Kerber tërhiqet nga ‘US Open’, shkak shtatzënia
Tenistja gjermane Angelique Kerber, ish-numri 1 në botë për femra, ka konfirmuar tërheqjen e saj nga grand slam i “US Open”, që nis më 29 gusht në Nju-Jork.
Fituesja e këtij turneu në vitin 2016 ka lajmëruar në rrjetet sociale se është shtatzënë. “Doja të luaja në ‘US Open’, por në fund vendosa që të luaj 2 kundër 1 nuk është e ndershme”, u shpreh duke qeshur tenistja 34-vjeçare. Ajo ka vendosur të rikthehet në vendlindje, ku do ta qëndrojë pjesën e mbetur të shtatzënisë.
Gjithsesi, kjo tërheqje e gjatë, që mund të zgjasë më shumë se një vit, nuk do të sjellë një largim të tenistes nga sporti. Ajo synon të rikthehet në fushë.
“‘US Open’ ka një vend special në zemrën time, ndaj dua të jem në fushë për t’ju përshëndetur”, ka shtuar Kerber. Sipas medieve gjermane, Angelique Kerber pritet të rikthehet në fushë në gjysmën e dytë të vitit 2023, për ta synuar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
I really wanted to play the @usopen but eventually I decided that two against one just isn‘t a fair competition 👼🫶🏻🍼❤️ pic.twitter.com/Y6rRYOIUDR
— Angelique Kerber (@AngeliqueKerber) August 24, 2022