Kërcënimet e grupit të Kurtit dhe të tjerëve të ndalen urgjentisht
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas deklaratave të Xhelal Sveçlës, aktualisht ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, ndaj deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli.
Thaçi ka thënë se kërcënimi i Sveçlës është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm.
“Kërcënimi që një ushtrues detyre i ministrit të një Qeverie në dorëheqje ia bën ish-presidentit Behgjet Pacolli, lider partiak dhe aktualisht i zgjedhur i popullit në Kuvendin e Kosovës, se do të arrestohet nëse shkon në Kuvend për ta ushtruar mandatin e tij, është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm për demokracinë tonë të re”, ka thënë Thaçi
Thaçi ka shkruar se kërcënimet nga grupi i Kurtit duhet të ndalen urgjentisht.
“Kërcënimet që vijnë nga grupi i Kurtit dhe të tjerëve duhet të ndalen urgjentisht. Kuvendi i Kosovës duhet ta adresojë këtë kërcenim dhe t’i marrë masat e nevojshme që të mbrohet demokracia në Republikën e Kosovës”, ka shkruar presidenti në “Facebook”. /Epoka e re/