Keqpërdorimet e fondeve për trajtim jashtë vendit, qeveria: Abuzimet do të hetohen
Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP).
Për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi e secilit transaksion që ka kaluar nëpër programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmërinë e kostos së shërbimit të ofruar, rregullsinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin në fond për zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj.
Qeveria ka theksuar se qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen.
“Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, është thënë në reagimin e qeverisë.