Kërcënohet kryeministri kroat, policia para objektit të qeverisë
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ua ka konfirmuar gazetarëve në Dubrovnik se më 12 maj është marrë një kërcënim telefonik ndaj tij personalisht dhe anëtarëve të Qeverisë së Kroacisë dhe se njësia për intervenim e policisë po siguron ndërtesën e qeverisë në sheshin “Markova” të Zagrebit.
Ky kërcënim ndaj kryeministrit dhe qeverisë përkon me raportin e Shërbimit Informativ të Sigurisë – SOA lidhur me situatën e sigurisë në Kroaci në vitin e kaluar, i cili u publikua më 12 maj.
“Dhe tani ka një kërcënim, njësia për intervenim e policisë është aktualisht para qeverisë sepse sot në mëngjes ka pasur një kërcënim të atij lloji ndaj meje dhe anëtarëve të qeverisë. Kjo ndodh gjatë gjithë kohës dhe ne duhet të punojmë për të shtypur grupet e tilla, duke angazhuar të gjitha shërbimet që merren me këtë çështje”, ka thënë Plenkoviq në një deklaratë për mediet në Dubrovnik.
Kryeministri kroat ka thënë se për këtë arsye “SOA e publikoi këtë raport dhe t’i japim fund kësaj”.
“Kroacia është vend demokratik, ku respektohet sundimi i ligjit, institucionet dhe rendi kushtetues. Dhe është e sigurt se ata që duan të rrëzojnë pushtetin me mjete të dhunshme, nuk do të kalojnë pa u vënë re dhe shteti dhe institucionet e tij do të veprojnë. Ata punojnë gjatë gjithë kohës”, ka thënë Plenkoviq, raporton “Rel”.
Kërcënimet e zbuluara të “individëve me pikëpamje ekstremiste”
SOA-i ka theksuar se “zbuloi përpjekje të individëve me qëndrime ekstremiste dhe militante për të organizuar pasuesit e tyre në mënyrë paraushtarake, me qëllim të zbatimit të trajnimit ushtarak dhe blerjes së armëve, si dhe me qëllimin përfundimtar të përmbysjes së rendit kushtetues demokratik”.
Plenkoviq ka thënë në Dubrovnik se “ishin dy grupe të identifikuara shumë qartë, të cilat ndërlidhnin një rreth njerëzish, me qëllim të përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetues”.
Ai ka rikujtuar se para tre vjetësh, Danijell Bezuk, kishte shkuar në ndërtesën e qeverisë, i armatosur me kallashnikov dhe pati filluar të qëllonte dhe në këtë rast u plagos rëndë polici Oskar Fiuri.
“Keni pasur një sulm terrorist nga Bezuk, para tre vjetësh, në Banske Dvori, jo domosdo për të plagosur policin Oskar Fiuri, por për të kryer një akt terrorist kundër qeverisë, do të thotë, kundër kryeministrit, kundër meje. Për këtë nuk ka asnjë dilema”, ka thënë kryeministri kroat.
Plenkoviq ka vlerësuar se “ai i ri e ka bërë këtë për shkak të atmosferës dhe ambientit, në të cilin është rritur”.
“Dikush i dha armën, dikush e mësoi të shtinte, dikush e nxiti atë që të kishte atë moment vullneti që është më i rëndësishmi. Ishim me fat që nuk ia arriti qëllimit”, ka thënë ai.
Sulmi kishte ndodhur më 12 tetor të vitit 2020. I riu, 22- vjeçar, më pas kreu vetëvrasje në një pyll aty afër, ndërkaq Prokuroria e Shtetit e kishte cilësuar aktin e tij si terrorizëm.