Kërcënimi i Millosheviqit, më 24 prill 1987 në Fushë – Kosovë (5)
Anatomia e nazizmit serb: Slobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (5)
Shkruan: Prof. dr Agim ZOGAJ
Millosheviqi vendosi diktaturën luftënxitëse, neofashizmin serb
Në vitin 1989 pas rënies së Murit të Berlinit i cili shënoi fundin e një epoke, edhe në Serbi vlerësohej se më mirë do të ishte që të ketë iniciativa nga elita intelektuale dhe politike serbe për tu hyrë proceseve të reja politike dhe nacionale. Për shkak të presioneve nga perëndimi për të instaluar pluralizmin në vendet postkomniste, në Serbi ishin bërë hapat e parë, ndonëse të detyrueshëm për futjen e pluralizimit formal, kjo me qëllim të zbutjes së atij presioni. Në LK të Serbisë të udhëhequr nga Millosheviqi, kishin vendosur që të krijojnë opozitën politike, pluraliste. Madje ishte formuar një Komision treanëtarësh i cili kishte për detyrë që të formonte opozitën serbe, me qëllim që para Perëndimit të plotësohej kriteri elementar. Komisioni ishte para një detyre të vështir, edhe për faktin se vlerësohej se në Serbi megjithatë nuk kishte disidentë të vërtet.
Në të vërtet, sipas vlerësimeve të Komisionit gjegjës, në Serbi ishte vetëm një disident i vërtet, e ai ishte Milovan Gjillasi, mirëpo po ashtu vlerësohej se ai është i papërdorshëm për qëllimet e caktuara të cilat i duheshin politikës aktuale serbe. Disident i dytë i cili mund të llogaritej nga Serbia ishte Dobrica Qosiqi, njeriu i cili nga partia ishte përjashtuar në vitin 1968 pikërisht për shkak të nacionalizmit të eksponuar serbe ndaj Kosovës. Ai llogaritej si bartës i opsionit të nacionalizmit serb në RSFJ. Mirëpo, po ashtu dihej se, për dallim nga disidentët nga vendet tjera të Evropës Juglindore, shteti jugosllav, përkatësisht ai serbe asnjëherë nuk e kishte ndjekur politikisht Qosiqin. Madje ai kishte jetuar një jetë mondane në shtëpinë e tij në Dedinje të Beogradit. Ai ndërsa nuk kishte treguar interesim që të jetë në ballë të ndonjë partie të re pluraliste, sepse e llogariste veten si “baba” i kombit serb dhe ideolog modern i ideologjisë dhe lëvizjes serbomadhe. Nga ana tjetër, personalisht Dobrica Qosiqi e kishte përkrahur politikën e Millosheviqit dhe për Millosheviqin kishte deklaruar se ai është personaliteti i vërtet, i cili plotësisht është i përcaktuar realizimit të çështjes serbe, dhe se sipas Qosiqit formimi i një partie të fort opozitare serbe do të rrezikonte me shpërndarjen, hargjimin e energjisë të grumbulluar homogjene serbe. Qosiqi, si nacionalist i përbetuar serb ishte i qartë në përcaktimet e tij politike se – së pari duhet shteti, e pastaj demokratizimi i tij.
Anëtarët e Komisionit të lartpërmendur më në fund e kishin gjetur zgjidhjen: zgjidhja ishte, selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, në rrugën “Francuska 7” në Beograd. Shoqata e shkrimtarëve të Serbisë ishte pikërisht ajo që i duhej regjimit të cilin tani më, pra në fundvitet e tetëdhjeta me sukses dhe me autoritarit të plot e personifikonte Slobodan Millosheviqi. Në fakt gati e tërë përbërja e opozitës elitiste serbe kishte ardhur nga dy institucione: Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë dhe nga Instituti për filozofi dhe teorinë shoqërore. Në të parën ishin tubuar disidentë, kryesisht shkrimtarë të cilët i kishte prodhuar regjimit titist dhe të cilët financiarisht dhe për shumëçka ishin në varësi të regjimit, kurse në të grupin e dytë bënin pjesë filozofët praksistë dhe shkencëtarë të tjerë serbë problematik, po ashtu të izoluar nga rrjedhat shoqërore por të cilët megjithatë i kishin të ardhurat e mira. Për të dy kategoritë e sipërpërmendura të elitës opozitare – nacionaliste serbe vlen formulimi se ata përbëheshin nga intelektualë të salloneve të shkëputur nga realiteti.
Millosheviqi: “Askush nuk guxon t’ju rrahë”!
Në këtë periudhë politikën e Millosheviqit e përkrahte shumica e popullit serb, pra edhe grupet opozitare të elitave nacionaliste serbe. Madje opozita e tillë nacionaliste serbe bashkëpunonte me mjaft sukses me regjimin të cilit i ka shërbyer deri në fund të karrierës së Millosheviqit. Ideja themelore që i bashkonte ishte programi nacionalist i regjimit të cilin e kishte formuluar, vetë elita opozitare – intelektuale serbe.
Millosheviqi i cili ishte mjeshtër i kontrollimit të masave pra edhe të qendrave pozitare dhe intelektuale – nacionaliste të vendosjes, qëllimisht fuqinë e ndikimit e kishte bartur në kryeqytetin serb, në institucionet shtetërore, politike, kulturore, mediale etj. Kjo, ndryshe është armë tradicionale e të gjithë diktatorëve për të kontrolluar më lehtë ngjarjet nëse ato centralizohen. Kështu pra sistemi millosheviqian i personifikuar me regjimin serb i cili jo vetëm në çështjen e Kosovës udhëhiqej nga hegjemonizmi tradicional serb, i ngritur si sistem i diktaturës u ngrit në sistem të dëmshëm, agresiv dhe militant. Sistemi i tillë ishte i dëmshëm, ishte formë e diktaturës uzurpatore dhe luftënxitëse. Sistemi millosheviqian u ngrit pra nga një diktaturë totalitare serbe dhe jo nga demokracia liberale, prandaj nuk e kishte të vështir që t’i trashëgonte ato mekanizma të ndryshme të pushtetit totalitar, përkatësisht të kontrollimit të gjitha dimensioneve të jetës shoqërore nga ana e pushtetit. Sa i përket çështjes së Kosovës dhe mbajtjes nën kontroll të situatës në vendin tonë, sistemi millosheviqian, përmes aparatit të dhunës dhe mbështetjes në terror ndaj masave shqiptare, kishte ngritur një aparat të frikshëm dhune i cili nuk hezitonte të përdorte mjetet dhe metodat më brutale të dhunës ndaj shqiptarëve.
Kërcënimet e tij të para ndaj popullit dhe udhëheqjes të Kosovës, Millosheviqi i kishte bërë publikisht gjatë tubimit të minoritarëve serbë e malazezë në Fushë Kosovë më 24 prill 1987. Ai kishte thënë se tubimet e këtilla të pakicës serbe e malazeze “ nuk janë tubime të nacionalistëve, këso tubime nuk janë tubime të armiqve…Separatistët shqiptarë pak janë qetësuar. Llogarisin në faktorin kohë, dhe kuptohet se edhe rrethanat punojnë në favor të tyre. Mirëpo ata duhet ta dinë se në këtë tokë, në këtë vend, nuk do të ketë tirani.”. Në tubimin e Fushë Kosovës, i cili u shndërrua në promovimin e fjalorit nacionalist millosheviqian, ndër të tjera Millosheviqi kishte deklaruar se “ Askush më nuk guxon t’ju rrah”. Me këtë fjali, ai kishte trimëruar nacionalistët serbë në Kosovë dhe në Serbi, kurse institucionet legjitime të autonomisë së Kosovës, pra edhe institucionin e policisë i kishte demkosur si të rendit të dytë dhe ua kishte kontestuar autorizimet.
Në të vërtetë, deri në pranverë të vitit 1987, Millosheviqi nuk kishte dëshmuar ndonjë përkushtim të veçantë për pozitën kushtetuese të Serbisë përbrenda federatës jugosllave.
Kështu që, lirisht mund të thuhet se temën e Kosovës dhe propagandimin e interesimit për pakicën serbe dhe atë malazeze në Kosovë ai i kishte zbuluar, vetëm pas vizitës që po atë vit i bëri Kosovës, konkretisht Fushë Kosovës, ku sipas dëshmive ai kishte shkuar me udhëzimin e Ivan Stamboliqit. Stamboliqi, do të ishte menduar mirë nëse do ti kishte dhënë një propozim të tillë, mikut të tij, atëherë kur e kuptoi se me çfarë euforie nacionaliste dhe çfarë nami Millosheviqi ishte kthyer nga Kosova.
Dihet se politikajt i krijojnë ngjarjet dhe rrethanat në histori, mirëpo edhe ngjarjet dhe rrethanat e caktuara i kalitin, i formësojnë politikajt. Kishte qenë e paraparë që Millosheviqi fillimit të takohej në Prishtinë me udhëheqjen më të ngushtë politike, mirëpo papritmas ai ishte nisur drejt për në Fushë Kosovë. Atëherë për të mos e lënë vet, me të ishin nisur edhe Azem Vllasi dhe Kolë Shiroka. Në Fushë Kosovë, para Shtëpisë së Kulturës, Millosheviqin e kishte pritur një masë e madhe e tubuar e serbeve dhe malazezëve, të ardhur madje edhe nga disa vendbanime tjera të Kosovës ku jetonin pakicat e përmendura sllave.
Dëshmitarët e këtij takimi konfirmojnë se posa kishte filluar mbledhja prapa dyerve të mbyllura, nga jashtë ishin dëgjuar klithjet “Hajdutë, hajdutë”! “Vrasë, vrasës”!. Turma kishte hedhur gur drejt Pallatit të kulturës, kishin thyer xhamat e dritareve, kurse policia kishte intervenuar për ta qetësuar masën e cila ishte në gjendje histerie. Ata, si në një regji filmi, kërkonin të takoheshin dhe të flisnin me kryetarin e komunistëve serbë.
Pas pak, ashtu i hutuar Millosheviqin kishte dalë nga salla e mbledhjes, dhe ashtu në një gjendje jo edhe aq trimëruerse për te, ishte paraqitur në dritaren e hapur. (Shumë vite më vonë, në atë ndërtesë të pallatit ishte vendosur një ballkon – përmendore në të cilin shkruante – Dritarja e Slobës). Vlerësohet se ky ishte takimi i tij i parë i hapur dhe masiv me popullin, në rastin konkret me pakicën serbe dhe malazeze. Në brohoritjet e masës se “ Ne po na rrahin…”, Millosheviqi ishte përgjigjur me patetikë politike, demagogjike dhe nacionaliste duke thënë “ Askush nuk guxon t’ju rrah, popullin askush nuk guxon ta rrah”!
Situata ishte përndezur, kurse masa kishte filluar për herë të parë të brohoriste me emocion deliriumi “Slobo, Slobo…”. Ishte kjo edhe një ngjarje dhe shans i madh për përurimin e vozhdit të ri serb, tani, mu në mesin e tokës së Kosovës
Millosheviq dinak, i cili zotëronte me mjeshtri fascinante të liderit popullist, të demagogut nacional i cili di të përvetësoj masat me parulla boshe politike, të mbështjella me patetikë nacionaliste, e hetoi se ky ishte shansi i madh , jetësor i tij. Lideri i ardhshëm serb, e kishte kuptuar se cilës rrugë duhej shkuar. Patjetër se në fjalimin e tij ai do të përdorte frymëzimin dhe patetikën nacionaliste, serbomadhe ” Shokë, e para që dua t’ju them është se ju duhet të qëndroni këtu, Ky është vendi i juaj, këtu janë shtëpitë e juaja, arat dhe kopshtet e juaja, kujtimet e juaja. Ndoshta, nuk do ta lëshoni vendin tuaj, sepse në të vështir jetohet, sepse ju kanë shtrënguar padrejtësitë dhe përuljet. Shpirtit të popullit serb dhe malazez, kurrnjëherë nuk i ishte e afërt që të dorëzohet para sfidave, pengesave, që të demobilizohet kur duhet të luftojë, të demoralizohet kur e ka të vështir. Duhet të qëndroni këtu, edhe për shkak të të parëve tanë dhe të trashëgimtarëve. Të parët do ti kishit turpëruar, kurse pasardhësit do ti kishit zhgënjyer… Jugosllavia nuk ekziston pa Kosovën! Jugosllavia deziontegrohet pa Kosovën! Jugosllavia dhe Serbia nuk do ta japin Kosovën”! (Vijon)