Keqpërdorime me tenderë në Komunën e Ranillukut, ngritët aktakuzë ndaj katër personave
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve G.J., I.Gj., B.Gj. dhe S.D., për keqpërdorime në një tender në komunën e Ranillukut.
“Sipas aktakuzës, që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranilluk, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtar në Komunën e Ranillukut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull ‘Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në Komunën Ranillukut për vitin 2018’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8.307,00 euro, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë (6) pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillukut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillukut i paguan si pozicione të kryera”, ka njoftuar prokuroria.
Me këto veprime, sipas prokurorisë të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.