhet, po më mirë është të harrohen dështimet, keqkuptimet, manipulimet

Milazim KRASNIQI

Pas ndarjes tragjike në rrokullimën e luftërave ballkanike, raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të mira. Ka pasur periudha kur nuk ka pasur kurrfarë kontaktesh. Ka pasur periudha në të cilat, brenda kontakteve minimale, është tentuar të krijohej perceptimi se janë marrëdhënie të mira. Ky tentim ka qenë dominues në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi, të cilat duke qenë të pushtuara, kanë pasur nevojë të mbahen si për një fije kashte, për mitin e ndihmës që do t’u vinte nga Shqipëria, të cilën e ledhatonin me sintagmën me butësi fëmijërore, “shteti amë”. Në ndonjë rast edhe si “nëna Shqipëri”. Ka pasur periudha kur nga “shteti amë”, nga “nëna Shqipëri” në mënyrë naive kanë importuar ideologjinë më idiotike që ka ekzistuar, enverizmin stalinist, demek për të imituar e ndjekur “shtetin amë”.
Në vend se të tentohej të merrej nga shtetet evropiane ndonjë doktrinë politike, fjala vjen, socialdemokracia, liberalizmi, konservatorizmi, merrej stalinizmi, versioni më kriminal i komunizmit. Ndërsa, nga Shqipëria, krahas ndonjë episodi modest vullnetmirë, më të shumtën kanë ardhur veprime që esencialisht e kanë injoruar çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ose e kanë përdorë për interesat meskine të regjimeve në Shqipëri. Historia e vërtetë e raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, po edhe viseve të tjera shqiptare, ende nuk është shkruar. Ka që mendojnë se as nuk duhet të shkruhet, po më mirë është të harrohen dështimet, keqkuptimet, manipulimet.

“Ballkan Open” si surrogat i “Aleancës ballkanike”

Në fakt, historia e vërtetë duhet të shkruhet edhe në këtë rast, po deri sot nuk është shkruar sepse ka qenë e mbuluar nga ngjarje të tjera të hidhura, veçmas nga pasojat e rënda që ka lënë pushtimi njëshekullor serb e jugosllav mbi Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në ish Jugosllavi (Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe në Malin e Zi.) Trauma e atij pushtimi të gjatë e të tmerrshëm ende nuk është shëruar, prandaj as sot nuk ka hapësirë të mjaftueshme që kjo temë të diskutohet pa ngarkesa emocionale dhe pa shtrembërime të qëllimshme.
Nuk do të ishte problem shtyrja për më vonë e këtij diskutimi, nëse nuk do të prodhoheshin keqkuptime të reja, në realitetet e sotme. Fjala vjen, iniciativa “Open Ballkan”, është një keqkuptim i rëndë ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, i shkaktuar qëllimisht nga qeveria arrogante e Edi Ramës, e cila në këtë iniciativë është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës. Por, e mira që mund të prodhojë kjo arrogancë e qeverisë Rama është se në Kosovë mund ta dekonstruktojë përfundimisht prirjen irredentiste, e cila në realitetet e reja të ekzistimit të Kosovës si shtet më vete, thjesht është një prirje mazohiste dhe në të njëjtën kohë infantile. Ky moment do të duhej të përdorej për kthjellimin e elitave të lodhëta shqiptare në Kosovë, që të braktisin narracionet infantile për bashkimin pa kushte me Shqipërinë e të ballafaqohen me sfidën se si ta bëjnë Kosovën një shtet të suksesshëm. Pse jo edhe konkurrues për të qenë Piemont shqiptar, në realitetet e reja.
Njëra nga rrugët për të kthjelluar këto raporte dhe për t’u pozicionuar si duhet në kohën tonë dhe për të ardhmen është evokimi i projektit të rilindësve mbi kombin dhe shtetin kombëtar dhe pasojat e dështimit të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Jo për të gjetur fajtorë, po për të mos përsëritur gabimet. Copëtimi i trojeve shqiptare, ka ndodhur pa vullnetin e proklamuar të shqiptarëve, por edhe me gabimet tona. Lindja me vonesë e lëvizjes kombëtare shqiptare në raport me kombet e tjera ballkanike, i ka arsyet e veta logjike, por rezultati ka qenë i dhimbshëm. Edhe raporti i saj si lëvizje kombëtare shqiptare me Perandorinë Osmane, në fazat e fundit të luftës për pavarësi, ishte jokonsekuent e madje kundërthënës me doktrinën e afirmuar nga Pashko Vasa e Sami Frashëri dhe të promovuar paraprakisht nga Lidhja e Prizrenit. Në fakt, themeluesit e kombit konsideronin se duhej të përdorej Perandoria Osmane si mburojë në raport me fqinjët ballkanikë, deri në fuqizimin e plotë të kombit shqiptar.
Fjala vjen, Pashko Vasa insistonte në këtë formulë: “…të bashkohet Shqipëria në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj një organizim i thjeshtë, kompakt e i fortë, t’i lihet elementit vendës një pjesëmarrje e gjerë në administratën publike dhe të inau-gurohet, një periudhë bashkimi, mirëkuptimi dhe vëllazërimi për të gjitha besimet e për të gjitha fetë. “Ndërsa, Sami Frashëri e plotësonte kështu këtë alternativë: “Qëllim’ i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigave t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimeve të greqet e te shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerinë rënjët Shqipërisë e ship-tarërisë”.
Por, në fillim të shekullit XX, lëvizja shqiptare adoptoi një strategji tjetër, sipas të cilës duhej të arriheshin miqësi e aleanca me kombet ballkanike, serbët, grekët e bullgarët dhe të shpallej armiqësi dhe luftë e armatosur me Perandorinë Osmane. Pra, pati një ndërrim të plotë të programit fillestar të lëvizjes shqiptare.
Ndryshimi i programit u konkretizua duke arritur marrëveshje të fshehta me grekët e duke u armatosur nga serbët e malazezët për kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Rezultati i këtij programi të ndryshuar dhe i kryengritjes ku ai program u provua, (1910-1912) ishte një katastrofë kombëtare.
Copëtimi i trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve ballkanikë, serbëve, grekëve, bullgarëve e malazezve shkatërroi çdo mundësi të formimit të shtetit kombëtar shqiptar në trojet ku jetonin si komb shumicë. Në njëfarë mënyre edhe atëherë kishte një “Open Ballkan” të katër shteteve ballkanike (Greqisë, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi) më të cilin flirtuan krerët shqiptarë, deri sa humbën pjesën më të madhe të atdheut e disa edhe kokat e veta. Pra, konkludimi që vlen edhe për sot është se aleancat dhe iniciativat me shtete ballkanike, mund të jenë të kobshme. Qëllimet e shteteve ballkanike, duke përjashtuar Bullgarinë nga ekuacioni, kanë mbetur armiqësore, nuk ka pse testohet kjo gjë, kur dihet saktë. Ama duhet të mbahet në vëmendje se krahas faktorëve të tjerë të fuqishëm gjeopolitikë, në prapavijë të asaj katastrofe kombëtare ishte edhe programi i gabueshëm i lëvizjes shqiptare në fillimet e shekullit XX. Sikundër ka konstatuar Elena Kocaqi-Levanti, “qëllimi i fuqive ballkanike ishte destabilizimi i Turqisë me anën e shqiptarëve dhe më pas marrja e tokave të tyre. Këto forca nuk patën qëllime politike të qarta dhe si çdo gjë që financohej nga fqinjët, ajo nuk ishte e dobishme për integritetin e Shqipërisë, sep¬se ndihmoi në copëtimin e saj”. Më qartë nuk ka si thuhet.

Rishikimi i raporteve?

Kjo që u tha deri këtu si inicim i shikimit kritik të historisë së ndarjes së trojeve shqiptare në vitin 1912, na e hap mundësinë që të kuptojmë edhe gjendjen aktuale të njësive të veçanta, dy shteteve Shqipërisë, Kosovës, po edhe Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Serbisë, ku jetojnë shqiptarët në trojet e veta. Pa u thelluar në ndonjë analizë, është lehtësisht e kuptueshme që njësitë shtetërore a territoriale, që sot mund të identifikohen si troje shqiptare, janë të ndara efektivisht dhe tentojnë të realizojnë projekte të ndara. Nga ana tjetër, jonormalitetin e raporteve politike ndërmjet vetë këtyre njësive, veçmas ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, asgjë nuk e ilustron më fort se sa vizitat e Edi Ramës në Beograd e Nish gjatë tetorit 2016 dhe formimi i iniciativës Open Ballkan.
Duke e pasur para sysh këtë gjendje të raporteve ndërmjet Shqipërisë e Kosovës dhe qëndrimit të të dyjave ndaj pjesëve të tjera të kombit tonë, jam i bindur se nuk ka kurrfarë gjasash reale për ndonjë mobilizim në një projekt të suksesshëm të bashkimit kombëtar. Nuk e përjashtoj se mund të bëhen tentativa, aventurizma, eksperimentime nga grupime anarkofashiste dhe ekstremiste, por ato mund të jenë jo vetëm të dështuara, por po aq katastrofike, sa ishte katastrofik ndërrimi i programit fillestar të lëvizjes kombëtare. Nëse sot a në të ardhmen e afërt, hyhet në aso aventurash, duke dëmtuar ashtu edhe raportin me sponsorin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk e miratojnë në asnjë rast projektin e prishjes së integritet të Maqedonisë e Serbisë (e aq më pak të Greqisë e të Malit të Zi që janë edhe shtete anëtare të NATO-s) pasojat mund të jenë fatale. Nuk mund të vendoset analogji ndërmjet Portës së Lartë të fillimshekullit XX dhe SHBA-ve të sotme, por një asociacion mund të bëhet, sepse sot jashtë përkrahjes amerikane dhe ombrellës së NATO-s, do të ishim të ekspozuar ndaj rrezikut si në fillim të shekullit XX, kur armiqësia me Portën e Lartë, na la të zbuluar keqas para fqinjëve ballkanikë dhe aleatëve të tyre. Pra,as historia e copëtimit të trojeve shqiptare, as gjendja aktuale dhe as raportet e sotme ndërmjet vetë shqiptarëve të ndarë, nuk japin asnjë gjasë për ndonjë projekt të suksesshëm të bashkimit të trojeve shqiptare. (Kjo që sapo thashë nuk është dëshirë personale, por konstatim logjik për realitetin.)
Ajo që mund të bëhet sot është se mund të lëvizet drejt fuqizimit të dy shteteve ekzistuese, Shqipërisë e Kosovës dhe nëse bëhen shtete të suksesshme, edhe drejt ndonjë forme të asocimit të tyre, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, pa prekur me asgjë Maqedoninë, Greqinë a Malin e Zi. Formate bashkëpunimit të Shqipërisë e Kosovës me shqiptarët në shtetet e tjera, Maqedoni, Greqi, Serbi e Mali i Zi, i shoh vetëm nën ombrellën e NATO-s dhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse BE nuk shpërbëhet në ndërkohë) Bile, pas rritjes së rrezikut të ekstremizmit, pas fuqizimit të frikshëm të Rusisë në Ballkan, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pas daljes së SHBA nga Afganistani, ne shqiptarët duhet të kemi më shumë kujdes, që të mos hyjmë më skemat e armiqve tanë. Armiqtë tanë, Rusia e Serbia posaçërisht,tashmë po ëndërrojnë të na fusin në skemat e tyre e të na përdorin si mish për top, siç i përdoren liderët shqiptarë të kryengritjeve shqiptare në vitet 1910/1912. Personalisht kam frikë se mund të na përsëritet ajo histori e hidhur, të vërtetën e së cilës nuk kemi denjuar kurrë që ta mësojmë deri në fund. “Open Ballkan” është dëshmi.

* Ky opinion është botuar edhe në revistën “Shenja”

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti nga…