Keqpërdorimi i kujtesës historike
Ëndrra për të qenë një ditë pjesë e BE-së vjen nga dëshira për të jetuar më mirë dhe për të mësuar nga e kaluara. Këtu lindin disa pyetje nëse popujt e Ballkanit kanë mësuar nga e kaluara e hidhur historike, apo kanë në plan të vazhdojnë të shfrytëzojnë probleme të së kaluarës dhe të tashmes si shqetësime të përditshme në raportet ndërshtetërore. Pasi për shumicën e banorëve të Ballkanit ende si opsion mbetet BE-ja, atëherë qeverive kombëtare nuk ju mbetet gjë tjetër vetëm që të punojnë më shumë dhe t’i përmbushin kriteret e BE-së për një fqinjësi të mirë.
Pas shumë kritikave të hapura dhe raporteve negative, koha është që shtetet e Ballkanit të bëjnë më shumë në vlerat dhe standardet e BE-së. Nëse qeveritë e Ballkanit thonë se BE-ja është qëllimi përfundimtarë, atëherë pa hapa konkretë, e vepra të rëndësishme rajoni nuk mund të bëhet pjesë e sistemit të vlerave të BE-së. Si shembull përsëri mund ta marrim Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera të Ballkanit, ku ndryshimet në qeverisje duhet të jenë normale dhe të pranohen si proces kalimtarë në demokraci për më shumë opsione në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Nëse nuk shkohet në këtë drejtim, do të jetë e vështirë qeveritë t’i bindin qytetarët se të zgjedhurit po punojnë për interesat e tyre qoftë brenda dhe më të tjerët.
Koha dhe ngjarjet tregojnë, se udhëheqësit politikë dhe zyrtarët qeveritarë duhet të bëjnë ndryshime të shpejta të mentalitetit në qeverisje për të arritur në BE dhe në marrëdhëniet me fqinjtë. Dhe kjo duhet bërë pavarësisht nga rënia e interesit për BE-në dhe gabimeve të politikës së jashtme të Brukselit ndaj Ballkanit. Prandaj, nëse një shoqëri do të vendosë energjinë dhe planet përpara politikave që promovojnë një botë të frikshme, kjo do të ishte një shans dhe sukses i madh për të gjithë. Nga këtu mund të vazhdojmë me ngjarjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, ku vërehen dy drejtime që mund të paraqesin një rrezik për proceset demokratike.
Në artikujt tanë të mëparshëm kemi përmendur se rifillimi i mospajtimeve me fqinjët dhe larja e hesapeve me kundërshtarët politikë, do të ishte një çmim i lartë për këtë shtet fragjil. Vendi me presidenten e re Gordana Silajnovska është përballur me kritika të ashpra nga Bullgaria, Greqia, BE dhe deri diku nga SHBA. Më tej komuniteti ndërkombëtar ka shfaqur disa shqetësime se Maqedonia e Veriut mund të humbasë gjurmët e reformave të nisura dhe të raporteve më fqinjët.
Kritikat nga jashtë duhet të merren në konsideratë nga qeveria si vëretje për kursin e ri që duhet të mbajë qeveria e re në Shkup. Pasi Maqedonia e Veriut ka një fat të keq, është e rëndësishme gjithashtu që drejtuesit e rinj të institucioneve të vazhdojnë me reformat që parashikohen nga BE-ja, dhe jo thjesht reforma të rrejshme. Por me shumë rëndësi, është që qytetarët t’i shohin ndryshimet. Ndryshe nëse të gjitha premtimet do të mbesin në shkallën e propagandës, energji të re për të arritur në BE nuk do të ketë, e as më pak për të nxitur qytetarët të besojnë më tej në vlerat evropiane.
Një situatë tjetër që vazhdon të mbajë shtetet në gjendje jo të mirë ndërfqinjësore është politika agresive e Serbisë ndaj Kosovës, dhe ajo e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, ku njëra palë sanksionohet dhe tjera po favorizohet. Vazhdimi me të njëjtat politika ndaj njërës palë në bisedime gjithsesi se nuk do të sjellë asgjë të re në raportet në mes shteteve, dhe as më pak në zgjidhjen e konflikteve.
Kjo mund të jetë një shkas apo justifikime të reja për qeveritë të punojnë shumë pak në reformat e nisura dhe në përmirësimin e raporteve ndërshtetërore. Gjithsesi BE-në dhe jugun e saj e ndanë një fat, andaj si BE-ja dhe vendet kandidate duhet të nisen nga tre pika, e ato janë gjeografia, ekonomia dhe teknologjia. Shenja pozitive duhet të japin të dyja për vazhdim të nismave në Ballkan dhe reforma agresive duke respektuar paralelisht marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndryshe do të jenë të kota fjalimet nga të dyja anët, ku shumë premtohet dhe asgjë nuk punohet në zgjidhjen e problemeve historike. Në rrethana të tjera, me keqpërdorimin e kujtesës historike të banorëve të Ballkanit, shumë çështje të hapura mund të mbesin si nyjë për sot dhe të nesërmen. Dhe natyrisht me pasoja afatgjatë.