Kërcënimet e Serbisë, manovrime e taktizime që s’duhen injoruar
Shkruan: Hajdin Abazi
Shovinizmi serb në krye me Vuçiq i ngjan personave me energji vet-gjeneruese negative, që, edhe kur e dinë se vetë janë fajtorë, sikurse e di saktë politika e Vuçiqit, për konsekuencat e një veprim apo qëndrimi të bërë kokë më vete dhe pa llogaritur edhe rrjedhojat potenciale, nuk resht së vepruari për të kërcënuar, shantazhuar, shpifur, njollosur, etiketuar, shtrembëruar të vërtetën, e ndonjëherë edhe duke vepruar në drejtim të objektivit për ta intimiduar e mundësisht edhe për ta cenuar, por pa lënë gjurmë që të mos kapet. Kjo është definitivisht një gjendje patologjike, e cila rigjenerohet nga urrejtja dhe lakmitë aspak realiste – sepse historia nuk kthehet dot pas, askush nuk mundet ta kthejë kohën në një periudhë të caktuar të dëshiruar që të veprojë ndryshe dhe e vetja sjellje sado pak normale është pajtimi me realitetin; në vend të kësaj, një patogjen sillet herë duke lozur rolin e viktimës e herë të agresorit, dhe nuk resht që nuk resht duke e kontaminuar ambientin derisa të bëhet alverziv për receptorët, sa që i shmangen, për mos t’u infektuar nga qasja anakronike, absurde, degjenerative. Shmangia nga kontakti i tillë është shenja e parë e largimit nga sfera emocionale e patogjenëve, për ta ruajtur shëndetin mental personal. Një sjellje e tillë nuk po ndodhë ndaj Serbisë, madje e kundërta: çka po tregon me këtë perëndimi, se është imun ndaj patologjisë shoviniste serbomadhe, apo po e nonshalon, kjo mbetet të shihet.
Sa më shumë që Vuçiq bën veprime destruktive, devijuese dhe kërcënuese ndaj perëndimit, perëndimorët duket sikur aq më shumë i vardisen, për ta joshur, për ta mbajtur në orbitën ekzistuese të paktën, që të mos ofrohet edhe më shumë me Rusinë dhe Kinën, dhe në këtë kuadër jo vetëm mbyllin shpesh sytë ndaj tij, por edhe i bëjnë koncesione. Dhe politikisht ai vepron në disa drejtime njëherësh: në njërën anë forcon bashkëpunimin me Rusinë, pa e dënuar fare agresionin e saj në Ukrainë si qëndrim gjeopolitik perëndimor, dhe po ashtu edhe me Kinën, sa që bëri të njohur një marifet: patrullimin e përbashkët të forcave policore serbo-kineze në Serbi. Patrullimi i përbashkët i forcave policore të dy vendeve të kontinentit, mundësisht nga BE, është një proces integrues evropian, që synon t’i tejkalojë kufijtë nacional shtetëror drejt atyre kontinental. Por çfarë është patrullimi i përbashkët me forcat policore kineze? Nuk do të ishte befasi të iniciohej edhe patrullimi i përbashkët policor serbo-rus! Madje, në trendin aktual, nuk duhet përjashtuar mundësia edhe e patrullimit të tillë me Korenë e Veriut.
Kur Vuçiq e shpalli “botën serbe” nga shumëkush, me sa duket edhe në perëndim, u quajt thjesht vetëm si propagandë, si ornament, sa për të joshur elektoratin, por duket se nuk ishte vetëm e tillë, po shumë më tepër se aq: ishte një program shovinist serbomadh, që në emër të gjoja shpëtimit serb, të legalizojë dhe legjitimojë aspiratat serbomëdha ndaj popujve të tjerë fqinj. Ndonëse historikisht dihet se serbët janë dyndur në Ballkan në fund të shekullit VI të erës së re, pra afërsisht para 15 shekujsh, dhe përhapjen e serbëve në trevat ku ata ndodhen sot e kanë bërë përmes luftërash të përgjakshme invaduese, programesh e elaboratesh për kolonizimin e trevave të atdheut shqiptar, edhe për ta përvetësuar atë e edhe për t’i dëmtuar territorialisht dhe substancialisht shqiptarët, Beogradi zyrtar vazhdon të propagandojë ndjekjen e përndjekjen e serbëve nga shqiptarët, edhe pse kjo është krejt e pavërtetë. Madje, këtë vazhdon ta bëjë çdo ditë edhe pse sigurinë e ka në përgjegjësi KFOR-i, dhe ata dëshmojnë se nuk po ndodhë një proces i tillë realisht në Kosovë, se është një trillim i Vuçiqit e i pushtetit të tij. Por kjo është, megjithatë, e rrezikshme: tashmë u denoncua plani i Beogradit zyrtar për inseminimin e gjoja shpërnguljeve serbe nga Kosova nga përndjekjet e pushtetit aktual, madje u pohua se edhe ka ndërtuar objekte banimi në Sanxhak, ashtu që atje t’i zhvendos serbët e Kosovës, për të krijuar imazhin e një “eksodusi biblik” serb.
Aq sa po vërehet nga qasja publike, duket se Qeveria e Kosovës nuk po i kushton ndonjë vëmendje të duhur këtyre paralajmërimeve, por mbetet për t’u besuar se organet e sigurisë, para së gjithash AKI-ja, policia e FSK-ja dhe KFOR-i t’i kenë parasysh dhe të kundërveprojnë, për ta neutralizuar dhe pamundësuar një veprim të tillë me pretendim për ta paraqitur pushtetin e Kosovës gjoja njëlloj si pushteti i Milosheviçit, i cili me ushtri e polici i dëbonte shqiptarët nga atdheu i tyre, efekti i së cilës do të ishte një furi anti-Kosovë, për ta damkosur imazhin diplomatik edhe të Kosovës e edhe të Perëndimit. Lista Serbe nxitoi t’i ankohet shefit të ri të BE-së në Kosovë se “Populli serb çdo ditë vuan nga represioni i regjimit të Albin Kurtit, qëllimi i dukshëm i të cilit është dëbimi i popullit serb nga këto vise”. Kështu, Lista serbe vazhdon të jetë e instrumentalizuar nga Vuçiq, duke shtrembëruar të vërtetën dhe realitetin: jo vetëm që serbët nuk kanë asnjë represion si qytetarë dhe vetëm pse janë serbë – ashtu sikurse kishin shqiptarët nën regjimin e Milosheviçit, por madje edhe kriminelët ndiqen me kujdes dhe në koordinim më KFOR-in e EULEX-in, të cilët edhe janë mbikëqyrës e edhe dëshmitarë. Sa herë që ndonjë kriminel serb është arrestuar, Vuçiq dhe pushteti i tij kanë gënjyer se po arrestohen serbët; në Kosovë nuk ka asnjë rast që ndonjë qytetar është arrestuar vetëm për shkak të përkatësisë etnike, e pra as dhe një serb i vetëm nuk është arrestuar vetëm pse është serb. Kriminelët po, janë arrestuar dhe do të arrestohen edhe në të ardhmen pavarësisht se a janë shqiptarë, serbë apo të ndonjë përkatësie tjetër etnike. Kosova kurrë nuk ka arrestuar pleq, plaka, burra e gra, të rinj e fëmijë vetëm pse janë serbë; një Kosovë e tillë, një regjim që do të mund ta bënte këtë, nuk do të ishte i dalë nga vullneti i popullit shqiptar për bashkëjetesë, paqe, harmoni, respekt të ndërsjellë, stabilitet dhe siguri; një Kosovë e tillë dhe një pushtet i tillë, para se gjithash, nuk do të ishte i imi, pra nuk do të më përfaqësonte mua as si qytetar, as si ish-i-burgosur politik, as si ish-UÇKist e as si politikanë shtetndërtues në Kosovë për rreth dy dekada e gjysmë pas përfundimit të luftës.
Ngritja e aktakuzës ndaj grupit agresionist në krye me Radojçiqin duket se ka trazuar thellë Vuçiqin dhe pushtetin e tij në Beograd, pasi që ajo u ngrit me kontributin e SHBA dhe të BE, e që me sa duket do të nxirret në pah involvim i Beogradit zyrtar në atë ndërmarrje invaduese, gjë që po bëhet përpjekje për ta shantazhuar Perëndimin me dërgimin e Vulinit te Putini dhe të forcimit të bashkëpunimit me Kinën përgjithësisht e posaçërisht me sjelljen e një kontingjenti forcash policore kineze në Serbi për gjoja patrullim të përbashkët! Po bëhet një lojë e shumëfishtë në gjeopolitikë, duke manovruar midis gjeostrategjive dhe gjeotaktikave, duke trumbetuar edhe participimin e Serbisë në BRICS – në bllokun antiamerikan dhe anievropian, në situatën e nderë të BE nga lufta invaduese ruse në Ukrainë dhe rreziku i përhapjes së saj edhe në treva të tjerë të kontinentit e para se gjithash në Ballkan nga Serbia dhe përmes saj, por edhe nga kërcënimet ruse për luftë bërthamore.
Perëndimi sigurisht se i përcjellë në detaje lëvizjet, sjelljet, veprimet, manovrat, taktizimet e luftën psikologjike hibride, dhe sikur bëhet një luftë e nervave se kush do të mundet të qëndrojë deri në fund, por nuk duhet harruar se shovinizmi serb e ka përhapur gjithandej helmin e vet ndër breza dhe energjia e saj negative e urrejtjes dhe e lakmisë për ekspansion dhe invadim është e pafund, nuk ka të ndalur ndryshe përpos veprimit me të njëjtat metoda e qasje. Në këtë spektër të gjerë të gjeopolitikës duket se popujt rajonalë, si shqiptarët, boshnjakët e malazezët janë ata që do të paguajnë koston e sjelljes vardisëse të perëndimit. Me siguri, të gjitha këto, dhe shumë të tjera, janë kalkuluar. Por, sikurse e kam theksuar edhe më parë, të gjitha këto janë minore, krahasuar me rrezikun potencial qe Serbia të bëhet një bastion rus dhe vija ndarëse midis perëndimit dhe Rusisë të bëhej Serbia. Parandalimi i kësaj është në interesin e të gjithëve dhe të gjithët duket të kontribuojnë, pa dëmtuar interesin nacional, por më bashkërendim me SHA dhe BE: vetëm kështu mund të ndalet shovinizmi serb dhe t’i vjen fundi, e Serbia të çlirohet nga monstra e saj e të demokratizohet mirëfilli, gjë që mbetet një sfidë epokale e popullit serb drejt çlirimit nga tirania e shovinizmit serb.
Njëmend manovrimet nga më të ndryshmet nuk janë tjetër vetëm se taktizime kundrejt Perëndimit për mbrojtjen e vet e të qenit në pushtet, që bëhet në spektrin gjeopolitik të nderë global, por ato duhet të mbahen nën vëzhgim, sepse befas mund të shndërrohen në veprime, me pasoja mbase edhe të pallogaritshme. Nuk është Serbia për ta mbivlerësuar gjithsesi, por as për ta nënçmuar nuk është: në rrethana të caktuar, e duket se ajo po përgatitet në atë drejtim, ajo mund të shndërrohet në një fatkeqësi për shtetet fqinje po se po, por edhe për Bashkimin Evropian e mbase edhe Perëndimin.