Keqmenaxhimi që po shkakton humbje: Bien të hyrat buxhetore shkaku i masave të qeverisë
Masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, që janë marrë nga Qeveria prej 30 gushtit e të cilat janë në fuqi deri më 26 shtator, pritet të ndikojnë në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe në uljen e të hyrave buxhetore.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Ilir Murtezaj ka thënë se çdo kufizim në zhvillim të aktivitetit ekonomik ndikon në ulje të qarkullimit për bizneset, gjë që ulja e qarkullimit me automatizëm ndikon në rënie të të hyrave tatimore.
“Në këtë drejtim, ende nuk i kemi indikacionet e para se sa do të kenë efekt, mirëpo vet fakti që gastronomia, por edhe të gjitha bizneset tjera lejohen që të zhvillojnë aktivitetin e tyre vetëm deri në orën 21:30, kjo me automatizëm do të prodhojë një reduktim të qarkullimit, njëkohësisht edhe për të hyrat tatimore”, thekson Murtezaj.
Drejtori Murtezaj në një intervistë për ‘KosovaPress’, ka thënë se në periudhën janar-gusht, ATK ka inkasuar rreth 400 milionë euro ose rreth 100 milionë më shumë se vjet.
“Konstatojmë se gjatë periudhës janar-gusht të vitit 2021, kemi arritur që të inkasojmë 399.3 milionë euro, shumë kjo e cila nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rreth 97 milionë euro më tepër. Mirëpo, viti 2020 nuk është vit që mund të referohemi, sepse ka qenë një vit i brisht për shkak të pandemisë. Kurse, bazuar në periudhën e njëjtë të vitit 2019, rezulton se kemi pasur një tejkalim të të hyrave për mbi 40 milionë euro apo 11 përqind”, thekson Murtezaj.
Derisa për masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 të Pakos për Ringjalljen Ekonomike që ka të bëjë me mbështetjen e punëtorëve dhe grave në biznes, Murtezaj thotë se rreth 1 mijë biznese kanë aplikuar përreth 2 mijë e 200 punëtorë. Për masën 1.3 e cila ka të bëj me punësimin e grave, numri i kërkesave është 644 për 1 mijë e 142 të punësuara.
Murtezaj tregon se kur pritet të dalin mjetet për përfituesit potencial.
“Pas zhvillimit të aplikacionit nga ana e ATK-së, Ministri i Financave ka krijuar edhe komisionin, i cili do të merret me shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe ky komision tashmë është në fazën e verifikimit të këtyre kërkesave dhe në momentin që i përfundojnë verifikimet, atëherë do të procedohen tutje në MF, përkatësisht në Thesarin e Kosovës, ku do të bëhet edhe procedimi i pagesës për përfituesit potencial për të përfituar nga këto masa”, theksoi ai.
Megjithatë, Murtezaj ka apeluar te të gjitha bizneset që t’i deklarojnë punëtorët për marrëdhënie pune ose në të kundërtën do të ndëshkohen në ditët në vijim gjatë inspektimeve. “Në ditët në vijim do të dalim në terren për t’i inspektuar të gjitha bizneset ku kemi indikacione se ka të punësuar jo-formal, me qëllim gjithnjë të formalizmit të të gjithë të punësuarve, formalizmi ky i cili përveç se sjell benefite për të punësuarin, njëkohësisht edhe për biznesin, sepse krijon një treg lojal, të barabartë ose konkurrencë të barabartë për të gjithë tatimpaguesit. Andaj bëjmë apel te të gjitha bizneset që të shfrytëzojnë këtë mundësi të formalizimit të të punësuarve, por njëkohësisht edhe parandalimit të ndëshkimeve që mund pasojnë”, thotë Murtezaj.
Drejtori i ATK-së ka thënë po ashtu se përveç funksionit të mbledhjes së të hyrave, vazhdimisht pretendojnë që të zhvillojnë aktivitetet në terren, gjithnjë me qëllim të luftimit të informalitetit, gjë që është detyrë kryesore e ATK-së./KP