Keqpërdorimet po e zvarritin kompensimin e punëtorëve
Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se keqpërdorimet që po bëhen nga bizneset janë duke e zvarritur pagesën për kompensimin e punëtorëve. “Për shembull, kemi furra, markete dhe shkolla private të cilat e kanë vazhduar operimin online, duke u munduar ta keqpërdorin situatën. Kemi pompa të benzinës që kanë aplikuar, por kanë aplikuar për të gjithë punëtorët, ndonëse vetëm pjesa e restoranteve nuk ka punuar”, ka treguar ai. Sipas Bislimit, janë rreth 350 000 kërkesa që duhet të procesohen. “Procesi do të shkonte më lehtë po të kishte më pak keqpërdorime. Për shembull, një pjesë e pagesave, 26 000 për masën 3, është dashur të kryhen të hënën. Por, procesi është zvarritur shkaku se janë eliminuar 7 000 keqpërdorime”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se 170 euro do t’i marrin punëtorët ekzistues të bizneseve që kanë punuar me humbje ”pra masa 3”. Ai ka vazhduar duke dhënë informata rreth kësaj. “Listën e të punësuarve e plotëson punëdhënësi dhe ajo listë krahasohet me shkurtin. Çdo person që nuk ka figuruar në muajin paraprak, por është në listën e pagave të muajit mars ose prill, llogaritet si i ri në kategorinë e të punësuarve dhe me automatizëm përfiton nga masa. Në qoftë se bizneset kanë dokumentuar se kanë pasur vështirësi në operim shkaku i masave, si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte, ata e argumentojnë dëmtimin dhe përfitojnë”, ka thënë ai.
Bislmi ka vazhduar se ato biznese që i kanë paguar punëtorët atëherë duhet me thënë vetëm “kompenzimi për punëdhënësin”.“E, nëse e kanë paguar vetëm pjesërisht për pjesën që punëtori ka punuar, pjesën tjetër e listojmë në llogaritë e punëmarrësve dhe pagesa bëhet te ta. Për bizneset që i kanë kompensuar pagat, kompensimi mund të bëhet vetëm për muajin e parë”, ka thënë Bislimi. Ai ka bërë të ditur se për pikën e tretë të pakos, për punëmarrës ekzistues, kanë aplikuar “diku 137 000 punëtorë. Por, jo të gjithë kualifikohen ta marrin atë”.