Keqperceptimi filozofik ushqen politika destruktive

16 qershor 2023 | 22:24

Shkruan: Dr. Hajdin Abazi

Kam shkruar më parë se gjithçka që e ka mbërri Kosova, në këto tri dekadat e fundit, e ka bërë vetëm kur është bashkërenduar ngushtë me ShBA-në, që nënkuptonte: me tërë spektrin euroatlantik.
Kjo ka qenë linja politike se si është vepruar nga ana e liderëve të Kosovës. Përjashtim ka bërë, nga fillimi, vetëm Albin Kurti. Ai me kursin e tij të ekstremit gjoja patriotik, arriti të indoktrinojë një masë të rinjsh, falë edhe indiferencës së partive politike nga viti 2005 e këndej. Nënçmimi i keperceptimit filozofik nga klasat politike por edhe nga mediat, tash po i jep frytet e hidhura.
Ideologjitë ekstreme janë indoktrinimi më i thellë dhe më i rrezikshëm që ekzistojnë, sepse i ushqejnë individët me keqperceptime përmes të cilave ata pastaj e shohin botën në mënyrë të shtrembër: raportet shoqërore, politikën, partneritetet.
Më kujtohet që shumica e liderëve e shihnin si një “çun që rebelohet për t’u shquar” dhe e nënçmonin qasjen e tij ekstreme, duke besuar se është e pamundur që ai të ketë sukses me veprimet antiamerikane. Besonin se për secilin shqiptar është i qartë përcaktimi perëndimor dhe euroatlantik. Po dëshmohet se një lider që ka dioptri të mbrapshtë filozofike, mund të mashtrojë masat e gjëra. E ka dëshmuar historia në të kaluarën edhe te popuj të tjerë. Dhe Kurti ia arriti: mori pak më shume se 50% të elektoratit, edhe për shkak të korrupsionit, nepotizmit të cilat tha se do t’i luftojë e në fakt i bëri publike, duke i “legjitimuar”. Për më tepër, çfarë bëri me këtë besim të qytetarëve?
Nisi të protagonizohet duke eskivuar nga partneri jetik i Kosovës: ShBA, duke bërë veprime kundërshtuese, neglizhuese, shpërfillëse, qartazi me frymën “sovrane”.
Një patriot i vërtetë në pushtet do të shquante linjën e mundësive politike dhe do ta drejtonte shtetin kah përfitimi, për konsolidim dhe forcim partneritetesh, për të siguruar paqen e brendshme, stabilitetin dhe zhvillimin. Qasja absurde shkon deri aty sa duket se gjithçka që ka qenë Hashim Thaçi për, duhet t’i dilet kundër! Edhe partneriteti euroatlantik në krye me ShBA-në. Duhet ngjyrosur anti-Kosovë!
Kurti duket se e ka mprehur shpatën e ndryshkur nga koha, për t’iu sulur partnerëve, duke goditur ShBA-në, pastaj Bashkimin Evropian dhe së fundi edhe NATO-n përmes KFOR-it. I vetëm kundër të gjithëve. Duket sikur një neurotik, që hidhet kundër familjes së vet!
Atë që është munduar me dekada ta bëjë Serbia, po e bën kjo qeveri. Dihet ajo thënia e Dobrica Qosiqit se shërbimi serb duhet të punojë për ta futur frymën antiamerikane te shqiptarët, sepse vetëm ashtu i vjen shansi Serbisë. Ende po me duket si një delir imi, e jo si një realitet që Kurti po e hedh kundër Kosovës partneritetin perëndimor.
Duke u nisur nga aspekti i linjës klasore dhe ideologjisë majtiste të cilën e njoh thellësisht, e kuptoj Kurtin: kështu ai bëhet një hero i lëvizjes së majtë ekstreme në botë për kundërvënien ndaj “forcave imperialiste”!. Por ai po harron se këtë po e bën në dëm thuajse të pariparueshëm për Kosovën. Një ditë Kurti do të shkojë nga pushteti, por dëmi i shkaktuar do të mbetet dëmë për Kosovën.
Po noterja e Kurtit, ajo që e mban postin e presidentes, është shushatur. Ajo po mërmëritë diçka. Por fjalët tashmë janë dokrra, notere! Perëndimi do ndërrim të qasjes filozofike dhe të vetë kursit politik – heqje dorë nga anti-euroatlantizmi dhe anti-amerikanizmi! Si dhe, sinkronizim me gjeopolitikën euroatlantike! Jo veprime në shërbim të gjeopolitikës ruso-serbe!
Vendet mike duan një qeveri bashkëpunuese me partnerët. Këtë e tha qartë ambasadori gjerman në Kosovës, që është një distancim i hapur ndaj politikës së qeverisë aktuale. Dhe Eskobar e tha shkoqur: kush nuk do partneritet, duhet të presë pasoja (një zbutje e fjalës sanksione). Ndoshta ndokujt mund t’i duket “ndershmëri” prishja me partnerët euroatlantikë, pa të cilët ekzistenca shtetërore e Kosovës as që mund të mendohet me një Serbi proruse, me ushtri të rregullt e aviacion, si dhe konfliktshkaktuese.
Kurti me disa veprime arriti ta fusë KFOR-in në veprim, dhe filloi të besojë se KFOR-i mund të veprojë sa herë që Qeveria e nxjerrë para aktit të kryer! E tash Kurti befasohet se përse KFOR-i po hesht e nuk po e njofton atë! Partneriteti nuk vlen vetëm kur ti do, por kur edhe partnerët duan, është një raport i ndërsjellë.
Duket se ka humbur sensi etatist i shtetarëve kurtian: ministrja e Drejtësisë e karikaturon KFOR-in në mënyrë sarkastike! Harron se ajo është ministre dhe ka përgjegjësi shtetërore!
Tash është krijuar një atmosferë për forcat kriminale dhe ekstreme ne pjesën veriore, sa thuaja po veprojnë hapur. Madje, po i ndjekin gazetarët e kameramanët dhe po i rrahin! Kur shihen këto pamje, secili ka të drejtë të pyes: Zoti Kurti, ku është sovraniteti? Ku është ligji? Si ndodhka që nën qeverisjen tënde bandat kriminale ditën po i ndjekin shqiptarët në veri?
Uroj ta kesh kuptuar se pa partneritet me ShBA-në dhe vendet euroatlantike as ligji e as sovraniteti nuk qëndrojnë në këtë pjesë të Ballkanit!
Prejse erdhi në pushtet në vitin 2021, Kurti vetëm me kriza, goditje politike, shkarkime, kundërshtim i hapur me ShBA-në, e tash edhe me BE-në dhe KFOR-in! Ku po e çon Kosovën kështu, kryeministër?
Vetëm një verbëri ideologjike, prapa së cilës mund të fshihet gjithçka e errët dhe e dyshimtë, mundet ta bëj një politikan si Kurti, të quajë naiv sekretarin e shtetit amerikan Blinken!
Diplomacinë e Kosovës e keni shtrirë përtokë, e keni bërë mjerane, e keni paralizuar, nga se qëndrimet tuaja ua ngulfatin diplomacinë.
E tash, çka? Çka më tutje?

Nëse ende mund të shpëtohet diçka, kjo mund të bëhet duke braktisur menjëherë kursin anti-ShBA, anti-BE dhe anti-KFOR. Të kërkohet falje publike. Të rikthehet veprimi prej partneriteti. Sepse, ashtu sikurse kam shkruar para një viti, Kosovës i del mirë vetëm me bashkërendim me ShBA-në, e tash ëshë me BE-në dhe me KFOR-in. Ndryshe, fundoset Kosova!

(Autori është ish-ambasador)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Bibliotekën e qytetit, “Sadik Tafarshiku”, në Ferizaj, u…