Kërcënohen disa pjesëtarë serbë të FSK-së se ‘iu bashkuan ushtrisë së UÇK-së’
Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e hetuar një letër kërcënuese e cila është shfaqur të hënën në Zubin Potok.
Letra e cila është nënshkruar nga një grup i panjohur deri më tani i quajtur “Armata e Veriut” (Severna Armija) kërcënon disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) duke u bërë thirrje atyre që të largohen nga ky institucion.
“Jemi dëshmitarë të aspiratës së shqiptarëve nga Prishtina për të përfshirë serbët nga Zubin Potoku në ushtrinë e UÇK-së, ose FSK-së, në të njëjtën ushtri, e cila na ka vrarë fëmijë, gra dhe pleq në gjithë Kosovën”, është thënë në këtë letër.
“Nuk u lejojmë njerëzve të prishur të gjakut tonë të cilët kanë pranuar këtë thirrje të jetojnë, punojnë dhe të jenë në Zubin Potok. Nuk do të lejojmë që atyre t’u ndihmojë Komuna e Zubin Potokut në krye me kryetarin. Do t’ua thyejmë kockat”, është theksuar në këtë letër.
Në këtë pamflet janë vendosur emrat e shtatë serbëve lokale për të cilët pretendohet se janë pjesë e FSK-së, me një porosi në fund të saj.
Ju ushtarë, takohemi shumë shpejt. Nuk mund t’u mbrojë as komuna, as policia”, thuhet në letër. (kallxo.com)