Kërcënohen me vdekje dy politikanë në Gjermani, Policia shton masat e sigurisë
Politikanët ekologjistë Cem Özdemir dhe Claudia Roth janë kërcënuar me vdekje nga persona që dyshohet se janë ekstremistë të djathtë. Policia ka shtuar masat e sigurisë.
Cem Özdemir është kërcënuar me vrasje nga një rrjet i cili është renditur ndër ekstremistët e djathtë.
Mediat gjermane njoftojnë se në zyrën e politikanit ekologjist me origjinë turke ka ardhur në fund të tetorit një e-mail, ku thuhet se “ai gjendet lartë në listën e personave që do të vriten.
E-mailin e ka dërguar një grup me emrin Divizioni i Armëve Atomike (Atomwaffen Division – AWD), nga SHBA.
Ky rrjet ka kërcënuar me vdekje edhe politikanen ekologjiste Claudia Roth.
Lajmin e ka botuar grupi i gazetave nga Eseni – Funke Mediengruppe.
Özdemir tha se fjalët dhe kërcënimet janë shumë më të rrezikshme se “ofendimet e zakonshme”. Ndaj autoritete kanë reaguar menjëherë dhe kanë shtuar masat e sigurisë.
“Për momentin jemi duke shqyrtuar mundësitë e vrasjes, në ndonjë prej tubimeve të ardhshme publike? Apo do t’ju kapim para vendbanimit tuaj?” Kështu citon Funke-Medien këtë e-mail.
Özdemir ka njoftuar menjëherë Zyrën Federale Kundër Kriminalitetit (BKA) dhe policinë e Bundestagut. Ndryshe nga kërcënimet tjera nga e kaluara, Özdemir dhe Roth i kanë kuptuar këto kërcënime shumë seriozisht. Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë.
Përbërja e kërcënimeve ndaj Özdemir dhe Roth ka qenë në ngjashme – në të dyja ka pasur kërcënime konkrete me vrasje.
Niveli i lartë i kërcënimeve
Pjesëtarët e AWD bëhen në SHBA përgjegjës për shumë vrasje dhe sulme të planifikuara. Ata janë të organizuar në qeliza, komunikojnë me gjuhë sekrete në internet dhe bëjnë thirrje raciste.
BKA ka paralajmëruar për rrezikun nga grupet e këtilla në vitin 2018.
“Rreziku nga sulmet e grupeve ekstremiste në Gjermani mbetet në një nivel të lartë abstrakt, edhe pas paralajmërimeve për ekzistencën e AWD në Gjermani”.
Özdemir ka deklaruar për Funke-Zeitungen, se “e ndjen veten të sigurt në duart e BKA”.
“Por si qëndron puna me politikanët e shumtë lokalë, të cilët angazhohen kundër ekstremizmit dhe nuk kanë mbrojtje?”
Kriminaliteti i përhapjes së urrejtjes duhet të luftohet me vendosmëri dhe kundër personave të këtillë duhet të ngrihen aktakuza. Në qershor është vrarë politikani Walther Lübcke. Ndërsa muajt e fundit janë kërcënuar me vdekje nga ekstremistët e djathtë edhe politikanë të tjerë federalë, në lande dhe komuna – ndër ta edhe kandidati i CDU për kryeministër në zgjedhjet e fundit të Tyringisë Mike Mohring. /dw/